Meta ‘sfidon’ SPAK-un: Do të thërrasim edhe ne 100 dëshmitarë, mes tyre diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, do të kërkojmë edhe dëshminë e McGonigal

Politikë

Publikuar: 19/06/2026

Meta ‘sfidon’ SPAK-un: Do të thërrasim edhe ne 100 dëshmitarë, mes tyre diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, do të kërkojmë edhe dëshminë e McGonigal

Një ditë pasi SPAK kërkoi në GJKKO thirrjen e mbi 30 dëshmitarëve në procesin ndaj Ilir Metës, mes tyre Ardian Shatku, Petrit Vasili, Luan Rama, Nasip Naço, Vangjel Tavo, Baton Haxhiu, Damian Gjiknuri dhe Bashkim Ulaj, kreu i Partisë së Lirisë ka reaguar duke paralajmëruar një listë edhe më të gjatë dëshmitarësh nga ana e mbrojtjes.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta deklaroi se “koha e deduksioneve mbaroi” dhe se tashmë është momenti për hetime që, sipas tij, nuk janë bërë prej tetë vitesh.

Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit”, shkruan Meta.

Ai thotë se mbrojtja do të kërkojë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë. Sipas Metës, në listë do të përfshihen edhe përfaqësues të kompanive lobuese që kanë pasur kontrata me LSI-në.

“Koha e deduksioneve mbaroi, gati për të bërë hetimet që nuk ndodhën për 8 vjet. Mirëpresim rreth 100 dëshmitarët e thirrur nga Prokuroria e Posaçme dhe veçanërisht tre super-kallëzuesit. Edhe ne do të kërkojmë rreth 100 dëshmitarë të tjerë, nga të cilët rreth 40 shtetas të huaj, kryesisht qytetarë, diplomatë dhe zyrtarë amerikanë, përfshirë të gjithë përfaqësuesit e kompanive lobuese që kanë bërë kontrata me LSI. Ftesë të veçantë do të ketë për të gjithë aksionerët dhe drejtorët e DIA-s së Uashingtonit, si edhe për drejtuesit e McKeon Group, përfshi edhe avokatin greko-amerikan Fidetzis. Për shkak të pamundësisë së Charles McGonigal për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, i cili po bën burg në SHBA për Edi Ramën dhe po vuan për dëmin katastrofik që u bëri marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, do t’i drejtojmë edhe atij përmes gjykatës një sërë pyetjesh përmes letërporosive” shkruhej në postimin e Metës në Facebook

Reagimi vjen pasi në seancën e kësaj jave, SPAK paraqiti qëndrimin e vet për çështjen e lobimit të LSI-së në SHBA dhe kërkoi dëgjimin e dhjetëra dëshmitarëve në proces. Prokuroria parashtroi pretendimet lidhur me kontratat e lobimit dhe pagesat e kryera ndaj kompanisë DSIS, një nga episodet që përfshihet në dosjen ndaj Metës.

Meta njoftoi gjithashtu se do të kërkojë dëshminë e aksionerëve dhe drejtuesve të DIA në Uashington, si edhe të drejtuesve të McKeon Group, përfshirë avokatin greko-amerikan Fidetzis.

Në postimin e tij, ai përmendi edhe ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal, duke thënë se për shkak të pamundësisë së tij për t’u paraqitur personalisht në gjykatë, do t’i drejtohen me pyetje përmes letërporosive.

Ilir Meta ndodhet në burg prej datës 21 tetor 2024, kur u arrestua me urdhër të SPAK-ut. 

Ai po mbahet në paraburgim në  pritje të përfundimit të procesit gjyqësor lidhur me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Çështja e tij vazhdon të jetë në shqyrtim nga Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO). 

/shqiptarja.com