Emëruar prokuror pa Shkollën e Magjistraturës, me 16 vite në shkelje të ligjit; para karrierës si prokuror, Ols Dado ishte noter në Durrës, i njohur si ‘Çuni i Miltos’, i lidhur me një ‘celulë’ për akte false të babait noter dhe ish-bashkëshortes notere. Ka lëshuar dokumente të falsifikuara për toka, banesa, trashëgimi, makina të vjedhura dhe viza amerikane. Për të janë bërë 5 denoncime, por ish-shefat e prokurorisë i kanë bërë nul.Emërimi i Ols Dados, prokuror me vendim të ish-kryeprokurores Ina Rama dhe dekret të ish-Presidentit Bamir Topi, pa kryer Shkollën e Magjistraturës, është shkelje e rëndë ligjore, për më tepër që pas 16 vitesh ushtrim detyre në shkelje të ligjit, u katapultua prokuror në SPAK.
Por sipas informacioneve dhe një dokumenti zyrtar, Ols Dado ka “njolla” dhe dosje penale për abuzime gjatë aktivitetit të tij si noter në periudhën shtator 2005 – nëntor 2008, me qendër në Durrës e akte noteriale në disa qytete, madje edhe 4 dosje hetimore për shërbime ndaj krimit të organizuar kur ishte prokuror në Tiranë.
Ka të dhëna që prokurori i SPAK-ut, Ols Dado, është kallëzuar dhe hetuar kryesisht për abuzime me dokumente noteriale, por edhe si sekser i babait noter, Milto Dado, dhe ish-bashkëshortes notere, Gentiana Bardhoka, të cilët njiheshin si “celula” e akteve noteriale false në Durrës.

Ata që kanë hetuar aktet noteriale që ka hartuar, firmosur dhe vulosur Ols Dado, kanë konstatuar falsifikime e mashtrime për toka, banesa, transaksione, aksione, dokumenta pensionesh, trashëgimie, vendime komisionesh pronash, certifikata hipoteke dhe dokumente të arkivës së shtetit.
Ka lëshuar akte noteriale për makina kriminelësh të vjedhura, harta false, dokumente arkive false, mbivendosje tokash e shitje apartamentesh nga 2-3 herë, në favor të grabitësve zyrtarë, falsifikatorëve, ndërtuesve, “të fortëve” e mafiozve të huaj në Durrës, Kavajë, Tiranë, Vlorë etj.
Aktet noteriale të hartuara janë denoncuar në polici e prokurori, por janë zbuluar dhe gjatë hetimeve të personave të tjerë, të cilët kishin kryer shërbime noteriale të Ols Dados si noter, ose nëpërmjet tij si sekser të babait noter dhe ish-bashkëshortes notere.

Ai bënte noterizime dokumentesh false e të paligjshme, jo origjinale e fotokopje, që u duheshin grabitësve të tokave, ndërtuesve, kontrabandistëve, biznesmenëve të çdo lloji, falsifikatorëve të kadastrave, bashkive, komisioneve të pronave, arkivës, kriminelëve e emigrantëve e avokatëve pazarxhinj në vitet 1996-2008.
Si adresë zgjidhjeje për akte noteriale në shkelje të ligjit ishte Ols Dado, ose siç quhej “Çuni i Miltos”, në rolin sekser te babai dhe gruaja noterë, ndërsa gjatë viteve 2005-2008 si noter vetë.
Tre pyetje për hetimet ndaj Ols Dados:
· Si dhe nga kush u bënë nul dhe nuk janë regjistruar si dosje hetimet për Ols Dadon; dhe kush ka zhdukur nga Arkiva e Noterëve në Ministrinë e Drejtësisë dosjet e tij të zeza noteriale?
A ka firmosur Ols Dado akte noteriale pas datës 21 nëntor 2008, kur u emërua prokuror në Pogradec, dhe a nuk ka dorëzuar dosje në Arkivën e Noterëve në Ministrinë e Drejtësisë?
· Përse në dosjen e tij për vettingun dhe në dosjen kur u emërua prokuror në SPAK, Ols Dado nuk ka deklaruar aktivitetin si noter në vitet 2005-2008, por si fillim karriere ka deklaruar emërimin më 21 nëntor 2008 si prokuror në Pogradec?
Por ndaj Ols Dados ka pasur dhe 4 kallëzime në prokuroritë Durrës e Tiranë, për të cilat është vendosur mosfillimi i procedimeve penale, megjithëse një prej tyre është për pushimin e çështjes penale ndaj një grupi të strukturuar kriminal që falsifikonte vizat amerikane në Tiranë.
Sipas Sektorit të Arkivës në Prokurorinë e Përgjithshme, me shkresë të datës 14 korrik 2020, bëhet me dije se për Ols Dadon si noter e më pas prokuror në Tiranë gjatë viteve 2006-2018 janë bërë 5 denoncime, por edhe këto janë bërë nul nga ish-shefat e prokurorisë./Pamfleti