Pasaportat bullgare që kaluan përmes Ostrenit dhe 216 hektarët që u zhdukën në Martanesh, Lubalesh, Okshatinë, Gjoricë e Ramnagore; si u kthye Bulqiza në një “shtet brenda shtetit” nën drejtimin e Festime Mjeshtrit.
Kryebashkiakja e Bulqizës, Festime Mjeshtri, ka shndërruar dhënien me qira të tokave publike në një biznes familjar e miqësor. Brenda dy vjetësh, ajo ka miratuar kalimin në përdorim të rreth 216 hektarëve tokë pyjore dhe kullotëse për pesë kompani; të gjitha pa konsultim me banorët, pothuajse të gjitha me ankande ku mori pjesë vetëm një operator. Pas denoncimeve të para, ajo pranoi se kishte thyer ligjin, por asnjë kontratë nuk u anulua dhe asnjë hetim nuk iu hap.
Me pesë raste të dhënies së tokave publike pa konkurrencë
– Martanesh, 85.9 hektarë – Më 26 janar 2026, Këshilli Bashkiak miratoi dhënien për 10 vjet të tokave në fshatin Melç. Fituese: “ALB‑ML Solar Energy Investment” e ish-prefektit të Dibrës, Ardit Kaja. Në ankand mori pjesë vetëm një operator.
– Lubalesh, 21 hektarë – Më 23 shkurt 2026, Bashkia shpalli fituesin për tokën në fshatin Lubalesh. Fituese: “Balla Energy Group” e Artan Ballës. Ankandi nuk u njoftua në kanalet zyrtare të bashkisë.
– Okshatinë, rreth 40 hektarë – Më 29 shkurt 2024, Këshilli miratoi dhënien e tokave në fshatin Okshatinë (Shupenzë) për “Dani Energy 2023” për një park fotovoltaik 40 MW.
– Gjoricë, 42.5 hektarë – Në të njëjtën mbledhje të shkurtit 2024, Bashkia miratoi kalimin e tokave në fshatin Gjoricë për “Gjorica Solar Park” të biznesmenit Sokol Tasha. Projekti u licencua më pas nga Enti Rregullator i Energjisë.
– Ramnagore, 26.85 hektarë – Më 2 maj 2024, Këshilli miratoi dy qira: “Cami Internacional” mori 2 hektarë, “AR‑BA – 06” mori 24.85 hektarë. Një kompanie tjetër iu refuzua kërkesa për 17 hektarë.
Në tetor 2025, Festime Mjeshtri njoftoi se do të ofronte me ankand edhe 52 parcela të tjera nga fondi pyjor për stalla blegtorie, bujtina ose parqe fotovoltaike. Nuk dihet se sa prej tyre janë miratuar deri më sot.
Aq e qartë ishte shkelja e ligjit në rastin e Martaneshit, sa vetë kryebashkiakja u detyrua të pranonte publikisht se nuk kishte respektuar procedurën e konsultimit. Por ajo nuk e anuloi tenderin, nuk kërkoi falje dhe asnjë institucion nuk e thirri të japë llogari.
Ndërsa tani, me pesë raste të miratuara dhe 216 hektarë tokë publike të dhënë pa konkurrencë, Festime Mjeshtri vazhdon të qëndrojë në krye të bashkisë. Ajo nënshkroi kontratat, ajo pranoi shkeljet, por as SPAK dhe as ILDKPKI nuk e kanë prekur.
Nuk është e vështirë të kuptohet se për çfarë shërbimesh të tilla kjo menaxhere e tokave publike vazhdon të shpërndajë pyjet e Bulqizës për operatorët e paracaktuar, ndërsa drejtësia nuk i ka kërkuar llogari as për 216 hektarët e dhënë pa konkurrencë dhe as për tenderët korruptiv.
Ky nuk është i vetmi ‘skandal’ që lidhet me emrin e kryebashkiakes së Bulqizës. Në dhjetor 2023, kunati i saj, Luan Mjeshtri, administrator i njësisë administrative Ostren, u arrestua në flagrancë nga policia e Dibrës së bashku me dy zyrtarë të tjerë. Ata akuzoheshin se lëshonin vërtetime të rreme banimi për të mundësuar qytetarët të merrnin pasaporta bullgare; një skemë kriminale që përfshinte falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv. Gjykata e Dibrës vendosi arrest në burg për kunatin e kryebashkiakes, por vetë Festime Mjeshtri doli me një masë administrative nga ILDKPKI për konflikt interesi dhe vazhdoi të drejtojë bashkinë.
Vijon me: tenderët korruptiv, skemën kriminale të pasaportave bullgare dhe disa informacione nga agjencitë partnere, të cilat i disponon edhe Policia e Shtetit…/Pamfleti