Pa kaluar 24 orë nga protesta e opozitës demokratët duket se nuk ndajnë të njëjtin mendim me kryetarin e tyre Sali Berisha për suksesin e saj! Duke i dërguar pyetje në rrjetin social Facebook, shumica e tyre kërkojnë ndërrim strategjie. Një demokrat i sugjeroi, Berishës rikthimin e çadrës në shesh.
Muharrem Kurti: Doktor Berisha ju përshëndes. Mbrëmë në protestë na mbyten me gaz si gjithmonë edhe më keq. Pyetja ime është a do të ndryshojmë strategji psh, të vendosim një çadër të madhe në shesh e të ngujohemi deri në rrëzimin e regjimit famëzi të Edvin Ramës.
Sali Berisha: Çdo variant do studiohet. Por një gjë i dashur Muharrem, ne nga protesta s’heqim dorë kurrë dhe nuk ndalemi
Të zhgënjyer nga protesta, një tjetër demokrat i kërkon Berishës 50 karrige jashtë parlamentit ku deputetët të presin qytetarët.
Tonin Ndreu: A mendoni se ka ardhur koha që deputetët opozitarë të vendosin 50 karrige tek kryeministria duke u ulur dhe pritur qytetarët?
Sali Berisha: Mendoj se deputetët opozitarë po bëjnë të pamundurën për të përmbushur rolin e tyre si në parlament, ashtu edhe në protesta, ashtu edhe në bazë. Të gjitha format e protestave janë të mundshme, por duhet të ndjekim ato që kanë efekt më shumë.
Demokratët duken të lodhur edhe nga fjalimet të cilat u rikthyen të premten pas disa javësh mungese, dhe demokratët sugjerojnë ndaljen e tyre dhe bllokimin e parlamentit në mënyrë që të mos mbahen seancat plenare.
Nikoll Ndreca: Thirrja ime është protesta pa fjalime te bashkuar dhe te ngujuar para parlamentit në ditë e netë me deputetët, me popullin të bllokohet hyrja në parlament mos të lejohet zhvillime seancash veç në favorin e krimit, të bllokohet hyrja.
Sali Berisha: Nikoll të falënderoj shumë për sugjerimin dhe kjo është një nga format më të shkëlqyera që ti sugjeron. U siguroj se në këtë betejë ne do konsiderojmë të gjitha format e protestave.
Ndërsa, një tjetër i tha Berishës se duhet të ndryshojnë strategji pasi demokratët janë të lodhur dhe po zvogëlohen në numër.
Erzen Rexha: A do ketë ndryshim strategjie në protestën e radhës sepse besoj se kushtet janë prekur për një ndryshim strategjie sepse kjo lloj strategjie po më bind që njerëzit janë lodhur dhe po zvogëlohen?
Sali Berisha: Strategjia edhe mund të ndryshojë, por protestat do të vazhdojnë si rruga e vetme për t’u dëshmuar shqiptarëve se ne nuk pajtohemi kurrë as nuk trembemi, as nuk frikësohemi, as nuk mposhtemi dhe nuk pranojmë kurrë qëndrimin e kësaj organizate kriminale ndaj shqiptarëve.
Pavarësisht zhgënjimit të qartë të demokratëve vetë Berisha e ka quajtur sukses protestën e së premtes duke paralajmëruar të tjera organizime që ai i quan kryengritje paqësore!