Afera 620 mijë euro që çoi Flamur Golemin në SPAK, ndau paratë edhe me të afërmit e tij, kush është Ferdinand Çaushi klienti i kryebashkiakut të Gjirokastrës në vjedhje me tendera dhe përfituesit e tjerë

Kryesore

Publikuar: 02/04/2026

Afera 620 mijë euro që çoi Flamur Golemin në SPAK, ndau paratë edhe me të afërmit e tij, kush është Ferdinand Çaushi klienti i kryebashkiakut të Gjirokastrës në vjedhje me tendera dhe përfituesit e tjerë

Kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi mund të përfundojë në pranga, pasi SPAK duket se i ka dokumentuar një aferë korruptive me tendera, ndërsa nga verifikimet rezulton se Golemi ka ndarë miliona euro para publike të bashkisë me njerëzit e tij të afërt dhe një rreth biznesmenësh klientë, me procedura tenderuese të manipuluara, fitues të paracaktuar me pazar në tavolinë dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave. 

Golemi u paraqit disa ditë më parë në SPAK, ku është pyetur për një skemë të dyshuar korrupsioni me tenderat e Bashkisë Gjirokastër. Kryebashkiaku Flamur Golemi dyshohet se është përfshirë në një skemë korrupsioni (620 mijë euro) me biznesmenët Ferdinand Çaushi dhe Isuf Meçi, me tenderin me objekt rikonstruksion i godinës ekzistuese dhe shkallës së emergjencës dhe dhomës teknike në shkollën 9-vjeçare ‘Urani Rumbo’ të Gjirokastrës.

Në tetor të vitit 2025, Bashkia Gjirokastër ka shpallur fituese kompanitë Ina shpk të Ferdinand Çaushit dhe Eurobeton të Isuf Meçit për rikonstruksionin e shkollës ‘Urani Rumbo’. Fondi limit ishte 780 mijë euro, ndërsa oferta fituese rezulton 620 mijë euro. Ka dyshime të forta se fituesit e tenderit janë paracaktuar me pazar në tavolinë me qëllim përvetësimin e parave publike.

Çfarë ka ndodhur? 

Kontratën për rikostruksionin e shkollës ka nisur t’a zbatojë Bashkia e Gjirokastrës me punonjësit e saj, ndërsa paratë i kanë marrë biznesmenët Çaushi dhe Meçi, të cilët dyshohet se i kanë ndarë me Flamur Golemin. Sipas burimeve, në objektin në fjalë kanë shkuar duke kryer punime ekipe të Bashkisë Gjirokastër në vend të dy kompanive të kontraktuara, fituese të tenderit 600 mijë euro.

Skema është sa e thjeshtë aq edhe flagrante dhe sfiduse për drejtësinë. Tenderin e kanë fituar kompanitë Ina shpk dhe Eurobeton shpk, ndërsa punimet i ka kryer Bashkia Gjirokastër, duke zbatuar praktikisht kontratën për të cilën ka paguar dy kompanitë në fjalë. Ferdinand Çaushi dhe Isuf Meçi dyshohet se janë pjesë e klientelës së Flamur Golemit, pasi më herët kanë marrë me pazar në tavolinë edhe tenderin 400 mijë euro për rikonstruksionin e rrugës Zhulat Gjirokastër loti I.

Tenderi është shënjuar me flamur të kuq korrupsioni, duke ngritur dyshime të forta për paracaktimin e fituesit me pazar në tavolinë nga Flamur Golemi dhe grupi i tij i tenderave në bashki, me qëllim për të ndarë paratë publike me Ferdinand Çaushin. 

Kush është Ferdinand Çaushi, klienti i Flamur Golemit? 

Ferdinand Çaushi nga Telepelna është pronar dhe administrator i kompanisë së ndërtimit Ina shpk, të cilën ia ka blerë përfundimisht në vitin 2003 shtetasit Sokol Beshaj. Kompania rezulton se është themeluar në vitin 1995 nga Aleksandër Mitrushi. Firma e ndërtimit ka qenë objekt verifikimi për pastrim parash dhe dyshohet se pas saj fshihet një grup kriminal.

Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, Ferdinand Çaushi, përmes kompanisë së ndërtimit Ina shkp ka përfituar nga buxheti i shtetit mbi 14 milionë euro përmes tenderave klientelistë dhe me pazar në tavolinë, me dokumente të dyshuara false dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave me autoritetet shtetërore për ndërtimin e veprave publike. 

Krahas Bashkisë së Gjirokastrës, Çaushi ka përfituar tendera të dyshimtë edhe nga bashkitë Tiranë, Durrës, Përrenjas, Maliq, Tropojë, nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë, Ministria e Shëndetësisë, Operatori i Blerjeve të Përqendruara dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, institucione të goditura nga SPAK për afera me tendera.

Ndërkaq, Isuf Meçi dhe Ferdinand Çaushi nuk janë klientët e vetëm të Flamur Golemit. Kryebashkiaku i Gjirokastrës ka ndarë paratë publike përmes tenderave të dyshuar si korruptivë edhe me Blendi Llubani, Alfred Ibrahimi, Gramoz dhe Ervin Qëndro, Ledion Sinani, Emiliano Delilaj, Migel Ali, Milo Gjikuria, Behar Mançellari, Luan Kapri, Gëzimi i Kashtës (Gëzim Salillari), Shpresa Nika, Artur Çaushaj, Aldi dhe Anea Llazi, Ferdi Marra, Renido Petritaj, Bujar Murati, Josif Basha, Behexhet Uruçi, Astrit Gjikondaj, Paulin Gega etj.