Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar pas vendimit të deputetes Marjana Koçeku për t’u larguar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
Në një postim në “Facebook”, Ndreu thotë se Koçeku, të cilën e cilëson si mike të tij, do të fisnikërohej nëse do të hiqte dorë nga mandati i marrë falë votës së mijëra socialistëve shkodranë.
Sipas tij, largimi nga një forcë politike apo ndryshimi i qëndrimit është diçka normale, por mandati i marrë përmes besimit politik të PS-së nuk duhet të keqpërdoret.
“Malësorët, e as neomalësorët, nuk kanë shitur e as blerë kurrë atë që u është dhënë me mirëbesim dhe respekt.
Kushdo, në kushte e rrethana të tjera, mund të ndryshojë mendim apo ide, mund të mos e gjejë më veten ose të mos përputhet me një forcë politike. Kjo është krejt normale.
Por nderi i caktimit në krye të listës politike të qarkut më të madh në veri, pa asnjë kontribut politik të mëparshëm, moralisht nuk duhet të keqpërdoret.
Heqja dorë nga mandati i marrë në sajë të votës së mijëra socialistëve shkodranë do të ishte një akt që do ta fisnikëronte miken time, Marjana Koçeku.
Kjo nuk është dramë për PS-në, por është shkelje besimi, për sa kohë që keqpërdoret mandati i dhënë politikisht nga PS.
Përtej ekzaltimeve të disave që besojnë se u shemb bota, duhet të mbizotërojë morali i malësorit, aty ku ha bukë, nuk përmbys kupën”, shkruan Pjerin Ndreu.