Në kulmin e ngjarjeve politike në vend dhe ato ndërkombëtare, para një muaji kaloi pa u vënë re lirimi nga burgu i kokës së skemës së mikrokredive, Arben Meskuti. Bashkë me Aldo Dakёn, ishin prej thuajse dy vitesh prapa hekurave të burgut 302, në Rr. “Mine Peza”, Tiranë, të arrestuar më 21 Maj 2024, për mashtrimin e madh me mikrokredi.
“Goditja” e bujshme e Majit 2024 nga Prokuroria e Tiranës, u bë për të sfumuar sadopak urrejtjen popullore që kishte shkaktuar ndër vite veprimtaria mashtruese e MCA dhe Final që la pas me mijëra të mashtruar që akoma nuk janë “inventarizuar” nga drejtësia. Por kjo goditje me kalimin e kohës u shua, ashtu si shumë ngjarje të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri dhe janë “fikur” në të njëjtën mënyrë.
Me nenin 261 të Kodit të Procedurës Penale janë “shuar” shumë paraburgime të rëndësishme në Shqipëri. Një i arrestuar, nuk mund të qëndrojë më shumë se tre vite i burgosur pa dalë në gjyq edhe sikur të dënohet me burgim të përjetshëm në përfundim të tij. Për të gjitha krimet e tjera “burgosja” pa gjyq, siç quhet paraburgimi, s’duhet t’i kalojë 1 ose 2 vite, sipas veprave penale përkatëse. Një ditë paraburgim sipas rregullave penale është sa 1.5 ditë e rregullt burgu kur dënohesh.
Hetimet për “bandën” e mikrokredive filluan në shkurt 2020 në Prokurorinë e Tiranës. Pas 6 vjetësh ato nuk kanë mbaruar. Vazhdojnë nga SPAK, që e ka marrë “stafetën” e tyre në tetor 2024, pasi tre prokurorët e Tiranës Antoneta Sevdari, Arben Agovi dhe Ndini Tavani ia dorëzuan dosjen gjigande Edvin Kondilit, bashkë me të burgosurit e vetëm të kësaj çështjeje, Arben Meskuti dhe Aldo Daka.
Në Maj 2024 u arrestuan 9 persona, por të gjithë dolën njëri pas tjetrit pas disa ditësh ose javësh me masa më të lehta sigurie. Mbetën në paraburgimin 302 vetëm Arben Meskuti dhe Aldo Daka, si “pengje” të një hetimi të papërfunduar, deri sa masat e paraburgimit të tyre u shuan në mars 2026.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, konfirmuan për redaksinë se Arben Meskuti, ishte një nga të burgosurit model të sistemit penitenciar. “Ai punonte në kuzhinë të 302-it dhe gatuante për të burgosurit e këtij institucioni. Për këtë merrte edhe rrogë…”.
Për thuajse dy vite Arben Meskuti ka mësuar një zanat të ri në paraburgim, kaq kohë sa organet e drejtësisë së re nuk kanë mundur t’ia zbulojnë fajet për “zanatin” e vjetër.
Është ironike të krahasosh fatin e të mashtruarve që humbën pronat dhe paratë në skemën e krijuar nga “kuzhinieri” i burgut 302, i cili jo vetëm nuk është dënuar, por ka fituar lirinë me një zanat të ri në xhep.
Të jesh një kuzhinier i profilit të lartë, është ëndrra e shumë profesionistëve. Që emri të të bëhet një markë më vete, suksesin nuk duhet ta bazosh vetëm tek gatimet, por dhe në licensimin e produkteve, botimin e librave, hapjen e restoranteve të suksesshme, pa munguar në shfaqjet televizive.
Pasi la pas një histori me mijëra viktima të “pjekura” në furrën e mashtrimit me mikrokredi, Arben Meskuti tashmë fillon një karrierë të re si kuzhinier. Dhe kjo, falë SPAK.