Si të bësh një protestë të suksesshme. Çdo revulucion ka nisur nga një ofendim i tepërt. Çfarë mund të mësojnë protestuesit shqiptarë nga Pranvera Arabe dhe nga lëvizje të tjera proteste në botë?

Kryesore

Publikuar: 05/06/2026

Si të bësh një protestë të suksesshme. Çdo revulucion ka nisur nga një ofendim i tepërt. Çfarë mund të mësojnë protestuesit shqiptarë nga Pranvera Arabe dhe nga lëvizje të tjera proteste në botë?

Nga Silvana Toska

Të gjithë revolucionet e mëdha fillojnë me një ofendim të tepërt. Pavarësisht shumësisë së arsyeve bazë të revolucioneve, shkëndija e tyre është shpesh një ofendim më shumë – një ngjarje që mobilizon emocionet e popullsisë, pasi ky ofendim funksionon si fija e kashtës që i theu kurrizin devesë. Revolucionet europiane të vitit 1848 filluan pasi një ushtar austriak qëlloi me shuplakë një shtetas italian, çka shkaktoi një betejë në rrugë, e cila nxiti protesta në mbarë Italinë e më pas mbarë Europën. Revolucionet arabe të viteve 1919 filluan me arrestimin e një intelektuali në Kajro. Shkëndija e revolucionit iranian ishte vrasja e një biznesmeni i cili protestoi për korrupsionin dhe pamundësitë ekonomike. Ajo e “pranverës arabe” – që unë studioj më në detaj – ishte vetë-flijimi i një shitësi ambulant në Tunizi. Për protestat në Shqipëri, shkëndija ishin dhunimi i protestuesve paqësorë dhe intervista ofenduese e Ivanka Trump e cila zbuloi ishullin e Sazanit si Kristofor Kolombi Amerikën, dhe e bëri të vetën si i pazot që ishte.

Sigurisht, problemet bazë njihen mirë – korrupsioni i thellë dhe kapja e shtetit nga oligarkët e lidhur me qeverinë Rama – dhe nuk mund të injorojmë punën e madhe të ambjentalistëve që kanë kohë që bëjnë luftën e tyre kundër shkatërrimit konstant të ambjentit, por këto shkëndija janë të nevojshme për të transformuar zhgënjimin dhe indinjimin nga personal në kolektiv. Por protestat vështirë fillojnë, vështirë vazhdojnë, dhe vështirë fitojnë. Megjithatë, e kemi idenë se çfarë mund t’i bëjë ato më të suksesshme, dhe pjesa më poshte është një listë e këtyre faktorëve.

Si studiuese e shkencave politike me një interes të fortë historik, puna ime nuk janë parashikimet por shpjegimet. Megjithatë, disa faktorë të përbashkët janë përgjithësisht të rëndësishëm për sukses dhe, duke marrë parasysh se Shqipëria në gjysëm-autoritarizëm i ka kushtet akoma më të volitshme për sukses se protestat në vendet diktatoriale në Lindjen e Mesme të cilat unë studioj, ky është një fakt që duhet t’u japë shpresë protestueve në shesh.

  1. Strukturat Organizative

Kjo është e para dhe gjendet në çdo lëvizje kontestuese apo revolucion. Kjo nuk do të thotë se duhet patjetër që protestat të kenë një lidership të caktuar, por një organizim, qoftë edhe horizontal, është i volitshëm. Edhe protestat në Lindjen e Mesme që u konsideruan fillimisht si pa lidership, në realitet nuk ishin ashtu. Grupe studentësh në Tunizi, Egjipt, apo Jemen kishin vite që ishin organizuar me grupin Otpor të Serbisë, grup i cili ishte vendimtar në rrëzimin e Milosheviçit, për të mësuar taktikat e protestës. Kur filluan protestat në Tunizi, këto grupe u mblodhën fshehurazi, krijuan faqe online ku përhapnin informacione për krimet e qeverisë, organizoheshin, krijonin pankarta, etj. Taktika më mbresëlënëse që unë zbulova gjatë intervistave me grupin e të rinjve “6 Prill” në Kajro ishte se ata lajmëruan publikisht se protesta do të fillonte në orën 2:30 pasdite por ndërkohë përhapën lajmin nëpërmjet taksistëve , xhamive, dhe shesheve se protestat në fakt do të fillonin në orën 12 të mesditës. Ky avantazh dy orësh e gjeti policinë e papërgatitur, të çoroditur, dhe të paaftë të ndalonte vrullin e tyre.

Situata në Shqipëri nuk është kaq represive dhe nuk ka nevojë për planifikime sekrete të kësaj natyre, por veprimi kolektiv është i vështirë në çdo kontekst, njerëzit janë të preokupuar me punët dhe mbijetesën e tyre, tendenca për të përfituar nga protesta e të tjerëve e gjithëpranishme, prandaj organizimi është i domosdoshëm: në mënyrë që ata të cilët e kanë me dyshim pjesëmarrjen, të mos ndihen të mbi-ekspozuar. Njohuria se do ketë pjesëmarrje të madhe bën të tjerët më të sigurtë në pjesëmarrjen e tyre. Prandaj organizimi nga “veteranët” – protestuesit e parë – është i domosdoshëm.

  1. “Vëllazërimi” (fraternization) me policinë dhe ushtrinë.

Revolucionet fitojnë kur ushtria dhe policia anojnë me protestuesit, ose të paktën nuk ndjekin urdhra për të shtypur protestat. Ky ishte një mësim që nga revolucioni francez në vitin 1789 deri në revolucionin më të fundit në 2014, “revolucioni i dinjitetit” në Ukrainë. Në Shqipëri është shansi që kulti i individit dhe patrimonializmi në ushtri dhe polici nuk janë aq të thella sa në revolucionet historike – prandaj ka mundësi që vëllazërimi të jetë i suksesshëm, edhe duke marrë parasysh veprime të dhunshme të policisë.

Në vend të bërtitjeve (të kuptueshme) ndaj policisë, një taktikë më efikase do ishte të ftoheshin t’i bashkohen protestave. Koleget e mia, Erica Chenoweth dhe Maria Stephan, kanë treguar se protestat e paqta që kthejnë policinë pro çështjes së protestuesve janë shumë herë më të suksesshme. Studimi i tyre është riprodhuar nga studiues të tjerë, me matje të tjera, dhe rezultati përsëri qendron. Një arsye kryesore e suksesit është se kur protestat janë paqësore, sidomos për çështje si kjo jona dhe në sistem politik si yni, është më e mundshme që ato të rriten në numër. Njerëzit në dyshim janë më të gatshëm t’i bashkangjiten protestave paqësore, ndërkohë që dhuna i delegjitimon ato – si për publikun e brendshëm, ashtu dhe për mbështetësit dhe median e huaj. Kjo e fundit është e nevojshme, sidomos kur mediat e brendshme janë të kapura nga sistemi.

Protestat e paqta fillojnë dhe mbarojnë me aftesinë e protestuesve për të sjellë policinë ne rradhët e tyre.

  1. Përhapja gjeografike.

Është taktikisht më e vështire të shtypesh protestat që janë të përhapura në disa vende, se sa një protestë të përqendruar. Sigurisht, ka siguri në numra dhe ka logjikë që një protestë e madhe të përqendrohet në një shesh të caktuar, ashtu si po bëhet te Sheshi Skenderbej apo përpara kryeministrisë. Por nëse vjen momenti ku ka represion policor dhe pengesa për protestë, përhapja gjeografike shpërqendron policinë dhe është një metodë efikase.

Përhapja gjeografike nëpër qytete të tjera krijon edhe një rreth virtuoz: sa më shumë përhapje, aq më shumë protestues, aq më e mundshme që forcat e rendit të refuzojnë urdhra për shtypje të tyre.

  1. Mobilizim emocional.

Mobilizimi emocional është thelbësor për një protestë të suksesshme. Është shumë e lehtë të demoralizohesh dhe të mendosh se asgjë nuk arrihet nëpërmjet protestave (megjithëse shpresoj se ky fakt nga studimi im është inkurajues: nëse protestat arrijnë një masë të caktuar të 4% të popullsisë dhe janë të përhapura gjeografikisht, ato arrijnë qëllimet e tyre në mbi 70% të rasteve).

Një javë përpara se Hosni Mubarak të rrëzohej në Egjipt, protestat në Kajro (si dhe në Jemen) po humbnin forcën. Intervistat e mia me shumë protestues nxjerrin qartë se protestuesit menduan se qeveria tashmë kishte fituar: edhe sit-ins (pushtimi i sheshit kryesor nga protestuesit) nuk arritën qëllimet e tyre. Por një fakt i papritur riktheu moralin. Një protestues, Wael Ghonim, i cili u arrestua për organizim të protestave në Facebook në ditën e parë të tyre, u lirua nga burgu. Duke qënë se ai ishte në izolim, nuk e kishte idenë se çfarë kishte ndodhur gjatë 20 ditëve të burgimit. Në momentin e daljes nga burgu, ai intervistohet dhe në intervistën live i shpjegohet se sa të dhunshme ishin shtypjet e protestave (mbi 800 protestues ishin vrarë deri në atë moment). Indinjimi moral dhe emocional i Ghonim ishte elektrifikues për protestuesit: e ktheu protestën nga një të demoralizuar dhe në shpërndarje e sipër, në një protestë akoma më të madhe dhe të vendosur. Kjo kthesë në Egjipt rriti vendosmërinë e protestave në Jemen, të cilat gjithashtu po zbeheshin. Çdo revolucion varet nga momente të tilla kyçe, po aq sa nga problemet strukturore.

Askush nuk mendon se revolucionet do ia arrijnë qëllimit, derisa kjo gjë ndodh dhe që të arrihet kjo, nuk duhet neglizhuar forca emocionale e eventeve dhe fuqia e tyre në vazhdim të mobilizimit. Nuk flas këtu për një manipulim emocional të popullsisë – kjo është vegël e njohur e diktatorëve – por rikujtimi i fakteve të padrejta ka shans të ri-mobilizojë protestat në momente të paevitueshme zbehjeje apo dyshimi. Do këmbëngulja që këtu duhet të përqendrohen organizatorët e vetëshpallur të protestave.

  1. Arti dhe gëzimi i protestave.

Shoh se “memes” – por edhe një këngë – tashmë janë përhapur nëpër rrjetet sociale. Arti është i domosdoshëm në protestë. Ai është i aftë të delegjitimojë më tepër qeverinë – komedia është antidota e propagandës.

Protestat në Sheshin Tahrir në Egjipt apo në “Sheshin e Ndryshimit” në Jemen, ku kam kaluar shumë muaj ulur në tenda me protestuesit, ishin organizuar gjithmonë me muzikë dhe recitime. Ishin jo thjesht protesta, por festivale: një shuplakë e madhe ndaj çdo argumenti të qeverisë se ato janë përçarëse apo të organizuara nga elementë të jashtëm. Kënga ime e preferuar e revolucionit Egjiptian talli këto kritika të qeverisë dhe i bëri ato të pabesueshme. Vetëkuptohet, gjuhë përçarëse dhe raciste (antisemite apo islamofobe) nuk kanë vend në protestë (apo gjëkundi) dhe mund t’i deligjitimojnë ato.

Rama ka lidhur fatin e tij me ketë projekt që është si macja e Schroedinger – për sa kohë nuk është aspak transparent është dhe final dhe jo, sipas interesit të tij – por kjo e bën të lehtë zgjedhjen për protestuesin. Përderisa ai nuk ndryshon plan për sa kohë është në fuqi, atëherë përgjigjen e ka dhënë vetë.

Çdo gjë nga revolucionet e kaluara më bën të mendoj se situata në Shqipëri është më e lehtë për të arritur sukses, edhe pse do punë kolektive të palodhur dhe shpresë edhe ne momente ku ajo ështe me tepër fe se sa fakt. Fatmirësisht, kulti i personalitetit të Ramës nuk është aq hermetik dhe jo çdo qoshe e shtetit është nën kontroll total të qeverisë. Nëse numrat e protestuesve vazhdojnë të rriten, Rama do ta ketë shumë të vështirë të shohë një strategji daljeje nga situata dhe do detyrohet te ndryshoje rrugë – në minimum, mund të shpëtohet Sazani dhe Zvërneci (në maksimum, mund të shpëtojmë të gjithë.)