“Onkologjiku”/ SPAK shpall moskompetencë! Prokuroria e Tiranës çon në gjyq ish-zv.drejtoreshën e QSUT dhe 5 të tjerë

Kronike

Publikuar: 30/04/2026

“Onkologjiku”/ SPAK shpall moskompetencë! Prokuroria e Tiranës çon në gjyq ish-zv.drejtoreshën e QSUT dhe 5 të tjerë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka shpallur moskompetencë për dosjen “Onkologjiku”, duke veçuar hetimin vetëm për mjekun Edmond Gashi, dhe ka referuar dosjen në prokurorinë e Tiranës si organ kompetent.

Sipas njoftimit zyrtar, pas kryerjes së hetimeve, Prokuroria ka bërë kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim për 6 persona, konkretisht ish-zv.drejtoreshën e QSUT-së, Brikena Qirjazi, shtetasen Alketa Pere, Emiljano Lela, Drilona Kishta, Halil Gashi dhe Florjan Marku, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”.

Sipas organit të akuzës, hetimet kanë zbuluar një skemë ku pacientët me sëmundje tumorale orientoheshin drejt klinikave private, në vend që të merrnin trajtimin e garantuar nga sistemi publik shëndetësor.

Në disa raste, thotë Prokuroria, shërbimet dhe ndërhyrjet kirurgjikale kryheshin në privat kundrejt tarifave të rritura, ndërkohë që duhet të ofroheshin falas në spitalin shtetëror.

Akuzat për të pandehurit:

Brikena Qirjazi në cilësinë e Zv/Drejtoreshës në QSUT e ngarkuar me mbulimin e shërbimit onkologjik, nuk ka marrë masat e nevojshme për garantimin e funksionimin e rregullt dhe të sigurt të pajisjes së burimit të kobaltit. Ajo nuk ka marrë masa për vënien në funksion të kësaj pajisjeje, duke bërë që pacientëve të mos u ofrohej në kohë shërbimi i nevojshëm mjekësor. Edhe ajo akuzohet për shpërdorim detyre.

Emiljano Lela në cilësinë e koordinatorit pranë Spitalit Onkologjik të QSUNT, ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në procesin e administrimit dhe orientimit të pacientëve tek klinikat private për të marë kurën e trajtimit në luftën kundër sëmundjeve tumorale, në një kohë kur sigurohej nga shteti. Ai përzgjidhte pacientë nga radha e pritjes dhe i orientonte jo tek mjeku që kishin të rekomanduar sipas procedurave, por tek klinikat private, duke përfituar përqindje monetare. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se i pandehuri Emiljano Lela ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Alketa Pere në cilësinë e administratores pranë Spitalit Onkologjik të QSUT, u provua se dërgonte pacientët drejt klinikave private, në tejkalim të kompetencave dhe në kundërshtim me rregullat ligjore dhe procedurale që rregullojnë ushtrimin e profesionit mjekësor dhe administrimin e dokumentacionit shëndetësor. Në analizë të fakteve dhe provave të mbledhura rezultoi e provuar se e pandehuraAlketa Pere  ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Drilona Kishta në cilësinë e specialistit pranë QSUT ka pasur detyrimin ligjor të kryejë ekspertizën lidhur me menaxhimin e burimeve radioaktive dhe mbetjeve të tyre. Kjo shtetase hartoi një ekspertizë që nuk ishte në përputhje me gjendjen reale dhe me të dhënat e dhëna nga përfaqësuesit e njësisë së Radioterapisë. Gjithashtu rezulton se kjo ekspertizë është kryer përpara procesit të porositjes së burimit të kobaltit, çka ka sjellë si pasojë marrjen e një vendimi për porositjen e një burimi radioaktiv që nuk është vendosur në funksion dhe nuk është përdorur. Si pasojë e kësaj veprimtarie është shkaktuar dëm ekonomik për institucionin, duke cenuar interesat e ligjshme të shtetit. Sa më sipër, shtetasja Drilona Kishta., rezulton se ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Përsa i përket shtetasit Halil Gashi rezultoi se ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për operacionet dhe shërbimet e kryera në klinikë, duke përfshirë shërbime si skaner dhe mamografi, si dhe ka lejuar që mjekë të punojnë në mënyrë të paregjistruar. Ai nuk ka lëshuar fatura tatimore për shërbimet dhe operacionet e kryera në klinikën që administronte, ka lejuar mjekë të punojnë pa regjistrim ligjor dhe ka përfituar materialisht nga ky sistem i fshehjes së të ardhurave. Sa më sipër rezultoi e provuar se i pandehuri Halil Gashi ka konsumuar veprën penale të “Fshehja e të ardhurave”.

Së fundmi, shtetasi Florian Marku në cilësinë e administratorit të “Flori Farma”, ka bërë blerjen dhe vënien në qarkullim të barnit “Valamor”, të cilin e dinte ose duhej të dinte se ishte kontrabandë (pa pullë të AKBPM-së dhe me barkod të dëmtuar). Si administrator i subjektit farmaceutik ka marrë pjesë në aktivitetin e paligjshëm të tregtimit të barnave kontrabandë, duke ditur ose duke qenë i vetëdijshëm për statusin e paligjshëm të barnit të blerë duke konsumuar veprën penale ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’.