Skandal / Genci Tërpo i AKBN-së tender 100 mijë euro për të caktuar ekspert ligjor dhe teknik për marrëveshjet hidrokarbure

Kryesore

Publikuar: 26/06/2026

Skandal / Genci Tërpo i AKBN-së tender 100 mijë euro për të caktuar ekspert ligjor dhe teknik për marrëveshjet hidrokarbure

Marrëveshjet hidrokarbure kanë qenë një nga gangrenat më të mëdha të Shqipërisë postkomniste, ku privatët që vunë dorë në fushat me naftë e gaz, janë pasuruar në kurriz të vetë shtetit, madje duke bashkëpunuar me burokratët e zyrave duke ndarë gjithçka. Disa marrëveshje kanë sjellë dosje të mëdha penale, ku më e fundit është afera Bankers, kompania që ka marrë me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos – Marinëz.

Dosje penale ka pasur edhe në të kaluarën, që nga tentativa për të privatizuar kompaninë shtetërore të naftës, Albpetrol, e deri te firmat guackë dhe fantazmë që morën në administrim fushat në Vlorë dhe Fier. Një histori aspak e lavdishme, ku shqiptarët kanë parë dita-ditës që t’u vidhet pasuria e tyre ditën për diell, ku firmat pasi zhvasin nëntokën nuk paguajnë asnjë taksë, detyrim doganor apo rentë minerare, madje as punëtorët.

Të gjitha pa përjashtim ngrenë një strukturë të mirëfilltë kriminale, me disa kompani nënkontraktore, tip kërpudha, që menaxhohen totalisht nga pronarët e mëdhenj. Rasti i Bankers solli pikërisht këtë dyshim, ku pas goditjes nga Prokuroria e Fierit dhe më pas nga SPAK-u, disa kompani nënkontraktore filluan që të mos paguanin punëtorët.

Shtet burokratësh - Bën tender 100 mijë euro për të

Faksimile: Tenderi i hapur nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore për të caktuar një ekspert privat

Por, çfarë bën ky shteti jon i përbërë nga burokratë dhe arrogant? Në vend që të vendosin pikat mbi i, ata bëjnë letra dhe shkresa të kota, duke zvarritur procese që duhet të ishin mbyllur kohë më parë. Në “lojë” janë dhjetëra për të mos thënë qindra miliona euro, ku vetëm zvarritja dhe mos marrja e vendimeve, sjell një përfitim tepër të madh dhe kolosal për firmat koncesionare.

Megjithëse skandalet kapin njëra tjetrën sidomos në fushat naftëmbajtëse, institucionet kontrolluese e madje ato ligjzbatuese, vijojnë të bëjnë vetëm letra, ku njëra hedh e tjetra pret, njëra arreston e tjetra liron, një institucion vendos gjobë të majmë dhe një zyrtar as nuk e merr mundimin që t’a vjelë. Dhe në gjithë këtë situatë, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i fut një tender të ri.

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, objekti i procedurës së prokurimit është “përzgjedhje eksperti ligjor dhe teknik për marrëveshjet hidrokarbure”. Fondi limit i kësaj procedure është plot 100 mijë euro. Hapja e një tenderi të tillë ka dy anë, ose këta burokratë nuk duan që të marrin vendime me emrin dhe firmën e tyre, ose janë të paaftë. Ndoshta të paaftë nuk janë, pasi edhe një person me njohuri minimale do të ruajë menderen e vetë, ose ato që ka toleruar dhe ndoshta vjedhur.

Ndaj dyshimet janë se kjo Agjenci veçse po zvarrit dhe venit të gjithë procedurën, ku eksperti do të vendosë se cila marrëveshje është e mirë dhe cila jo. Më pas, këto shkresa do të kalojnë te këshillat e kota të institucioneve, nga njëra zyrë në tjetrën, nga agjencia në ministri e kështu do të jetë harruar edhe skandali i radhës.

Në letra AKBN shkruan se kërkohet një shërbim profesional për industrinë e naftës. Por, ata qindra punonjës në atë agjenci, çfarë bëjnë? Çfarë analizojnë dhe çfarë vendosin? Duket se zyrat e shtetit janë kthyer veçse në një magazinë të madhe të letrave, ku secili mundohet të zvarrisë procese, kjo në kurriz dhe dëm të taksapaguesve dhe ndoshta në interes të tyre. Por, deri sa do të zgjasë?!

/voxnews