Në 8 maji 2026, gjyqtari pranë Gjykatës Administrative Hazbi Balliu do të marrë vendim mbi kërkesën e kryebashkiakut Erion Veliaj për konstatimin e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados nga violinist-noter në prokuror pa plotësuar kriteret. Paligjshmëria e emërimit të Ols Dados prokuror nga dora e mikeshës së tij Ina Rama është pranuar edhe nga Presidenca, madje edhe nga ish Presidenti Bamir Topi, i cili ka firmosur emërimin e tij në 2008 mbi një dosje të rreme të kopsitur nga Ina Rama, asokohe kryeprokurore.
Në këto rrethana, ditët e fundit, Ols Dado ka rrethuar me sekserë gjyqtarin Hazbi Balliu, i cili pritet të vendosë për fatin e tij. Ols Dado ka angazhuar një rreth sekserësh, të cilët kanë tentuar të hyjnë në pazare me gjyqtarin Hazbi Balliun, me qëllim të ndikuar dhe diktuar vendimarrjen e Balliut në favor të Ols Dados, i emëruar prokuror pa plotësuar kriteret ligjore. Sipas burimeve, ofertat ndaj Hazbi Balliut arrijnë deri në një milionë euro, përfshirë mbështetje për karrierë dhe imuninet nga SPAK për sa kohë Dado të jetë pjesë e Strukturës së Posaçme.
Sekserë të Ols Dados mësohet se kanë kontaktuar edhe njerëz të afërt të gjyqtarit Hazbi Balliu, me oferta dhe mesazhe të koduara, me qëllim për t’u siguruar se vendimarrja do të jetë në favor të noterit që u bë prokuror në shkelje të ligjit, falë Ina Ramës dhe kreut të ILD, Artur Metani, asokohe anëtar i Këshillit të Prokurorisë, sot një personazh i marrë peng me dosje nga segmente të caktuara të SPAK-ut.
Sipas burimeve, sekserët e Ols Dados, krahas parave, i kanë ofruar gjyqtarit Hazbi Balliut edhe disa variante vendimesh të gatshme të ‘arsyetura’ për të rrëzuar padinë e Veliajt. Vendimet besohet se janë shkruar nga Ols Dado dhe jursitë të besuar pranë tij. Sipas burimeve, secili vendim që i është ofruar Hazbi Balliut si varint i mundshëm për t’u vulosur si vendim i tij rrëzon padinë e Veliajt për shkarkimin e Ols Dados. Tendecat korruptive të Ols Dados reflektohen edhe nga kërkesat e tij të paligjshme drejtuar Veliajt për një shtesë për pallatin e tij tek Rruga e Kavajës, por edhe nga lidhjet e tij të provuara me krimin e organizuara, si noter i preferuar i figurave të trafikut të kokainës.
Ndërkaq, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dërguar një letër të gjitha përfaqësive dhe organizatave të huaja në Shqipëri, përmes së cilës kërkon monitorim të seancës gjyqësore të 8 majit, ku Gjykata Administrative do të marrë vendim për pavlefshmërinë ose jo të emërimit të Ols Dados prokuror. Letra e Veliajt reflekton dyshime të forta se Ols Dado është angazhuar duket ndërhyrë në mënyrë të paligjshme dhe korruptive për të diktuar vendimin e Hazbi Balliut në favor të tij.
Faktet, emërimi i Ols Dados prokuror i paligjshëm
Ols Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë. Me mesataren e arsimit të lartë, Ols Dado nuk mund të pranohej në Shkollën e Megjistraturës. Gjithsesi, ndryshe nga Gjin Gjoni që ka marrë gradën doktor pas arsimit të lartë, Ols Dado e ka kryer arsimin e lartë për juridik, edhe pse me mesatare të ulët dhe pse me ndërpreje tremujore nga fakulteti, pasi ka shkuar në Athinë për të ndjekur një kurs për filozofi, krahas pasionit për violinën.

Pas diplomimit, Ols Dado ka punuar në administratë. Nga data 16.12.1995 deri në 15.2.1996 punoi pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Nga data 16.2.1996 deri në 10.9.1996 punoi pranë “A.M.C” sh.a. Nga data 29.1.1997 deri në 8.11.2000 punoi pranë Bashkisë Durrës. Nga data 1.7.2003 deri në 29.9.2005 punoi në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Në vitin 2008 bëhet noter pa konkurim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado, deri në vitin 2008.

Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec. (Nuk është sekret që Ols Dado dhe Ina Rama kanë ndarë një miqësi të ngushtë, e cila besohet se është edhe shkaku që ka shtyrë zonjën Rama të kapërcejë ligjin për emërimin e Dados, duke tërhequr në këtë valle edhe presidentin Bamir Topi).
Disa ditë më parë, i pyetur për këtë dekretim, Bamir Topi ia hodhi topin Ina Ramës, duke nënkuptuar se ka firmosur formalisht pa e ditur se Ols Dado nuk plotësonte kriteret për t’u emëruar prokuror. “Njerëzit duhet ta kuptojnë: Tek Presidenti nuk vijnë gjëra të karakterit analitik. Dekreti është në përputhje me parimet kushtetuese. Cilat janë parimet kushtetuese? Që në këtë marrëdhënie midis dy institucioneve, të drejtën e propozimit e ka Kryeprokurori, i cili vjen vetëm me një propozim formal dhe Presidenti e dekreton. Këtu mbyllet rruga institucionale. Me sa unë kam në memorie, jo thjesht si procedurë specifike, por sipas ligjit dhe Kushtetutës, ka pasur një tagër, ndoshta minimal, por e ka pasur edhe Presidenti, edhe Kryeprokurori, në rastin konkret Kryeprokurorja, e cila sipas analizës së rrethanave, unë nuk e kam shfrytëzuar personalisht, ka pasur një minimum të drejte për të futur në sistem edhe ndonjë person, burrë apo grua, ç’rëndësi ka, e cila e tejkalonte këtë pjesën e Shkollës së Magjistraturës”, ka thënë ish-Presidenti Topi.
Ndërkaq, propozimin e saj për mikun fustanexhi Ols Dado, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.

Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.

Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit. Dado është emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin në funksionin e prokurorit. Dado jo vetëm që nuk duhet të ishte prokuror i komanduar në SPAK, por nuk duhet të ishte dhe nuk duhet të jetë as prokuror në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
E shkuara e Ols Dados si filozof në Athinë
Ols deklaron se është shkolluar në Fakultetin e Drejtësisë nga 1991-1995.

Por në vetedeklarimin e tij, Ols Dado rezulton se ka pasur një ndërprerje tre mujore nga fakulteti me natyre meditative. Pas dështimit për t’u bërë violinist, Ols Dado ka shkuar në Greqi për të bërë një kurs për Filozof. Pasi mbaroi kursin, me bagazh Aristotelik me vete, u kthye të vijojë shkollën për jurist.

Tani, Ols Dado duhet t’a ndajë këtë punë, a është Filozof, Noter, Violinist, Ndërtues, Prokuror apo Romancier dosjesh?!
Të gjashta njëherësh nuk mundet!
Lidhje me Altin Hajrin?
Ols Dado është përfolur edhe për lidhje me Altin Hajrin, një nga figurat kryesore të krimit të organiuzar në Shijak, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës në janar të vitit 2020, ku fillimisht u dënua me 7 vite burg, por më pas Apeli e shpalli të pafajshëm.
Hajri, i hetuar për trafik droge, ka një mase tjetër sigurie për dosjen e ish- deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Dhe pikërisht tek kjo dosje është përfolur emri i prokurorit të SPAK, Ols Dado, i cili besohet se kontaktet e para me figura të krimit i krijoi nga lidhja që kishte me të ndjerin Sokol Olldashin. Nuk është më sekret se Dado ishte një investim i Sokol Olldashit, Ina Ramës dhe Gazment Oketës, ku duke e katapultuar prokuror pa plotësuar kriteret, mund t’a komandonin lehtësisht.
Në fund të vitit 2024, Sali Berisha, duke u kamufluar pas ‘qytetarit digital’, shkroi se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur në lokalin Kështjella, ku u ekzekutua Alfred Dedja. Nga përgjimet e SKY ECC kishte rezultuar se Altin Hajri kishte kërkuar ndihmë tek ish deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja për t’a liruar kunatin e tij, ndërsa flisnin me një personazh, i dyshuar si njeri i drejtësisë, me emrin Ols.
SPAK doli me një deklaratë për median, duke përgënjeshtruar pretendimet se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit. “SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur. SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative“, thuhej në deklaratë.
Natyrisht, mes SPAK-ut dhe Sali Berishës, opinioni publik është i prirur të besojë më shumë SPAK-un. Por nga ana tjetër mbetet enigmë se kush është Olsi për të cilin flisnin Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajri. Dyshimet shtohen kur ka dyshime të forta se Altin Hajri dhe Ols Dado, duke qenë nga Shijaku dhe meqenëse Dado noterizonte kontratat e figurave të krimit, kanë njohje me njëri-tjetrin.
Gjithsesi i vetmi që mund t’u japë fund këtyre dyshimeve është Jurgis Çyrbja, i cili në dosje rezulton se kishte lidhje të ngushta edhe me një ministër. Jurgis Çyrbja, i cili duket se më shumë u godit në mënyrë të sforcuar për kompensim politik, e di se për cilin Ols bëhet fjalë, por deri më tani ka vendosur të mos flasë, duke bërë burg si dëm kolateral.