Vajza e dhëndri i Fatmir Xhafajt, hipotekojnë 50 mijë m2 tokë shtetërore në bregdetin e Semanit, për park energjie

Kryesore

Publikuar: 07/04/2026

Vajza e dhëndri i Fatmir Xhafajt, hipotekojnë 50 mijë m2 tokë shtetërore në bregdetin e Semanit, për park energjie

E kanë në ortakëri me ndërtuesin Artan Sako, vëllai i ish-kryegardistit Gramoz Sako, aktualisht kryebashkiak i Tepelenës, të cilët kanë ndëruar pallatin e Linda Ramës dhe kanë marrë rreth 170 milionë Euro tenderë gjatë pushtetit të Edi Ramës…

Rasti i çiftit Amantia Xhafaj e Ditjon Baboçi, vajza dhe dhëndri i ish-ministrit e deputetit Fatmir Xhafaj, është dëshmi e faktit, që pasuritë shtetërore po grabiten e tjetërsohen në pasuri private, nëpërmjet koncesionesh klienteliste të firmosura nga kryeministri Edi Rama.

Informacioni i ardhur në “Pamfleti”, zbulon se vajza dhe dhëndri i Fatmir Xhafajt, dy javë më parë kanë regjistruar në emër të kompanisë “Dion Energji” në kadastër, sipërfaqen 50 mijë m2 tokë bregdetare në fshatin Grykë-Topojë tek zona e plazhit të Semanit në Fier.

Kompania “DION Energji” sh.p.k. është 50% në pronësi të vajzës e dhëndrit të Fatmir Xhafajt dhe 50% në pronësi të ndërtuesit Artan Sako, vëllait të ish-kryegardistit Gramoz Sako, aktualisht kryebashkiak i Tepelenës, të cilët kanë ndërtuar pallatin e Linda Ramës dhe kanë marrë rreth 170 milionë Euro tenderë në rreth 13 vite të pushtetit të Edi Ramës.

Nëpërmjet “DION Energji” sh.p.k., çifti Amantia Xhafaj e Ditjon Baboçi dhe ortaku i tyre Artan Sako, kanë marrë koncesionin për investimin, ndërtimin dhe shfrytëzimin e Parkut Fotovoltaik në Topojë të Fierit, që ndodhet në bregdetin e plazhit të Semanit.

Sipas projektit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, ka përcaktuar 35 mijë e 245 mijë m2 për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të familjeve ortake “Xhafaj-Sako”, por kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, u ka dhënë 50 mijë m2, vendim të cilin e mban të fshehtë.

Këtë sipërfaqe buzë detit në Seman, ata e kanë marrë në përdorim me kontratë enfiteoze për 10 vite, por e kanë regjistuar në kadastër si pasuri në pronësi të tyre, kur ajo është pasuri shtetërore në administrim nga Bashkia e Fierit.

Nuk është e vështirë të kuptohet, cilët drejtues institucionesh e me çfarë urdhri sipër tyre, kanë favorizuar vajzën dhe dhëndrin e Fatmir Xhafajt e ndërtuesin Artan Sako, të regjistrojnë në pronësi të tyre, 50 mijë m2 tokë shtetërore, dhënë në përdorim për biznes energjie fotovoltaike.

Vajza e dhëndri i Fatmir Xhafajt, hipotekojnë 50 mijë m2

Nuk është vështirë të kuptohet gjithashtu, që nga 35 mijë e 245 mijë m2 tokë caktuar për projektin e Parkut Fotovolatik, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi u ka dhënë 14 mijë 755 mijë m2 tokë më tepër në bregdetin e Semanit në Fier; troç për të ndërtuar vila e pallate plazhi.

Skandal i rëndë, është fakti që kryeministri Edi Rama, lejen e ndërtimit e ka dhënë në datën 25 shtator 2024 me Vendim Nr. 55; por pas 1 viti, më 25 shtator 2025, ka nxjerrë një vendim tjetër me nr. 65, për miratim të lejes me kusht, pa vendosur asnjë kusht.

Më 6 prill 2023, rreth 30 muaj para dhënies së lejes së ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit, ortakët Xhafaj e Sako, kanë nënshkruar me Drejtorinë e Koncesioneve në Ministrinë e Infrastrukturë-Energjisë, kontratën për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik.

Mbi 3 vite para lejes së ndërtimit, konkretisht më 28 qershor 2022, kanë nënshkrua Marrëveshjen Nr. 6359/2 me OSSH, për linjën e furnizimit me emergji elektrike të zonës së Parkut Fotovolatik.

Me Vendim Ndikimi në Mjedis të datës 13 nëntor 2024, rreth 1 vit para daljes së lejes, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, i pajisi me leje mjedisore për ndërtimin Parkut Fotovoltaik në bregdet, me raportin sikur nuk dëmton mjedisin.

Kështu veprohet, kur përfituesit e koncesioneve janë familjarë e klientë të afërt të kupolës së pushtetit./Pamfleti