“Plumbat e kallashnikovit çanë jelekun antiplumb”, Hita zbardh dinamikën e vrasjes së efektivit; hetim për zinxhirin komandues

Kryesore

Publikuar: 04/06/2026

“Plumbat e kallashnikovit çanë jelekun antiplumb”, Hita zbardh dinamikën e vrasjes së efektivit; hetim për zinxhirin komandues

Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Lozhan të Korçës, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij, Edison Adri.

Gjatë deklaratës së tij, Hita bëri me dije se nuk kishte qenë në dijeni të operacionit që po zhvillohej për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari, i cili rezultonte i dënuar për vepra penale të lidhura me narkotikët.

Lidhur me operacionin, Hita konfirmoi se gjashtë efektivët ishin të pajisur me jelek antiplumb, por s’ka mjaftuar që t’i sigurojë mbrojtje të plotë Mekollit.

“Të gjithë kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori, ka përshkuar tejpërtej edhe antiplumbin”, tha Hita.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, forcat policore kishin lokalizuar Braçellarin në një stan në zonën e Lozhanit dhe i kishin bërë thirrje që të dorëzohej. Megjithatë, ai ka reaguar duke hapur zjarr në drejtim të efektivëve.

“Forcat e policisë kur kanë mbërritur në stanin e tij, ky person, i dënuar në 2017 me 11 vjet burg për veprën penale të prodhimit të narkotikëve, i kanë bërë thirrje policisë dhe të dorëzohej, por ai ka hapur zjarr të menjëhershëm në drejtim të policisë, dhe ka humbur jetën efektiv Enea Mekolli dhe ka mbetur i plagosur një tjetër, Edison Adri, të dy efektivë në FNSH në drejtorinë e Korçës. Ka mbetur i plagosur edhe autori, i cili është arrestuar”, u shpreh më tej Skënder Hita.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Hita tha se në operacion ishin të angazhuar 40 forca policie. Kryepolici shtoi më tej se procedurat po vijojnë që familjarët të përfitojnë nga statusi i dëshmorit të atdheut, si dhe shprehu ngushëllimet për familjarët e të ndjerit.

“Masat janë marrë nga Drejtoria e Policisë Korçë. Nëse do të ishte kërkuar shqyrtimi i gjithë operacioneve, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta.

Punonjësit e policisë të gjithë janë të trajnuar dhe të shkolluar, dhe në këtë rast kanë qenë shërbimet më të specializuara, Shqiponjat dhe shërbimet mbështetëse. Në gjykimin e DVP Korçë, këto kanë qenë strukturat që do të kryenin këtë operacion.

Kanë qenë 40 forca policie, kanë qenë me jelek antiplumb, por arma kallashnikov ka çarë tejpërtej edhe antiplumbin. Të gjithë personat në kërkim, edhe pse autori strehohej në një zonë të thellë, do të marrin të njëjtën përgjigje.

Ka nisur hetimi disiplinor dhe hetimi i Prokurorisë, e do të vendosim më pas për masa ndaj drejtuesve. Është bërë instruktazhi më parë, pasi ky është procedim.

Kjo është humbje për familjet e tyre, por edhe për ne. Duhet të gjejmë forcën për të përballuar këto situata. Për familjarët e dëshmorëve po bëjmë procedurat që të përfitojnë statusin e dëshmorit.” -tha Hita.

Fjala e plotë e kryepolicit Hita:

Sot ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë në Malin Bode, në Maliq, ku gjatë një operacioni policor, humbi jetën, në krye të detyrës, një punonjës policie dhe mbeti i plagosur një punonjës tjetër policie, nga sulmi me armë i një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri shoqërore.

Jam këtu për të ndarë dhimbjen me familjarët e punonjësit shembullor, Enea Mekolli, i cili heroikisht, humbi jetën, dhe për t’i shprehur familjes së Inspektor Edison Adrit, që mbeti i plagosur gjatë operacionit, mbështetjen time dhe të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, për t’i uruar Inspektorit, shërim sa më të shpejtë.
Mëngjesin e sotëm, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, bazuar në informacionet e siguruara për vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë, kanë shkuar në zonën e Lozhanit, në Malin Bode, Bashkia Maliq, për kapjen e këtij shtetasi.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej shtetasi në kërkim, konkretisht Violand Braçellari, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011, i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit, të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë, dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, Inspektor Enea Mekolli, 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur, punonjësi i Policisë, Inspektor Edison Adri, 36 vjeç, të dy punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, gjatë viteve të fundit, ishin organizuar disa operacione policore, nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, me përfshirjen dhe të forcave speciale, por nuk kishin mundur të realizonin kapjen e tij.
Në lidhje me këtë ngjarje shumë të rëndë, kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për të nisur një hetim mbi zbatimin e procedurave standarde të punës për kapjen e shtetasit në kërkim, dhe pse Drejtoria Vendore e Policisë Korçë nuk ka kërkuar ndihmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të vënë në dispozicion Forcat Kombëtare të Sigurisë ose Repartin Special RENEA për të mundësuar kapjen e këtij personi.

Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën, në krye të detyrës, një punonjës policie, dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës policie.
I shpreh ngushëllimet më të sinqerta, familjes së kolegut tonë Enea Mekolli, dhe i uroj shërim sa më të shpejtë, kolegut Edison Adri.

Akti heroik i sotëm përbën motivimin më të lartë për punonjësit e Policisë, për ta vijuar të palëkundur misionin e tyre, si dhe përbën apelin më të fortë për qytetarët për t’i mbështetur dhe vlerësuar më shumë punonjësit e Policisë, sepse janë ata që për sigurinë e qytetareve, janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, edhe më të shtrenjtën dhe më sublimen, jetën, ndërsa për ata që guxojnë të sulmojë punonjësit e Policisë, mesazhi i vetëm është përgjigjja e merituar sipas ligjit.

I garantoj qytetarët, se asnjë ngjarje, sado e rëndë dhe me pasoja, qoftë dhe për jetën e pjesëtarëve të radhëve tona, nuk do ta përkulë kurrë uniformën e Policisë së Shtetit, para krimit.
Gjaku i Eneas, gjaku i Dëshmorëve të Policisë, nuk do të harrohet kurrë. Faleminderit!