Disa ditë më parë, qeveria miratoi një vendim që i heq Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kompetencën për zhvillimin e tenderave në fushën e teknologjisë së informacionit. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave tashmë të gjitha procedurat e prokurimit për kontratat e IT-së do të zhvillohen nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, me në krye Arlinda Pogajn, simbolin e aferave me tendera në Shqipëri, me disa çëshje penale në SPAK.
Kaq ka mjaftuar që pronari i MCN TV, Endri Meksi, të nisë t’i thurë lavde dhe t’i lëpihet administratores së OBP, Arlinda Pogaj, me shpresë se kjo e fundit do të firmosë tendera për kompanitë e Meksit, pra për të ndarë paratë publike me procedura të manipuluara dhe fitues të paracaktuar. Që kur qeveria vendosi t’i kalojë Pogajt tenderat e AKSHI-t, Meksi ka nisur t’i servilohet zonjës Pogaj, përmes kronikave pozitive në televizionin e tij, të cilin, siç ka deklaruar vetë, e përdor edhe si hotel.

Ashtu si ato kronikat e TVSH-së për vjeljen e pambukut në kohën e komunizimit, në një prej kronikave lëpirëse, Meksi thotë se “Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka arritur t’i kursejë buxhetit të shtetit 40 milionë euro gjatë dy viteve të funksionimit të tij“, dhe se “rezultatet e arritura konfirmojnë se prokurimi i përqendruar është një mekanizëm efektiv për përdorimin më të mirë të fondeve publike, rritjen e transparencës dhe standardizimin e procedurave“, duke vënë në pah punën heroike të zonjës Pogaj.



Evidencat tregojnë se Endri Meksi e ka kthyer televizionin e tij në zyrë shrypi dhe freskuese të Arlinda Pogajt, e cila shumë shpejt pritet të përfundojë në burgun e Pogradecit. Një burim brenda OBP sinjalizoi se Endri Meksi, përmes disa kompanive, përfshirë edhe MC Networking, ka futur dokumentet për të përlarë disa tendera nga OBP dhe se anëtarëve të KVO-ve po u bëhet presion të manipulojnë procedurat.
Por i gjithë plani për vjedhjen dhe ndarjen e parave publike ka një rrezik.
Së pari, Endri Meksi ka një kundërshtar në Komisionin e Prokurimit Publik, e njohur ndryshe si gjykata e tenderave, nëse tenderat që do të fitojë Meksi do ankimohen. Ai është Kreshnik Tërnova, me të cilin Meksi thuhet se është rival i humbur edhe në fushën e dashurisë.
Së dyti, SPAK dhe BKH janë sinjalizuar nga disa burime brenda OBP dhe të jashtme për aferat korruptive që po përgatisin Endri Meksi dhe Arlinda Pogaj. Struktura ligjzbatuese, pas sinjalizimeve të detajuara, po mbajnë nën vëzhgim dhe po monitorojnë çdo tender që do të firmosë zonja Pogaj në fushën e teknologjisë së informacionit.
Ndërkaq, planin e tij për të futur duart në buxhetin e shtetit përmes tenderave korruptive në fushën e teknologjisë së informacionit, Meksi po përpiqet t’a kamuflojë me mediatizimin e çështjeve të tij private, historitë rozë, telenovelave brenda MCN dhe kërcënimeve të provokuara, për të cilat nuk ka asnjë interes publik.