Vrasja dhe zhdukja e Eglant Koçit, çfarë e tradhtoi Armand Shakajn?

Aktualitet

Publikuar: 19/06/2026

Vrasja dhe zhdukja e Eglant Koçit, çfarë e tradhtoi Armand Shakajn?

Pasi më 4 qershor ekzekutoi Eglant Koçin me plumb në kokë në lokalin dhe zyrat e tij pranë shkollës “Ismail Qemali” në Tiranë, Armand Shakaj të nesërmën më 5 qershor realizoi zhdukjen e trupit, duke përdorur një plan të mirëmenduar në detaje si një vrasës gjakftohtë.

Ai futi trupin e pajetë të Koçit, në makinë e tij tip “Porche”, të cilën e dërgoi me karrotrec deri në fshatin Ibë, me qëllim humbjen e gjurmëve. Shakaj i tha drejtuesit të karrotrecit se makinë po e dërgonte në servis.

Më pas ai ka udhëtuar nga Iba në drejtim të fshatit Cërrujë, zonë të cilën e njihte shumë mirë pasi e frekuentonte shpesh për të bërë relli me motora. Këtë e tregon edhe itinnerari i rrugës që ka ndjekur, pasi ka ecur nëpër rrugë që vetëm banorë të zonës e njohin.

Shakaj ka përdorur rrugën për në fshatin Mollagjesh, pas ka vijuar në Funar dhe më tej është futur në pyll në një terren malor për të shkuar në Cërrojë.

Armand Shakajn nuk e ndaloi as terreni i vështirë malor, zona e pyllëzuar dhe e thepisur për të shkuar në destinacionin final, për të zhdukur trupin e mikut të tij Eglant Koçi. Shakaj ushëtoi për tre orë e 30 minuta në një zonë të vështirë malore për të shkuar në Majën e Korrës.

Një rrugë e cila kërkon ta njohësh mirë për shkak të vështirësive që të krijon terreni i pyllëzuar, por Armand Shakaj e çoi planin e tij kriminal deri në fund, duke shkuar më makinë deri në pikën më të lartë, në Majën e Korrës.

Aty më pas ka nxjerrë nga makina trupin e pajetë të të riut duke e hedhur në pyll, në një zonë ku ishte i bindur se nuk do të gjendej kurrë.  “Pas shpinës time ndodhet humnera, ku 41-vjeçari Armand Shakaj hodhi trupin e mikut të tij, Eglant Koçi.”

Ekspertët e kriminologjisë thonë se nuk ka krim perfekt dhe se një gjurmë do të mbesë gjithmonë vlen në këtë rast.

Shakajn e tradhëtoi telefoni i tij celular, pasi edhe pse e kishte hedhur më pas, policia nëpërmjet IMSI Chatcher, arriti të zbulonte ku kishte pulsuar për herë të fundit.

Po ashtu, hetuesit siguruan informacione në rrugë operative se makina e Shakajt ishte parë nga barinjtë e zonës të kalonte në fshatrat Mollagjesh, Funar dhe Cërrojë.

Për këtë arsye kërkimet u fokusuan në këtë zonë. Për rreth 10 ditë policia ka qëndruar në këto fshatrat duke kryer kontrolle të shumta nga toka dhe ajri, deri në momentin kur droni pikasi një trup në Majën e Korrës, i cili i përkiste Eglant Koçit.

Pasi hodhi trupi e Koçit, Shakaj ka ndjekur një tjetër itinerar për t’u larguar, ndryshe nga erdhi, ai u largua nëpërmjet fshati Funar në drejtim të fshatrave Bixëlle, Balëz dhe Bradashesh dhe më pas në Tiranë.

Pasi mbërriti në Tiranë, për ironi të fatit, ai u thirr të merrej në pyetje nga komisariati nr.2 pasi pas kqyrjes së tabulateve telefonike të numrit të Eglant Koçit, rezultonte se Shakaj ishte personi i fundit që kishte komunikuar.

Kur u mor në pyetje Shakaj dha dëshmi të rreme duke deklaruar se nuk kishte dijeni për mikun e tij. Madje pasi ka dalë nga policia ai është ndeshur në rrugë me shokët dhe familjarët e Eglant Koçit, të cilëve i ka thënë se kishin pyetur nëse kishte dijeni dhe se ishte shumë i shqetësuar dhe se kur Eglanti të kthehej në shtëpi, t’i thonin që ta telefononte pasi ishte bërë merak.

Dy ditë më vonë policia pas hetimeve intensive zbuloi se Shakaj që “ishte bërë merak” për mikun e tij, ishte edhe autori i vrasjes dhe zhdukjes së trupit.(A2)