Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi partitë e vogla politike se qëndrojnë pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së zhvilluar jashtë Kuvendit.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se protestuesit që morën pjesë në incidentet ishin mbështetës të partive të drejtuara nga Arlind Qori, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj.
“Sot para Kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur ithtarët, anëtarët, shërbëtorët dhe çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt dhe Gone Shehajt. Këta kanë ardhur për hesapet e tyre. Këshilla që është dhënë edhe nga mbështetës të protestës ka qenë: Mos i lini partitë e vogla t’ju vjedhin protestën. Ajo që ndodhi sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga tre dështakë politikë”, u shpreh Balla.
Ai tha se personat që shkaktuan incidentet nuk përfaqësonin qytetarët që kishin dalë për të protestuar për mbrojtjen e mjedisit, por sipas tij ishin të organizuar nga këto forca politike.
Në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së hodhi akuza edhe ndaj Dritan Goxhajt, si pjesën terroriste të protestës, të lidhur me Iranin”. Balla shtoi se Goxhaj “jo vetëm që duhet ndaluar nga policia, por duhet hetuar thellësisht për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit”.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Sot para kuvendit të Shqipërisë kanë ardhur idhtarët, anëtarët, shërbëtorët, çantëmbajtësit e Arlind Qorrit, Adriatik Lapajt, dhe të Gone Shehaj. Këta kanë ardhur për hesape të këtyre. Këshilla, jo e imja, por e shumë të tjerëve, edhe mbështetës protestës, ka qenë: mos i lini partitë e vockëla t’ju vjedhin protestën. Kjo që ka ndodhur sot me gjuajtjen me vezë është pjesë e orkestruar nga 3 dështakë politikë. Njëri u mpreh që do bëhej kryeministër, solli tezen; tjetri u mpreh se do sillte, do bëhej kryeministër, solli mbajtësin e çantës. Edhe tjetri poshtë. Këta janë ata që kanë sjellë. Nuk janë, nuk është, nuk janë djemtë e vajzat që që hynë në këtë betejë për të mbrojtur flamingot. Dhe ka edhe një pjesë terroriste të lidhur me Iranin, e drejtuar nga Dritan Goxhaj, i cili jo vetëm që duhet ndaluar nga policia, por sigurisht duhet hetuar thellësisht për lidhjet e tij me regjimin terrorist të Iranit. Faleminderit