‘Budallai hodhi një gurë në lumë’, Rama i përgjigjet Berishës për integritetin e prokurimeve publike: S’ka rënie

Politikë

Publikuar: 12/05/2026

‘Budallai hodhi një gurë në lumë’, Rama i përgjigjet Berishës për integritetin e prokurimeve publike: S’ka rënie

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të Sali Berishës, i cili në konferencën për shtyp deklaroi se integriteti i prokurimeve publike rënë me 14 pikë që kur PD ishte në pushtet.

Rama thotë se “budallai hodhi një gurë në lumë”, ndërsa hedh poshtë akuzat e Berishës duke pyetur “se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre”.

“Hedh budallai i madh një gur në lumë dhe pastaj të vegjëlit bëjnë si të mençur për ta nxjerrë, duke thënë që integriteti i prokurimeve publike në Shqipëri paska shënuar rënie! Po se si e shënoi këtë rënie, kur në fakt Shqipëria u përfshi për herë të parë në portalin europian të matjes së integritetit të prokurimeve për shtetet e Bashkimit Europian, duke dalë më mirë se sa shumë prej tyre, këtë as i madhi e as të vegjlit nuk kanë se si e thonë, sepse budallallëku ka kufi vetëm vetveten.

Rëndësi ka që duan s’duan ata që s’duan, sot Shqipëria vlerësohet ndërkombëtarisht si asnjëherë më parë, edhe në fushën e prokurimeve, ku kemi bërë progres të madh dhe jemi ende në ngjitje, sepse me Diellën në prokurimet publike do të arrijmë brenda këtij mandati, një nivel integriteti e shpejtësie që do të na rendisë në nivelin më të lartë europian, falë Inteligjencës Artificiale”, shkruan Rama.