Berisha mbron aferën Partizani: S’kam nevojë për dëshmitarë pro meje, s’ka pasur asnjë shkelje ligjore

Politikë

Publikuar: 20/07/2026

Berisha mbron aferën Partizani: S’kam nevojë për dëshmitarë pro meje, s’ka pasur asnjë shkelje ligjore

Nga SPAK ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje, ish-kryeministri Sali Berisha e mbrojti edhe një herë procedurën për Privatizimin e ish-klubit Partizani. Ndërsa u pyet nga gazetarët mbi dëshmitë që po merren në gjyq, Sali Berisha pretendoi se procedura ka qenë e rregullt dhe se nuk ka nevojë për dëshmitarë pro tij.

Sot është gjyqi i themelit në dosjen Partizani ku ju jeni i akuzuar nga SPAK. Pritet të dëshmojë ish-presidenti Bamir Topi. Si e parashikoni ju dëshminë e tij dhe përse është thirrur në dijeninë tuaj, Bamir Topi?

Sali Berisha: Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës, në mos gaboj, dhe natyrisht do ta pyesin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura çfarë dinte ai për sigurinë në atë kohë, dhe për të gjithë atë gjendje. Se çfarë do të thotë, nuk e marr me mend, por të thotë atë që do.

Për zotin Qiriazi ndoshta, meqenëse ka qenë ushtarak i lartë?

Sali Berisha: Nuk besoj… nuk e di, nuk kam dëgjuar që ta kenë thirrur ndonjëherë se Qiriazi ka pasur lidhje me ministrin, me shefin e shtabit të përgjithshëm si rregull, kjo është hierarkia. Por a e kanë thirrur për këtë apo jo, ajo do tregohet nga gjyqi, nuk e di.

Thua do të dëshmojë pro jush Bamir Topi?

Sali Berisha: S’kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkelje ligjore. As dhe një shkelje më të vogël ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces.

 /shqiptarja.com