Protestat në Tiranë, Balla-deputetëve demokratë: Ju morën sheshin dhe doni t’u bashkoheni! Ju mposhti ju, por jo PS! S’lind dot PD e re

Politikë

Publikuar: 30/06/2026

Protestat në Tiranë, Balla-deputetëve demokratë: Ju morën sheshin dhe doni t’u bashkoheni! Ju mposhti ju, por jo PS! S’lind dot PD e re

Taulant Balla u ktheu përgjigje deputetëve të PD për deklaratat e tyre lidhur me protestën që mbahet prej një muaji para kryeministrisë. Shefi i grupit parlamentar socialist u tha se protestuesit u kanë marrë sheshin dhe ata duan t’u bashkohen.

Balla tha se PD e sheh protestën si shpëtim nga Berisha dhe tashmë janë të mundur prej saj, por PS nuk mposhtet dot.

“Axhendën e parlamentit e përcakton vetëm vota dhe interesi kombëtar. Demokracia është sistem që merr frymë vetëm përmes parlamentarizmit. Parlamenti është vendi ku forca e argumentit duhet të mbizotërojë mbi argumentin e forcës. Mua më duket se ju po vuani nga sindroma e Stokholmit. Ju kanë marrë sheshin dhe doni që të bashkoheni me ata që ju kanë marrë sheshin, edhe pse ata ju anatemojnë udhëheqësin. Dëgjova këtu një deputetin tuaj që në një lojë fjalësh për emrat e forcave tona politike, ra në kurthin e harresës mbi faktin se sot në krye të PD është një sekretar partie. I vetmi sekretar partie në krye të një partie politike sot në Shqipëri. Njëkohësisht edhe varkëtari i Enver Hoxhës që gëzohej kur ai i jepte dorën. Mes jush, edhe nga ata që gëzojnë kur thirret “Berisha në burg.” Ka mes jush nga ata që doni të ikë Saliu dhe shpresoni ta bëjë protesta. Juve protesta ju mundi, por ne protesta nuk na mund dot. Partinë Socialiste të Shqipërisë nuk e mund dot askush”, tha Balla.

Më tej, ai foli edhe për Dritan Goxhajn, për të cilin tha se “nuk ka shërbyer asnjë ditë në UÇK”, për të cilin akuzoi opozitën se u përpoq të përdorte dokumentin e OVL-UÇK për qëllime politike.

“U them protestuesve mos lejoni t’jua vjedhin protestën”, tha Balla duke shtuar:

“Protesta është privatizuar nga një grup shumë i vogël pa asnjë lloj legjitimiteti publik. Në çdo vend që kanë ndodhur ngjarje të tilla, elementë me program kriminal përfshihen”, u shpreh ai.

Balla ‘ia shoi’ shpresat PD për të gjetur shpëtim te protesta.

“Kjo protestë nuk e shpëton PD. Fryma e protestës është anti-establishment për ata që e kuptojnë. Nga kjo protestë nuk do të lindë dot një PD e re, ndërkohë që ne PS e kemi shumë të re. Mund të lindin vetëm parti ideologjike”, tha ai.

Me 75 vota kundër dhe 19 pro, u rrëzua mocioni me debat i kërkuar nga PD për 5 kërkesat e protestuesve.