“Mjaft, kjo nuk është gazetari” – Kryetarja e AMA-s dënon publikimin e videos së aksidentit të Durrësit, reagon ashpër edhe Jorida Tabaku

Aktualitet

Publikuar: 03/05/2026

“Mjaft, kjo nuk është gazetari” – Kryetarja e AMA-s dënon publikimin e videos së aksidentit të Durrësit, reagon ashpër edhe Jorida Tabaku

Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka reaguar ashpër, pas publikimit të videos së aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një i tretë.

Thirrje për gazetarët dhe drejtuesit e mediave! Mjaft! Kjo që po ndodh nuk është gazetari – është abuzim me dhimbjen njerëzore. Nuk është informim kur dhuna, tragjedia dhe fatkeqësia kthehen në uri për klikime.

Të “vrasësh” dhe rivrasësh, të ekspozosh plagë të hapura dhe të ushqesh publikun me ulërima dhimbjeje dhe tronditjen njerëzore, është shkelje e rëndë e etikës dhe e çdo standardi.

Gazetarë dhe drejtues të mediave mbani përgjegjësi! Ju nuk jeni vetëm transmetues lajmesh – jeni formësues të ndërgjegjes publike. Çdo fjalë e papërgjegjshme lëndon, çdo titull i tepruar dëmton, çdo kufi i kaluar rrënon besimin te Ju!

Respektoni dinjitetin! Mbroni viktimat. Ndani informacion, jo traumë. Nëse gazetaria humbet njerëzoren, ajo humbet gjithçka”, shkruan ajo.

Për publikimin e pamjeve të rënda ka reaguar edhe deputetja e PD-së Jorida Tabaku.

Tragjedia në Durrës, me humbjen e dy jetëve të dy fëmijëve të pafajshëm, ka tronditur të gjithë. Një tragjedi që na lëndon të gjithlve. Edhe më mizor është transmetimi pa filtër i pamjeve të aksidentit që u mori jetën. Dhimbja nuk mund të kthehet në spektakël.

I bëj thirrje Autoritetit të Mediave Audiovizive të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar transmetimin e pamjeve të tilla dhe për të garantuar respektimin e etikës në informim. Sepse informimi është detyrim por dinjiteti njerëzor është kufiri që nuk duhet kaluar. Ngushëllime familjeve dhe Zoti pastë mëshirë dhe dashuri për to!“, shkruan Tabaku.