Nga apartamentet dhe makina 26 mijë euro te qindra mijëra euro në llogari, huadhënie dhe trashëgimi, deklarimi i Edmond Haxhinastos në ILDKP tregon një rritje të qëndrueshme pasurie gjatë viteve në qeveri dhe jashtë saj…
Edmond Haxhinasto, deputet i Partisë së Lirisë dhe ish-ministër për disa mandate, rezulton me një portofol të gjerë pasuror që shtrihet nga pasuri të paluajtshme te likuiditetet dhe investimet familjare.
Sipas deklarimeve në ILDKP, Haxhinasto zotëron tre apartamente. Një prej tyre me sipërfaqe 174 m2 është në pronësi të plotë dhe është krijuar përmes kredie bankare. Një tjetër apartament prej 52.46 m2 është gjithashtu në pronësi 100%, ndërsa një i tretë prej 90.6 m2 është në bashkëpronësi, ku ai zotëron 50%.
Në deklarim përfshihet edhe një automjet i blerë më 30 mars 2017 me vlerë 26 mijë euro, në kohën kur Haxhinasto ishte pjesë e qeverisë.
Përveç pasurive të paluajtshme, deputeti deklaron pjesëmarrje në shoqërinë “EHN Group”, e themeluar më 8 shkurt 2024, ku zotëron 25% të aksioneve me vlerë 25 mijë lekë. Ai ka gjithashtu 9 mijë euro cash dhe një llogari bankare me 7,148.83 euro.
Pasuria familjare zgjerohet ndjeshëm përmes deklarimeve të bashkëshortes. Ajo zotëron po ashtu 25% të aksioneve në “EHN Group”. Në llogaritë e saj bankare rezultojnë 6,920.45 euro dhe 76,332.34 dollarë, ku burimi i deklaruar është trashëgimia.
Elementi që bie në sy është pesha e dhurimeve dhe trashëgimisë në pasurinë e saj. Ajo deklaron 12 mijë euro cash nga trashëgimia, si dhe dy huadhënie të konsiderueshme: 50 mijë euro në shtator 2025 dhe 55 mijë euro në tetor 2024, të dyja me burim të deklaruar po trashëgiminë.
Edhe vajza e çiftit rezulton pjesë e këtij portofoli. Ajo zotëron 20% të aksioneve në “Airfire Albania” dhe 50% në “EHN Group”, si dhe ka të ardhura të deklaruara nga paga në këtë kompani në vlerën 6,400 euro. Në llogaritë e saj figurojnë 2,795 euro dhe 4,500 euro cash.
Në të njëjtën kohë, ajo ka marrë një hua prej 105 mijë eurosh në tetor 2024, e cila rezulton e pashlyer.
Të dhënat tregojnë një strukturë pasurore të shpërndarë në disa nivele familjare, me prani të fortë të likuiditeteve, aksioneve dhe huadhënieve. Rritja e kësaj pasurie shtrihet në kohën kur Haxhinasto ishte në qeveri si pjesë e koalicionit PS-LSI dhe vijon edhe pas kalimit në opozitë me Partinë e Lirisë.
Deklarimi pasuror evidenton një vijimësi të akumulimit financiar, ku rolin kryesor në zgjerimin e kapitalit familjar e kanë trashëgimia dhe investimet në kompani të reja. /Pamfleti
DEKLARIMET E HAXHINASTOS











