Afera “Partizani”, GJKKO pranon kërkesën e Berishës për thirrjen e kryeministrit Rama si dëshmitar

Kronike

Publikuar: 15/04/2026

Afera “Partizani”, GJKKO pranon kërkesën e Berishës për thirrjen e kryeministrit Rama si dëshmitar

Seanca e radhës e aferës “Partizani”, dosje në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi dhe të tjerë, e cila do të mbahet më 30 prill, do të nisë me dëshminë 7 personave. Në cilësinë e kallëzuesit pritet të dëshmojë edhe deputeti i PS, Taulant Balla, , ndërkohë që SPAK ka bërë kërkesë për thirrjen si dëshmitarë të 11 personave.

Gjithashtu, GJKKO ka pranuar kërkesën e depozituar nga mbrojtja e Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit për të thirrur në cilësinë e dëshmitarit edhe kryeministrin Edi Rama, i cili ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e të pandehurve për thirrjen së dëshmitar të oficerit të OPGJ, Besmir Karanxha, i cili sipas avokatëve të Berishës, është aktivist i PS dhe se është i paguar për të hetuar kryetarin e opozitës.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i Berishës, Genc Gjokutaj, tha se thirrja e Ramës si dëshmitar është një domosdoshmëri. Gjokutaj tha se GJKKO nuk i ka pranuar provat tona, ku dëshmohet qartë se kjo çështje në ngarkim të Berishës, është politike dhe jo ligjore.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj 2025. Sali Berisha gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.

Edhe Jamarbër Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ortaku i Malltezit, Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.