“Ajatallohët i bashkohen zyrtarisht protestës”, Rama replika me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane: S’marrim leksione nga një regjim që shtyp popullin e vet

Aktualitet

Publikuar: 10/06/2026

“Ajatallohët i bashkohen zyrtarisht protestës”, Rama replika me zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme iraniane: S’marrim leksione nga një regjim që shtyp popullin e vet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, i cili komentoi protestën e zhvilluar në zonën e Zvërnecit kundër ndërtimit të një resorti turistik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se “edhe qeveria e ajatollahëve të Teheranit i është bashkuar zyrtarisht protestës”, duke akuzuar aktorë të ndryshëm politikë dhe mediatikë se po përpiqen ta shndërrojnë një protestë mjedisore në një lëvizje politike për rrëzimin e qeverisë.

“Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurrentët tanë”, shkroi Rama.

Në përgjigjen e tij ndaj Baqaeit, Rama kritikoi ashpër regjimin iranian, duke e akuzuar për censurë, shtypje të lirive dhe sulme kibernetike ndaj Shqipërisë.

“Do të ishte shumë më bindëse sikur shqetësimi juaj për inteligjencën e popullit shqiptar të vinte nga përfaqësues të një regjimi që nuk i godet qytetarët e vet përditë me censurë, frikësim, ndërprerje të internetit dhe shtypje të mendimit ndryshe”, shkroi Rama.

Ai kujtoi gjithashtu sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, për të cilat Tirana zyrtare ka akuzuar Teheranin, duke theksuar se Shqipëria nuk merr leksione për sovranitetin nga një qeveri, operativët e së cilës u kapën duke kryer sulme ndaj sistemeve publike shqiptare.

Rama vlerësoi protestat si shprehje të demokracisë, duke nënvizuar se në Shqipëri qytetarët janë të lirë të protestojnë, të kritikojnë qeverinë dhe të kërkojnë zgjedhje e drejtësi pa frikën e burgosjes.

Populli shqiptar është mjaft inteligjent për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. Pikërisht për këtë arsye ata dinë të bëjnë dallimin mes një argumenti demokratik dhe propagandës”, u shpreh ai.