Deputetët dhe bankierët kryesojnë, arrihet objektivi i qeverisë për “pagë mesatare 900 euro”

Ekonomi

Publikuar: 10/06/2026

Deputetët dhe bankierët kryesojnë, arrihet objektivi i qeverisë për “pagë mesatare 900 euro”

Paga mesatare bruto në vend në tremujorin e parë të vitit arriti në 90 mijë e 119 lekë. Krahasuar me fund-vitin e shkuar paga mesatare u rrit me 3 mijë e 135 lekë, ndërsa në raport me 3-mujorin e parë të vitit të shkuar ajo u zgjerua me 7 mijë e 909 lekë.

Por teksa në dukje qeveria ka arritur objektivin për “pagë mesatare 900 euro”, pas heqjes së sigurimeve dhe aplikimit të tatimit, ajo që mesatarisht një qytetar shqiptar merr në xhep është vetëm 72 mijë lekë.

“Ajo që po ndodh është kjo: Nga njëra anë ne kemi qeverinë që bën shumë zhurmë për rritjen e pagave dhe pjesën më të madhe të shoqërisë që ndjen pak efekte. Rritja e pagës mesatare në këto nivele është hiçgjë. Do ta përmblidhja si “shumë zhurmë për hiçgjë”, thote per A2 CNN Klajdi Bregu, ekspert për ekonominë.

Rritja e pagës mesatare po shoqërohet me thellim të hendekut mes aty që marrin rroga të ulëta dhe të larta. Një në tre shqiptarë të punësuar, rezulton që të marrë një pagë minimale deri në 50 mijë lekë, Pjesa dërrmues e qytetarëve marrin rroga që variojnë nga 60 mijë deri në 120 mijë lekë bruto, ndërsa 27.7 për qind paguhen mbi këtë kufi.

“Hendeqet ndërkohë janë thelluar edhe mes asaj që të punësuarit marrin në profesione të ndryshme. Sipas INSTAT punonjësit e bankave dhe ata të kompanive të sigurimit patën pagën mesatare më të lartë në harkun e muajve janar-mars me gati 134 mijë lekë, ndjekur nga të kualifikuarit në teknologji-informacioni me 110 mijë e 364 lekë”, thekson Bregu.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se profesionet më të paguara rezultojnë menaxherët, deputetët, drejtorët dhe specialistët me arsim të lartë. E kundërta ndodh e sektorët e punësimit masiv si industria apo bujqësia.

“Rritja ka ardhur kryesisht si pasojë e politikës së ndërmarrë nga qeveria për të rritur pagat me qëllim frenimin e emigrimit. Gjithashtu sot tregu i punës po vuaj për punonjës ndaj rriten pagat. Po këto hendeqe veç shtetit dhe privatit nuk i bëjnë mirë tregut”, thekson Emian Muçaj, eksperte e punësimit.

Me gjithë retorikën e madhe për rrite pagash, një shqiptar pavarësisht nëse është rrogëtar në shtet apo privat, merr mesatarisht 3.6 euro në orë. Një orë punë në Shqipëri vlerësohet më pak se në çdo vend tjetër të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës.