SPAK konfirmon takimin e famshëm të Arubës, morën pjesë mafiozë dhe zyrtarë të lartë

Kryesore

Publikuar: 12/06/2026

SPAK konfirmon takimin e famshëm të Arubës, morën pjesë mafiozë dhe zyrtarë të lartë

SPAK ka konfirmuar takimin e famshëm të Arbuas, për të cilin ka pasur shumë mister.

Sipas SPAK, personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti etj, kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë.

Dosja nuk zbulon identitetin e këtyre zyrtarëve, por sipas SPAK, këto kontakte janë pjesë e skemës së dyshuar për transformimin e parave të trafikut të drogës në investime në prona dhe projekte ndërtimi në Shqipëri.

“Nga tërësia e veprimeve noteriale dhe komunikime të kryera rezulton se personat nën hetim Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti janë përfshirë në kryerje të veprimeve fillimisht për të zhvilluar pronën, më pas në veprime juridike të maskuara me dhurim me qëllim që me lidhjet e tyre të mund të nxirrnin leje ndërtimi.

Për këtë fakt rezultuar të dhënave të dërguara nga autoritetet spanjolle dhe ato belge, personat nën hetim kanë kryer edhe takime me njëri-tjetrin jashtë shtetit në Spanjë dhe në Aruba, ndërsa ata kanë komunikuar edhe në lidhje me takime me funksionarë të lartë shtetërorë.

Nxjerrja e lejes së ndërtimit duket se është penguar nga sekuestrimi që është bërë për pjesën ideale që subjekti Denis Matoshi kishte përftuar me anë të dhurimit, kërkesë e cila ishte dërguar për konfiskim, si dhe fakti që nuk është arritur të revokohej kontrata e lidhur më parë, si dhe pavarësisht këtyre fakteve, grupi kriminal nëpërmjet personit nën hetim Adrian Rama, ndjekin veprimet e kryera edhe në kuadër të ndërtimit të Shkollës së Biçikletave dhe sipas komunikimeve që ai kryen ai për zhvillimin e saj është në pritje të planeve të zhvillimit” thuhet në dosje.

Kjo është hera e parë që SPAK konfirmon takimin e Arubës. Më herët gazetari investigativ italian Nello Trocchia i kushton një kapitull të tërë takimit të zhvilluar në ishullin Aruba në janar të vitit 2019, të cilin e përshkruan si një nga episodet më misterioze dhe më domethënëse të marrëdhënieve mes biznesit, krimit të organizuar dhe politikës shqiptare.

Duke iu referuar dokumenteve hetimore italiane, belge dhe gjermane, Trocchia shkruan se nga 24 deri më 31 janar 2019 në ishullin karaibik të Arubës u mblodhën disa nga figurat kryesore të rrjetit që po hetohej për trafik ndërkombëtar droge dhe investime në pasuri të paluajtshme. Sipas tij, mes të pranishmëve ishte edhe Artur Shehu, të cilin ai e përshkruan si “Perandorin”, figurën qendrore të një sistemi që shtrihet nga trafiku i emigrantëve në vitet ’90 deri tek investimet multimilionëshe në Shqipërinë e sotme.

/voxnews