Në tetor të vitit 2020, Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Kosovës, themeluan Bursën Shqiptare të Energjisë Elektrike me zyra në Tiranë. Administrator u caktua Sokol Dishnica. I ngritur me bujë për shitjen e energjisë në bursë, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka përfunduar jo vetëm në një institucion thjeshtë fiktiv dhe vetëm në letra, por kompania me humbje deri në 1.5 milionë euro në vit, pas dështimit, ka nisur aferat me tendera.
Pas disa provave me tendera të vegjël, Sokol Dishnica po përgatit letrat për një aferë korruptive me vlerë 3 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderin me objekt ‘platformat elektronike të Tregtimit dhe Klerimit Shqipëri-Kosovë, për tregjet e energjisë elektrike dhe bashkimin e tregjeve‘. Si mos të mjaftonte dështimi në përmbushjen e funksionit për të cilën u ngrit, Bursa e Energjisë po bën rrush e kumbulla paratë publike për tendera fiktivë dhe të panevojshëm.
Jo vetëm kaq. Sipas një sinjalizimi të brendshëm, Sokol Dishnica dhe grupi i tij kanë paracaktuar fituesin e tenderit para shpalljes, madje me ofertë gati sa fondi limit, rrjedhojë e manipulimit të procedurës tenderuese. Po sipas burimeve, kupola e Bursës së Energjisë ka abuzuar edhe me përcaktimin e fondit limit me vlerë 3 milionë euro, kur kostoja e shërbimit të kërkuar nuk kushton më shumë se sa 1.5 milionë euro.
Bursëa Shqiptare e Energjisë Elektrike është një organ parazitar. Pas themelimit të bursës së energjisë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nisi sërish tenderat e shitjes së energjisë për shkak të pamundësisë për të shitur në bursë. Ndërkaq, kompania e themeluar 6 vite më parë rezulton me humbje nga viti në vit.
Në vitin 2021, viti i themelimit, Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ka dalë me 16 mijë euro humbje. Në vitin e dytë humbja është mbi 300 mijë euro. Në vitin 2022 humbja rezulton 520 mijë euro. Në vitin 2023 humbja rezulton në vlerën 1.2 milionë euro. Në vitin 2024 humbja është 1.5 milionë euro.