Tronditet Roma! Ekzekutohet çifti dhe vajza e tyre 5-vjeçare në kryeqytetin italian, mbijeton vetëm djali 20-vjeçar

Botë

Publikuar: 27/06/2026

Tronditet Roma! Ekzekutohet çifti dhe vajza e tyre 5-vjeçare në kryeqytetin italian, mbijeton vetëm djali 20-vjeçar

Tre anëtarë të një familjeje me origjinë nga Bangladeshi janë vrarë me thikë në banesën e tyre në zonën Casalotti, në periferi perëndimore të Romës. Viktimat janë një burrë 38 vjeç, bashkëshortja e tij 39-vjeçare dhe vajza e tyre pesëvjeçare. I vetmi i mbijetuar është djali 20-vjeçar i familjes, i cili mbeti i plagosur dhe u shtrua në Spitalin Universitar “Policlinico Gemelli”. Sipas mjekëve, gjendja e tij nuk paraqitet e rëndë.

Ngjarja ndodhi në një apartament në katin e parë të një godine trekatëshe në rrugën “Via Montiglio”. Hetimet po drejtohen nga Policia e Romës.

Tronditet Roma! Ekzekutohet çifti dhe vajza e tyre 5-vjeçare

Alarmi u dha nga fqinjët
Sipas mediave italiane, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, fqinjët dëgjuan britma që vinin nga banesa dhe më pas panë një person, ose ndoshta më shumë se një, të largohej me vrap në errësirë. Ata njoftuan menjëherë policinë dhe shërbimin e emergjencës 118.

Kur ekipet mjekësore mbërritën në vendngjarje, vajza pesëvjeçare Alicia dhe prindërit e saj, Kamal dhe Arzu Udiu, nuk kishin më shenja jete.

Sipas informacioneve paraprake, Kamal jetonte prej rreth 15 vitesh në Itali dhe punonte në një supermarket në zonën Boccea. Bashkëshortja dhe vajza e tyre ishin bashkuar me të rreth dy vite më parë.

I mbijetuari është dëshmitari kryesor
Personi i vetëm që mund të ndihmojë në rindërtimin e ngjarjes është djali 20-vjeçar, Onion, i cili është marrë në pyetje nga hetuesit.

Ekspertët e Policisë Shkencore dhe efektivët e Skuadrës Mobile, të drejtuar nga Roberto Pititto, kanë kryer këqyrjen e vendit të krimit dhe po mbledhin prova për identifikimin e autorit.

Një nga pistat kryesore të hetimit është se viktimat e njihnin autorin. Sipas dyshimeve të para, bëhet fjalë për një mik të 20-vjeçarit, i cili aktualisht kërkohet në të gjithë Romën. Disa dëshmitarë kanë deklaruar se e panë të largohej me vrap nga godina. Ata thanë se kishte veshur një bluzë blu.

Dyshohet se autori u fut në banesë si i njohur
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, prindërit e 20-vjeçarit e kishin lejuar të dyshuarin të hynte në banesë pa dyshuar për qëllimet e tij, pasi ai kishte qenë edhe më parë aty.

Më pas ka shpërthyer një debat, i cili përfundoi në sulmin me thikë ndaj familjes. Hetuesit dyshojnë se prindërit, dhe ndoshta edhe djali i madh, u përpoqën me dëshpërim të mbronin vajzën pesëvjeçare, por nuk arritën ta shpëtonin.

Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, përfshirë ato të kompleksit rezidencial ku ndodhi krimi, si edhe telefonat celularë të viktimave dhe të të mbijetuarit, me shpresën se komunikimet e fundit mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit.

Po merren në pyetje të afërm dhe të njohur
Hetuesit kanë marrë në pyetje miq dhe të njohur të familjes, ndërsa në apartament është kryer një kontroll i detajuar për të verifikuar nëse mungon ndonjë send që mund të ndihmojë në zbardhjen e motivit të krimit.

Jashtë banesës u mblodhën të afërm dhe fqinjë të familjes, të tronditur nga ngjarja. Ndërkohë, ekspertët e Policisë Shkencore vijuan punën në vendin e krimit me veshje mbrojtëse për të ruajtur provat.

Autori kërkohet edhe me dronë
Kërkimet për të dyshuarin vazhduan gjatë gjithë natës edhe në zonat pyjore përreth Casalottit. Policia përdori dronë të pajisur me kamera me rreze infra të kuqe për të kontrolluar terrenin.

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që i dyshuari të jetë larguar tashmë nga Roma, megjithëse deri tani nuk ka konfirmim zyrtar. Po verifikohen të gjitha vendet ku ai mund të jetë strehuar ose të ketë marrë ndihmë.