Sërish përplasje në Aeroportin e Vlorës! Punonjësit e “2A Group” bllokojnë hyrjen për “Mabco”

Aktualitet

Publikuar: 24/06/2026

Sërish përplasje në Aeroportin e Vlorës! Punonjësit e “2A Group” bllokojnë hyrjen për “Mabco”

Në kantierin e Aeroportit të Vlorës janë rikthyer sërish përplasjet mes punonjësve të dy kompanive që pretendojnë administrimin e projektit.

Të hënën ishin punonjësit e “Mabco” të Behgjet Pacollit që hynë me forcë në këtë kantier, duke deklaruar se po zbatonin vendimin e Gjykatës së Lartë. Por këtë të mërkurë, hyrja u bllokua nga kamionë të vendosur nga kompania “2A Group” e Valon Ademit.

Ndërsa kanë mbërritur edhe forcat e policisë për të qetësuar situatën, ato nuk ndërhynë, por vetëm u njohën me pretendimet e palëve.

Konflikti për pronësinë e Aeroportit të Vlorës u zgjidh nga vendimi i dhënë nga Gjykata e Lartë në favor të kompanisë “Mabco”. Por përplasjet dhe bllokimet mes dy kompanive kanë ndikuar që të shkelen edhe afatet e përcaktuara në kontratën koncesionare për realizimin e këtij projekti.

Në fund të muajit maj, Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës u la 30 ditë afat kompanive që të zgjidhnin mosmarrëveshjet, pasi shkelja e mëtejshme e afateve do të çonte në penalitete deri në prishje të kontratës. Për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kanë mbetur edhe pesë ditë afat.