Kreu i PD-së, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale është ndalur edhe te sloganet kundër tij që janë dëgjuar në protestat e fundit në Tiranë. Ai është shprehur se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehen lirshëm, por ka akuzuar si “manipulues” ata që, sipas tij, nxisin thirrje kundër tij dhe opozitës.
Berisha u ka bërë thirrje mbështetësve të injorojnë këto slogane, duke i quajtur “mjeranë” ata që i përdorin, ndërsa ka këmbëngulur se protesta është qytetare dhe mbi partitë politike. Në të njëjtën kohë, ai ka theksuar se këto thirrje nuk duhet të shpërqendrojnë nga “qëllimi kryesor” i protestës, duke e konsideruar atë si një nga lëvizjet më të mëdha që nga vitet ’90.
“Çdo demokrat dhe demokrate , vendin e ka në atë protestë. Nëse themi që është protesta më qytetare, është protestë jashtë partive politike. Janë qindra-mijëra qytetarë që ngrihen për të drejtën e tyre. Sa i përket sloganeve kundër nesh… Qytetarët janë të lirë të thonë sloganin që duan. Por, ata që përpiqen t’i manipulojnë, janë më mjeranët. Injoroni dhe mos tentoni me asgjë, të mos keni asnjë impersion nga ato slogane. Nuk duhet që gjethet të na pengojnë për të parë trungun. Është lëvizja më qytetare që kemi pasur që nga vitet ’90 deri më sot. Fizikisht unë nuk jam aty dhe s’është vendi im aty fizikisht sepse është protestë qytetare. Kam porositur prerazi gjithë anëtarët, drejtuesit e PD që në atë shesh do të jenë vetëm si qytetarë. Prania ime aty dëmton, me vetëdije jua them, fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare. Mua më mbetet ta respektoj atë”, u shpreh Berisha.
Për vendimin e përjashtimit të ndalimit të hyrjes në SHBA (që sërish nuk e artikulon të jetë heqje e ‘non gratës’), Berisha thotë vetëm se “do të shkojë në SHBA” për të takuar miqtë, në një moment të përshtatshëm.