MILANO – Ndërsa pasiguria gjeopolitike po lëkund Lindjen e Mesme, harta e pasurisë globale po zhvendoset sërish drejt kontinentit të vjetër. Milano, kryeqendra ekonomike e Italisë, ka nisur të sfidojë hapur Dubain si destinacioni kryesor për elitën botërore, duke u kthyer në një “parajsë” të re që ndërthur sigurinë, luksin dhe lehtësitë drastike fiskale.
Sipas një raporti të fundit nga The Guardian, fluksi i miliarderëve dhe investitorëve të huaj drejt Milanos është nxitur nga dy faktorë kryesorë: tensionet ushtarake në rajonin e Gjirit dhe politika agresive e Italisë me taksën fikse (flat-tax) për të ardhurat e huaja.
Ky fenomen, që tashmë njihet në qarqet financiare si “Svuota Londra” (Zbrazja e Londrës), po ridizajnon me shpejtësi tregun e pasurive të paluajtshme dhe profilin social të qytetit, duke e shndërruar atë në një magnet për ata që kërkojnë t’i shpëtojnë rritjes së taksave në Britani dhe paqëndrueshmërisë në Lindje.