Për Komisionin Evropian, përplasjet e vazhdueshme mes shumicës dhe opozitës po pengojnë punën e parlamentit. “Polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e punës parlamentare. Një seri protestash të organizuar nga Partia Demokratike kundër qeverisë, përfunduan me sulme me molotovë ndaj selisë së Këshillit të ministrave. Në draft raportin konfidencial për shtetin ligjor në Shqipëri, të cilin Report TV ka siguruar, shkruhet se “disa protesta të thirrura nga opozita u shndërruan në të dhunshme”.
Komisioni Evropian është kritik për disa aspekte të funksionimit të parlamentit. “Mbikëqyrja e parlamentit mbi ekzekutivin u tkurr më tej. Një numër kërkesash nga opozita për krijimin e komisioneve hetimore u refuzuan në vitin 2025”, lexohet në dokument ku vihet në dukje me shqetësim se “politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të nivelit të lartë në organe kushtetuese ose institucione të pavarura mbetet një problem serioz”.
Sipas raportit mbetet problem cilësia e procesit legjislativ. “Zbatimi i rregullave të hartimit të politikave dhe konsultimit publik, të bazuara në prova, mbetet procedural dhe jo efektiv”, thekson dokumenti, duke përmendur “mungesën e publikimit në kohë të drafteve për shqyrtim nga palët e interesuara, cilësinë e procesit të konsultimit dhe ndjekjen e kufizuar. Projektligjet vazhduan të paraqiteshin në momentin e fundit nga një deputet i vetëm, gjë që ndikon në cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ”.
/shqiptarja.com