Një drejtor pranë një banke të nivelit të dytë në Shqipëri, e skeduar dhe ndëshkuar për pastrimin e parave të oligarkëve rusë, rezulton një prej organizatorëve të protestave në bulevard, të cilat nisën për një episod dhune në Zvërnec, duke u kthyer më pas në protesta politike dhe kundër qeverisë Rama. Bëhet fjalë për Lizandër Saraçin, një nga organizatorët në hije të protestave përnatshme para Kryeministrisë, përmes një sistemi të fshehtë koordinimi, taktikave dhe planifikimeve me natyrë sekrete.

I shfaqur herë si ekspert i tregjeve financiare, herë si matematicien, herë si aktivist i Vetëvendosjes dhe herë si anëtar nëpër kryesi të partive të ndryshme, Saraçi është Drejtor i Menaxhimit të Rrezikut pranë Raiffeisen Bank, një nga lavatriçet kryesore të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, qarkullimit të parave të Bankersit në Austri dhe pastrimit të parave të rrethit të Putinit në Moskë. I monitoruar më herët nga strukturat ligjzbatuese për lidhje të mundshme me shërbimet jo partnere, Saraçi dyshohet se qarkullon fonde të errëta të akorduara për sistemin e organizimit të protestave, për të cilat ka një interes të ushtuar edhe nga vende jo miqësore.

Lizandër Saraçi dyshohet gjithashtu për rol kyç në operacionet e pastrimit të parave të trafiqeve, krimit dhe korrupsonit në Raiffeisen Bank. Ndërkaq, dy raporte të Fondacionit Hermitage dhe Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit akuzojnë Raiffeisen Bank për transaksione të paligjshme me qëllim pastrimin e parave me origjinë nga Rusia.
Raiffeisen Bank në Shqipëri del gjithashtu në disa dosje të SPAK për sekuestrimin e pasurive të subjekteve të ligjit anti-mafia si dhe në dosjet e korrupsionit, duke mbuluar pastrimin e parave të biznesmenëve të dyshimtë dhe pushtetarëve të korruptuar. Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave e ka gjobitur disa herë Raiffeisen Bank pasi nuk ka raportuar transfertat e dyshimta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkaq, hetimet e SPAK dhe Prokurorisë së Fierit kanë treguar se Banka Raiffeisen në Tiranë fshehu paratë e Bankers Petroleum përmes një manovre tinëzare me qëllim që qeveria dhe kreditorët e tjerë privatë të mos mblidhnin dot detyrimet e papaguara të kompanisë kineze.
Për shkak të borxheve të mëdha, Bankers Petroleum praktikisht nuk mund të përdorte dot asnjë llogari për të bërë pagesa në Shqipëri, pasi paratë do të sekuestroheshin menjëherë si nga tatimet apo dhe nga subjektet e tjera, ndaj të cilave Bankers ka detyrime të papaguara.
Por teksa shteti dhe përmbaruesit xhironin më kot me vendimet e gjykatave dhe urdhrat e ekzekutimit në duar, Bankers dhe Raiffeisen ngritën një skemë të sofistikuar për të fshehur paratë e kompanisë kineze. Gjithçka u bë përmes një overdrafti që Raiffeisen hapi për kompaninë Bankers.
Bankers përdorte overdraftin e Raiffeisen për të kryer pagesat në Shqipëri dhe pasi harxhonte një sasi të caktuar parash nga ky overdraft i zëvendësonte ato duke transferuar para nga llogaria e saj në Vienë, por gjithmonë duke u kujdesur që overdrafti të mos kalonte asnjëherë në shifër pozitive. Dhe limiti i overdraftit ishte 9 milionë dollarë, çka i lejonte bankers të bënte pagesa lirshëm pa patur frikën se mos do të sekuestroheshin nga Tatimet apo kreditorët e tjerë.
Manovra e Raiffeisen me Bankers me overdraftin ka vazhduar për një kohë të gjatë, edhe pasi u zbulua. Vetëm pak kohë më parë, banka e mbylli overdraftin pasi shpërtheu dhe çështja e gjobës së famshme 120 milionë euro të doganave.
Ndërkaq, në kryeqytetin austriak, në njërën nga degët e shumta të Bankës Raiffeisen atje, është hapur një llogari bankare nga kompania Bankers Petroleum Albania, e cila devijon dhe pastron qindra milionë euro përmes një skeme kriminale mashtrimi të shtetit shqiptar dhe zhvatje të pasurisë nëntokësore të Shqipërisë.