Protesta kombëtare e Partisë Demokratike është shoqëruar me tensione dhe përplasje, duke sjellë edhe të lënduar mes protestuesve dhe forcave të rendit. Aktivisti dhe ish-kandidati i PD-së për deputet në Qarkun Durrës, Aulon Kalaja, është paraqitur në gjendje të rënduar shëndetësore, dyshohet si pasojë e gazit lotsjellës të përdorur nga policia.

Ai është transportuar fillimisht me barelë dhe më pas me ambulancë drejt spitalit, në gjendje të fikëti, pasi ka rënë pa ndjenja gjatë protestës.
Ndërkaq, gjatë protestës është lënduar edhe çuni i Fahri Balliut, Klevis Balliu. Ai është shfaqur duke qarë dhe rënkuar nga gazi lotsjellës. Në pamje dallohet momenti kur në ndihmë i vijnë kolegët e tij, teksa e mbajnë për krahu për ta dërguar në spital.
Gjatë protestës së sotme të organizuar nga Partia Demokratike në Tiranë, 4 persona kanë mbetur të lënduar disi më rëndë dhe janë paraqitur për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Edhe deputeti Luçiano Boçi është ndjerë keq gjatë tubimit, në një situatë që duket se lidhet me përshkallëzimin e tensioneve në terren.

Edhe Sekretari i Pargjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shfaqur duke qarë, ndoshta edhe për shkak të dështimit të protestës nga pjesëmarrja e ulët.

Ngjarjet u përshkallëzuan menjëherë pas përfundimit të fjalës së Sali Berishës, kur një pjesë e protestuesve hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë. Si përgjigje, policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Gjatë përplasjes, një efektiv policie mbeti i lënduar dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa gjendja e tij shëndetësore nuk bëhet ende e ditur.