Kreu i PD Sali Berisha ka sulmuar sot televizionin News 24 dhe pronarin e saj Irfan Hysenbelliu, duke i konsideruar si mafie e fjalës së lirë. Berisha akuzoi Irfanin se ka ‘birësuar’ Ervin Salianjin, pretendentin për t’i marrë partinë, me qëllim për t’u rregulluar me Edi Ramën. Sipas Berishës, Irfan Hysenbelliu ka vendosur televizionin në dispozicion të Salianjit dhe Alesia Balliut, dy kandidatëve për kreun e PD-së, por që janë bllokuar nga Berisha dhe familja e tij.
Pas akuzve të Berishës ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili dënon gjuhën e përdorur nga Berisha ndaj mediave, pronarëve të mediave, gazetarëve dhe hapësirës mediatike në tërësi, gjatë komunikimit të tij publik me qytetarët të shtunën. Në reagimin e tij asociacioni i cilëson të papranueshme dhe të dëmshme për klimën e lirisë së shtypit në vend, etiketimet e Berishës si “mafia e fjalës së lirë”, “pronarë mafiozë mediash”, “vrasës të të vërtetave”, “shërbëtorë të përulur” apo çdo formulim tjetër që synon të delegjitimojë median për shkak të linjës editoriale.
Ndërkaq, akuzat e Berishës ndaj Irfan Hysenbelliut dhe mediave të tij vijnë disa ditë pasi Flamur Noka kërcënoi dhe u turfulloi në telefon që nga Irfani, drejtuesve të mediave të tij dhe deri tek gazetarët. Tërbimi i Nokës erdhi pasi mediat e Irfanit publikuan një lajm rreth avokates dhe kandidates për kryetare të Partisë Demokratike, Alesia Balliu, e cila iu dejtuar me një kërkesë Kryesisë së PD-së për të konstatuar mbarimin e mandatit të Sali Berishës si kryetar i partisë, bazuar në të ashtuquajturin ‘Neni Basha’, i futur në statut nga vetë Barisha dhe që parashikon që kryetari që humbet zgjedhjet largohet pa asnjë diskutim dhe nuk ka të drejtë të rikandidojë.
Pas publikimit të këtij lajmi, Flamur Noka i ka telefonuar fillimisht me ton kërcënues Dhurata Çupit, ish deputete e PD-së, administratore e mediave të Hysenbelliut, duke i kërkuar llogari se pse kishin pasqyruar një lajm të tillë kundër Berishës, duke e akuzuar se po bënte lojën e Edi Ramës, Taulant Ballës, Sule Çelës, Gys Agasit etj. E befasuar nga shpërthimi i Nokës, zonja Çupi ka thënë atij se ajo ishte administratore dhe se nuk ka kompetenca mbi lajmet dhe përmbajtjen e tyre.
Më pas Noka ka nisur t’u telefonojë gazetarëve të News 24 dhe Ballkanweb, me një fjalor shantazhues dhe kërcënues, si dhe duke u kujtuar se Sali Berisha dhe PD-ja u doli në mbrojtje, kur regjimi i Edi Ramës sipas tij rrethoi televizionin e Hysenbelliut në Shkozë. Edhe gazetarët, të befasuar nga turfullimi i Flamur Nokës në telefon, e kanë hequr nga vetja ‘përgjegjësinë’ e lajmit për çështjen e ligjshmërisë së mandatit të Berishës, një lajm i cili u publikua gjerësisht në media.
Në këto rrethana, mësohet se Noka i ka telefonuar pronarit Irfan Hysenbelliut, të cilit i ka kërkuar shpjegime për publikimin e lajmit, duke i kujtur që PD, Sali Berisha dhe deputetët e PD-së i dolën para regjimit të Ramës, kur ky i fundit urdhëroi rrethimin me polici të televizionit të Irfanit në Shkozë, duke e dëbuar më pas nga godina publike. Sipas burimeve, Irfani është shfajësuar duke i thënë Nokës se nuk e kishte parë lajmin dhe se me lajmet e merren gazetarët dhe drejtuesit e mediave të tij, të cilët gjithsesi e dinë linjën editoriale, por me sa duket nuk e kanë vlerësuar lajmin si të rrezikshëm të PD-në dhe Sali Berishën.
Në këto kushte, Noka i ka mbyllur telefonin dhe mësohet se ka raportuar tek Berisha për këtë ‘pabesi’ dhe ‘mosmirënjohje’ nga Irfan Hysenbelliu. Duket se pas konsultimit me Nokën, Berisha është bindur se Irfan Hysenbelliu po luan kundër tij, duke bashkëpunuar dhe u krijuar hapësirë mediatike dy armiqve të tij, Alesia Balliu dhe Ervin Salianji.