Përdori dokumente flase për të fituar tendera, gjykata i heq pas 8 ditësh përjashtimin firmës REJ të familjes Kapri!

Kryesore

Publikuar: 27/06/2026

Përdori dokumente flase për të fituar tendera, gjykata i heq pas 8 ditësh përjashtimin firmës REJ të familjes Kapri!

Çuditë në Shqipëri zgjasin shumë pak, për të mos thënë aspak, pasi sistemet janë ndërtuar jo për të vënë drejtësi dhe për të dënuar ata që shkelin ligjin, por për sorollatje e ndoshta kollitje, pasi me një lobim apo me ndonjë ryshfet ti arrin të heqësh “njollën”. Para pak ditësh, redaksia e Vox News publikoi ekskluzivisht një dokument, i cili bënte fjalë se firma REJ në pronësi të familjes Kapri në Pogradec kishte përdorur dokumente të falsifikuara për të fituar tendera.

Një akuzë tepër e rëndë, e cila nëse do të kishte qenë në ndonjë vend tjetër, firma apo pronarët e tyre, nuk do të shihnin për një kohë të gjatë paratë e buxhetit të shtetit, e ndoshta do të provonin qelitë e burgut, për të mos thënë që do iu sekuestrohej pasuria. Por, në Shqipëri, një akuzë e tillë kalon lehtë, fillimisht me një vendim përjashtimi dhe brenda 8 ditësh me një njoftim për pezullimin e këtij përjashtimi, deri në shqyrtimin e plotë gjyqësor.

Një skemë që e kanë përdorur rëndom të gjitha firmat e mëdha që kanë fituar dhjetëra miliona euro nga buxheti i shtetit, pasi edhe kur kapën gafil me shkelje të mëdha, arrijnë që me lidhjet e tyre apo me lobimet e atyre që e mbështesin, të heqin brenda një kohe të shkurtër përjashtimin, duke vijuar çuditërisht të fitojnë para’.

Përdori dokumente për të fituar tendera, gjykata i heq pas 8

Faksimile: Vendimi i APP i përjashtimit të firmës REJ nga tenderët për 6 muaj

Përdori dokumente për të fituar tendera, gjykata i heq pas 8

Faksimile: Vendimi i APP i përjashtimit të firmës REJ nga tenderët për 6 muaj

Duket se familja Kapri është mësuar me procese hetimore, dosje penale, çështje gjyqësore e vendime të Prokurorisë dhe Gjykatës së Posaçme, pasi anëtarët e saj Gilberti dhe Eduarti kanë qenë subjekte të hetimit dhe verifikimit. Madje, ish-kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, u dënua nga Gjykata e Posaçme me disa muaj burg, që iu konvertuan në shërbim prove, pasi u dokumentua se ai lejoi vëllanë e tij, Gilbert Kaprin, që të ndërtonte një kullë 11 kate pa leje në Pogradec, me një leje ndërtimi të shfuqizuar.

Ndërkohë, vëllai tjetër i Eduartit, Luan Kapri, ka me letra firmën REJ, por që në fakt njihet botërisht se kanë si familje, pasi kanë arritur që të fitojnë dhjetëra miliona euro punë publike, kryesisht në pastrim dhe ndërtim. Para pak ditësh, redaksia jonë publikoi se firma në fjalë kishte përdorur dokumente false për të fituar një tender të majmë nga Spitali Ushtarak në Tiranë.

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, në datën 12 qershor 2026, Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një njoftim për të skualifikuar firmën “REJ” nga tenderët për një periudhë prej 6 muajsh. “APP në ushtrim të kompetencave të saj ka nisur procedimin administrativ për përjashtimin e operatorit ekonomik ‘Rej’ shpk, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi” thuhej në dokument.

Sipas saj, kjo firmë ka marrë pjesë në tenderin me objekt “shërbim pastrimi për Spitalin Universitar të Traumës”, me fond limit 245.035.563 lekë pa Tvsh, zhvilluar nga autoriteti kontraktor Operatori i Blerjeve të Përqendruara në datë 20.10.2025. Mësohet se arsyeja ishte keqinformimi dhe dorëzimi i dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi.

Përdori dokumente për të fituar tendera, gjykata i heq pas 8

Faksimile: Vendimi i APP që njofton se pas 8 ditësh i hiqet përjashtimi firmës REJ me vendim gjykate

Pas 8 ditësh, në datën 19 qershor 2026, APP nxori një tjetër njoftim ku lajmëronte se ndryshimin e vendimit të përjashtimit të kompanisë REJ, nga e drejta për të fituar kontrata publike, për keqinformim për qëllime kualifikimi, në procedurat e prokurimit.

“Arsyet e heqjes së emrit të operatorit ekonomik nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike Kundër këtij vendimi, shoqëria ‘Rej’ i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndër të tjera, ka kërkuar sigurimin e padisë për pezullimin e zbatimit të aktit administrativ. APP është njohur me vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë datë 18.06.2026. Në këtë dispozitiv, gjykata ndër të tjera, ka vendosur pranimin e kërkesës së shoqërisë ‘Rej’ për marrjen e masës së sigurimit të padisë, si dhe pezullimin e zbatimit të vendimit të APP” thuhet në këtë dokumente.

Sipas saj, në këto kushte, APP ka vijuar duke proceduar me heqjen e emrit të këtij operatori ekonomik nga lista e operatorëve ekonomikë të përjashtuar nga e drejta për të fituar kontrata publike, që publikohet në Buletinin e Njoftimeve Publike, si dhe në faqen zyrtare të APP. “Ky vendim qëndron në fuqi deri në marrjen e një vendimi përfundimtar” thuhet në dokument.

Firma në fjalë, REJ, sipas hulumtimeve të redaksisë sonë rezulton se ka përfituar të paktën 40 milionë euro tendera publikë, nga Shkodra, Tiranë, Elbasani, Pograeci, Korça e shumë qytete të tjera. Lidhjet e Gilbertit, Eduartit apo edhe të vetë Luanit kanë sjellë që kompania të fitojë lehtësisht tendera, ndërkohë që lidhja më e dyshimtë ka qenë ajo me ish-kreun e KPP-së, Jonaid Myzyrin.

Duke pasur këtë të kaluar tepër të dyshimtë dhe ndoshta për të humbur gjurmën, pronari me letra i kësaj kompanie, Luan Kapri, bëri edhe kalimin e pronësisë te vajza e tij, ndërkohë që në Pogradec, apo edhe në shumë vende të tjera, firma “REJ” lidhet më së shumti me Eduartin, i cili është dënuar nga Gjykata e Posaçme me 2 vite burg, për shkak se i ka dhënë leje firmës së vëllait, GEDI shpk, për të ndërtuar një pallat shumëkatësh në Pogradec, pa pasur një leje ndërtimi.

/voxnews