Video / Habit Endri Meksi, i kërkon Prokurorisë të hetojë pse e la dashnorja që kishte në MCN dhe më pas edhe gruaja. Ka degraduar apo shtiret si i lajthitur për t’i shpëtuar SPAK? Aktiviteti kriminal nga tenderat korruptivë tek ortakëria me Amant Josifin në call centera

Dosje rozë

Publikuar: 30/03/2026

Video / Habit Endri Meksi, i kërkon Prokurorisë të hetojë pse e la dashnorja që kishte në MCN dhe më pas edhe gruaja. Ka degraduar apo shtiret si i lajthitur për t’i shpëtuar SPAK? Aktiviteti kriminal nga tenderat korruptivë tek ortakëria me Amant Josifin në call centera

Disa thonë se duhet ndihmuar duke e çuar në një institucion të shëndetit mendor, ndërsa të tjerë mendojnë se po shtiret sikur ka lajthitur me qëllim për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm nga SPAK si ortak i Amant Josifit në call centera, për rolin e tij në dosjet e AKSHI-t dhe ARRSH-së, për pazarin me lojërat e fatit, gjobëvënie, korrupsion, pastrim parash etj.

Pronari i televizionit MCN, Endri Meksi, tashmē si Kompetent Dashurie, pjesë e dosjes Balluku me pseudonimin ‘palla’, u shfaq sa grotesk dhe karagjoz aq edhe tejet i rënduar dhe i degraduar në banakun e televizionit të tij, me puro në dorë, pa kod veshje, si sharlatan, me një fjalor sa vulgar aq edhe fyes edhe për gazetarët që punojnë pranë MCN-së.

Si të ishte në një mejhane me shokë rakie, Meksi tha se kishte pasur një dashnore në MCN prej tre vitesh, se lidhja kishte shkuar keq, se njerëzit e saj i kishin kërcënuar mamin (administratoren që do mbikqyrë lojërat e fatit), se ishte ndarë nga gruaja prej 10 ditësh, se tani ishte single, se flinte në MCN, se mamit i kanë thënë se ai ka roitur etj. Pra, një rrëfim personal, i cili mund të bëhet para një psikologu, psikiatri, një shoku apo fallxhoreje, po kurrsesi në një studio televizive, kurrsesi para publikut, pasi nuk ka asnjë lidhje me interesin publik dhe misionin e një medie.

“Atë shoqen tënde që punon këtu e kam pasur unë tre vjet”, kështu i tha moderatores dhe kjo e fundit vijonte normalisht pyetjet. Tani kjo është MCN apo Për’Puthen, MCN apo KLP? Në ç’vend të planetit del botuesi dhe rreh gjoksin në studio se ka dashnore?

Nuk mbaron këtu. Çështjen e ndarjes nga dashnorja Endri Meksi thotë se e ka referuar në Prokurori, duke e lidhur këtë konflikt pasioni me kërcënimet që pretendon se i janë bërë herë me një Audi të bardhë me maska, herë me kontrolle ministrie dhe herë me mesazhe shantazhuese.

Jo vetëm kaq. Pasi tregon dramën e dashurisë brenda MCN, ndarjen nga dashnorja dhe më pas nga gruaja, dramë për të cilën nuk ka asnjë interes publik, Meksi ankohet se policia dhe prokuroria nuk po hetojnë siç duhet, thua se nuk ka punë më të rëndësishme drejtësia, por do merret me telenovelat e çunit të Kompetentit të Piramidave brenda MCN, televizion që e përdor për të sulmuar jo vetëm rivalët në tendera, koncensione, call centera dhe bixhoz, por edhe rivalët në dashuri.

Kërcënimi, nëse ka ndodhur, padyshim që është i dënueshëm, por nuk ka kurrfarë lidhje me lirinë e medias, por me pazaret e prishura dhe luftën mes klaneve për tenderat e IT, skema mashtrimi, kontrollin e bixhozit, koncensione etj. Media përdoret në këtë rast nga Endri Meksi si mburojë e interesave korruptive dhe aktivitetit kriminal.

Prokuroria e Tiranës dhe SPAK duhet të hetojnë se pse Endri Meksi përdori televizionin e tij për të sulmuar anëtarin e Komisionit të Prokurimit Publik (gjykatës së tenderave), Kreshnik Tërnovën. E ka sulmuar si rival në dashuri apo për t’a shantazhuar me qëllim për të pranuar ankesat e tij për tenderat e AKSHI-t?

SPAK duhet të hetojë se si e përfitoi Endri Meksi koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit, si i përfiton tenderat për sistemet e IT të institucione publike, të cilat çuditërisht sulmohen dhe u hakerohen të dhënat. SPAK duhet të hetojë se si fiton tendera Meksi nga AKSHI përmes dallavereve dhe pa plotësuar kriteret, se si i përlau Endri Meksi 33 milionë euro tendera nga ARRSH, duke mashtruar me zbatimin e kontratave dhe futur paratë në xhep.

SPAK duhet të hetojë rolin e Endri Meksit si ortak i perandorit të call centrave Amant Josifi, veprimtarinë e tij në ngritjen e sistemit të mashtrimit me pasoja të rënda, aktivitetin e call centerave, devijimin dhe pastrimin e parave produkt i aktivitetit kriminal.

Bashkimi me rrëmbyesin e vajzave në Itali Sadrit Danaj për tenderin e AKSHI-t

Çuni i kompetentit të Piramidave, Endri Meksi, ish ortaku i Amant Josifit në skemat e mashtrimit me pasoja të rënda përmes call centrave, pjesë dosjes ‘Balluku’, si dhe Sadrit Danaj, i skeduar nga Antimafia italiane për rrëmbim vajzash dhe trafik kokaine, janë bashkuar për të marrë tenderin 3.5 milionë euro të internetit të AKSHI-t, që po hetohet nga SPAK si organizatë kriminale.

(Sadrit Danaj dhe Endri Meksi)

Tenderi për dy përfaqësuesit e pastrimit të parave, mashtrimit dhe krimit është firmosur nga ish drejtoresha e komanduar e AKSHI-t, Romina Kostani, e cila tashmë është zëvëndësuar nga një tjetër ‘usta tenderash’, Igli Tafa. Ende pa u tharë boja e delegimit, ish mëkëmbësja e Mirlinda Kaçanajt, Romina Kostani, duke sfiduar SPAK, nisi të firmosë tendera për kompanitë e njerëzve të krimit dhe pastrimit të parave, pa plotësuar kriteret dhe në shkelje të ligjit, i cili ndalon pjesëmarrjen në tendera të subjekteve të ligjit anti-mafia.

Me pazar në tavolinë, me dokumente të dyshuara false dhe duke manipuluar procedurat tenderuese, Romina Kostani u ka dhënë tenderin e internetit të AKSHI-t, Sadrit Danajt dhe Endri Meksit, ndonëse kompanitë e tyre nuk kanë kapacitete, ifrastrukturë dhe shtrirje për të ofruar shërbimin e internetit për institucionet publike të parashikuar në dokukentet e tenderit.

Bëhet fjalë për kompanitë Mc Networking shpk dhe Nisalet shpk, të cilat janë shpallur fituese nga AKSHI të tenderit 3.5 milionë euro për shërbimin e internetit të AKSHI-t. Pas kompanisë Mc Networking qëndron Endri Meksi, i cili ka marrë edhe 33 milionë euro tendera korruptivë nga ARRSH-ja si dhe koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit kamufluar në emrin e mamit Dhurata Meksi.

Pronari i kompanisë tjetër përfituese Nisalet shpk është një figurë e hershme e krimit të organizuar shqiptar në Itali, Sadrit Danaj, i akuzuar për rrëmbimin e vajzës së një biznesmeni italian në vitet 2000 me qëllim shtrëngimi për gjobëvënie si dhe i skeduar për trafik kokaine. Danaj ka qenë pjesë e LSI-së së Ilir Metës dhe me propozim të tij u emëruar kryetar i Këshillit të Qarkut të Vlorës.

Sadrit Danaj është subjekt i zbatimit të ligjit anti-mafia edhe për shkak se është vëllai i Nexhmedin Danajt, të cilit SPAK-u i ka sekustruar pasuritë pasi është goditur nga Europol si kreu i grupi kriminal në Spanjë, i cili ka pastruar 65 milionë euro produkt i trafikut të kokainës.

Meksi sulm ndaj AKSHI-t për tendera

Endri Meksi ka mbi dy vjet që sulmon AKSHI-n përmes mediave të tij gjobëvënëse me qëllim për të hapur rrugën e përfitimit të tenderave korruptivë. Që kur grupi kriminal i goditur nga SPAK mori nën kontroll AKSHI-n, Meksi me kartelin e tij të kompanive doli jashtë loje. Duke u bashkuar me Sadrit Danajn, Endri Meksi, ortaku i Amant Josifit në aktivitetin kriminal të mashtrimit me pasoja të rënda, duket se ka mundur të ushtrojë ndikim të paligjshëm, duke korruptuar ish titullaren e AKSHI-t, Romina Kostani dhe dy anëtarë të KVO-së pranë AKSHI-t, duke marrë me pazar në tavolinë tenderin 3.5 milionë euro.

(Romina Kostani)

Zonja Kostani dhe anëtarët e KVO-ve janë nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat e AKSHI-t. Ka dyshime të forta se Kostani dhe anëtarët e KVO-së kanë marrë mbi 1 milionë euro për tenderin e internetit. Mbetet për t’u parë nëse edhe kjo aferë korruptive do të hetohet nga SPAK në kuadër të çmontimit të grupit kriminal të zhvatjes me tendera.

Endri Meksi në dosjen e Ballukut

Endri Meksi rezulton pjesë e dosjes 16 mijë faqe të SPAK-ut për zv/kryeministren Belinda Balluku. Çuni i ‘Sudes’ sipas përgjimeve në dosje, përdor median e tij si instrument presioni dhe shantazhi për të përlarë para publike, përmes tenderave me natyrë korruptive. Sipas dosjes voluminoze, Meksi përdor televizionin e tij mediokër MCN herë për lëpirje dhe herë si llastik për të marrë para publike.

Në qershor të vitit 2021, kreu i ARRSH-së Evis Berberi i shkruan Belinda Ballukut se Endri Meksi kishte çuar kamerat e televizionit të tij MCN para godinës së ARRSH-së duke bërë filmime. Zonja Balluku i përgjigjet Berberit, duke i thënë që mos t’a…fare për presionet e Endri Meksit, të cilit i referohet me epitetet ‘pallë’ dhe ‘gjobaxhi’. Sipas Ballukut, Meksi po përdor televizionin e tij për të ushtruar presion me qëllim për të marrë një tender supervizimi nga ARRSH-ja me anë të kompanive të tij, përfshirë MC Networking shpk.

Nga biseda kuptohet se Endri Meksi kërkon në mënyrë të paligjshme të marrë tenderin për supervizimin e një rruge, e cila është ndërtuar nga kompania Geci shpk, me pronar biznesmenin Ramë Geci, i cili gjithashtu rezulton pjesë e dosjes. Geci ka marrë 11 tendera nga ARRSH me vlerë rreth 65 milionë euro.

Referuar bisedave në dosje, Balluku i referohet Meksit me epitete si ‘pallë’, ‘k*rvë’, ‘gjobaxhi’ etj., ndërsa e këshillon Berberin të mos bie pre e presioneve të tij. Teksa Balluku ka refuzuar dhe sfiduar presionet e Meksit për t’u ushqyer me fonde publike, çuni i Komeptentit ka trokitur në zyrën e Ramës.

33 milionë euro nga ARRSH, Meksi në zyrën e Ramës për favore korruptive

Prapaskena ka dëshmi dhe evidenca se Meksi ka arritur të depërtojë në zyrën e Edi Ramës përmes një sekseri, duke i kërkuar tenderat me objekt Qendra e monitorimit të trafikut me vlerë 33 milionë euro, kërkesë e cila është pranuar nga Rama me sa duket në këmbim të lëpirjes mediatike. Dy tenderat Meksi i ka përfituar përmes kompanisë së tij të shitjes së kompjuterave MC Networking, në formë korruptive.

Tenderin e parë me vlerë 21 milionë euro me objekt “Qendra e monitorimit të trafikut (200 km) faza e parë”, për djalin e Kompetentit të Sudes e ka firmosur në prill 2023 pikërisht ish kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, në burg me kërkesë të SPAK për afera me tendera, me disa masa sigurie.

Endri Meksi, përmes kompanisë se shitjes së kompjuterave MC Networking ka përfituar në bashkëpunim edhe tenderin tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për fazën e dytë të monitorimit të trafikut me vlerë rreth 12 milionë euro, me flamur të kuq korrupsioni, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit.

Në gjurmët e Vis Berberit, tenderi i dytë është firmosur nga drejtori tjetër i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është marrë dy herë i pandehur nga SPAK-u, për dosjen e Berberit si dhe së fundmi për Tunelin e Llogarasë.

Në një hark kohor prej dy vitesh, Endri Meksi ka përfituar në bashkëpunim vetëm nga ARRSH dy tendera me vlerë 33 milionë euro. Teksa faktet penale janë evidente, mbetet për t’u parë nëse SPAK do t’a përfshijë çunin e Kompetentit të Sudes në grupin e të pandehurve për tenderat e ARRSH-së.

Koncensioni korruptiv i mbikqyrjes së lojërave të fatit. Pse duhet të hetohet nga SPAK-u?

Ashtu siç fshihet pas faqeve dhe profileve ordinere duke sharë pas ferre ‘miq’, ‘shokë’, ortakë dhe funksionarë publikë për t’u marrë tendera, djali i Kompetentit të Piramidave, Endri Meksi ka vendosur të fshihet pas mamasë, Dhurata Meksi, në zbatimin e skemës monopoliste dhe korruptive për mbikqyrjen e lojërave të fatit në Shqipëri, përmes kompanisë Moligix, të cilën e kontrollon me anë të kompanisë së shitjes së kompjuterave MC Networking.

(Dhurata Meksi)

Arsyet dhe rrethanat se pse koncensioni duhet të jetë objekt hetimi nga SPAK konsistojnë në faktin se shërbimi është përfituar me vendim qeverie me pazar në tavolinë, dy muaj para se të themelohej kompania koncensionare, në shkelje të barazisë në tendera dhe ankandeve publike, me grup fiktiv kompanish, pa plotësuar kriteret, përmes mashtrimit dhe në fshehtësi, në funksion të skemës korruptive dhe me natyrë mafioze për kontrollin e lojërave të fatit pas nxjerrjes jashtë loje nga forca të tjera të Ervis Martinajt, i njohur si ish mbreti i kumarit.

(Montazh, Endri dhe Dhurata Meksi)

Endri Meksi, biri i Kompetetit të Piramidave Aleksandër Meksi, ka vendosur mamanë Dhurata Meksi administratore të mbikqyrjes së kumarit, pikërisht si mburojë në rast veprimi të drejtësisë.

Fakte dhe rrethena

Në qershor 2017, Endri Meksi, përmes kompanisë MC Networking, themelon në bashkëpunim kompaninë Moligix me objekt projektimin, financimin, ndërtimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit Qendror të Monitorimit On-Line (SQMO) të industrisë së lojrave të fatit në Shqipëri etj.

Ndërkohë që në 6 qershor 2017 është themeluar kompania koncensionare Moligix, në 26 prill 2017, Niko Peleshi, asokohe zëvëndëskryeministër, ka firmosur në vend të Edi Ramës koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit për grupin e kompanive ATSI spolka akcyjnaAdmiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, që të tria të përfaqësuara nga Endri Meksi.

Dy muaj pas fitimit të koncensionit, tre kompanitë, dy nga të cilat shoqëri formale të sajuara nga Meksi në funksion të krijimit fiktiv të grupit të kompanive fituese, kanë themeluar kompaninë Moligix për zbatimin e koncensionit të dyshimtë. Përmes kësaj lëvizje, Meksi ka mundësuar zotërimin e koncensionit me 98 % të aksioneve, pasi ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbH qëllimisht u tërhoqën, duke pasur vetëm nga 1 % të aksioneve tek kompania Moligix, zbatuese e koncensionit.

Tre vjet më vonë, në korrik 2020, Endri Meksi cakton mamanë Dhurata Meksi administratore të kompanisë Moligix, e cila do të mbikqyrë aktivitetin e lojërave të fatit, për hapjen e të cilave po lobohet dhe janë paracaktuar përfituesit e të paktën 8 licencave.

Kompanitë me të cilat djali i Kompetentit të Piramidave fitoi koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit, të cilat tashmë kanë dalë jashtë loje, ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, janë shoqëri të sajuara nga e njëjta dorë në qytetin turistik Krakow të Polonisë si dhe në qytetin austriak Wiener Neustadt.

Dy kompanitë rezultojnë që janë përdorur për fasadë për të kopsitur letrat e koncensionit me fitues të paracaktuar. Pasi Dhurata Meksi bëhet administratore e Moligix, 100 % të aksioneve të grupit të kompanive zotëruese të Moligix kalojnë në duart e Endri Meksit, duke u bërë pronar i vetëm i koncensionit, ndonëse dyshohet se edhe vetë djali i Kompetentit është prestanome.

Kompania MGR, të cilës shoqëria Admiral Sportwetten GmbH i shiti 1 % të aksioneve që zotëronte tek Moligix, kontrollohet pikërisht nga Endri Meksi, i cili qëndron gjithashtu pas një rrjeti kompanish me veprimtari të dyshimtë.

Endri Meksi ortak me Amant Josifin e call centrave

Amant Josifi, kreu i organizatës kriminale ndërkombëtare të mashtrimit ‘Milton Group’ për Shqipërinë, vijon aktualisht aktivitetin kriminal në Dubai, ku është strehuar për t’i shpëtuar arrestimit, si njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe spanjolle si arkitekti i ngritjes së rrjetit më të frikshëm të mashtrimit me investimet e parave në bursat online. 

Një nga ortakët e Amant Josifit, i cili nuk u prek nga operacioni i SPAK, është pikërisht Endri Meksi. Josifi dhe Meksi janë ortakë në kompaninë e mashtrimit me call centera MCN SERVICES shpk, themeluar në qershor të vitit 2014. Dyshja Meksi-Josifi kanë operuar si ortakë me kompaninë e call centrave për pesë vite.

Në qershor të vitit 2019, Endri Meksi i ka blerë 30 % të aksioneve Amant Josifit, pikërisht kur organet e huaja ligjzbatuese po gjurmonin një nga mashtruesit më të famshëm shqiptar. Meksi është arkitekti i sistemit dhe infrastrukturës kriminale të Amant Josifit, i cili u ka zhvatur përmes mashtrimit qindra milionë euro qytetarëve evropianë.

20 kompani të dyshimta

Endri Meksi, ortak me Amant Josifin e call centrave dhe përfitues i miliona eurove tenderave publikë me hije korrupsioni, kontrollon rreth 20 kompani, përmes të cilave dyshohet se është përfshirë në vepra të rënda penale si pastrim parash, korrupsion, mashtrim me pasoja të rënda etj.

Pjesë e këtij rrjeti janë; Albcan AlbaniaMC Networking, Moligix, JOHANITERI, Interweb.al, KONNECT shpk, epay.al, ngn shpk, MCN Shpk, MCN SERVICES Shpk, MEDIUM PR&ADS Sh.p.k, Tema TV, 2 M Ltd, CODELAND Sh.p.k, HDS Sh.p.k, 528Hz Sh.p.k, MGR Sh.p.k, NT TECHNOLOGIES POLAND AKCYJNA, M.POS-Limited etj. Me këto firma, i biri Leka Meksit, dyshohet se qarkullon e pastron paratë që babai i tij u vodhi shqiptarëve në vitet 1992-1996 nëpërmjet Sudes, Xhaferrit, Alimuçajt, Drizës dhe Shemsie Kadrisë të “Gjallicës”.

Krahas kompanive, Kompetentët posedojnë edhe 50 pasuri të paluajshme, me vlerë miliona euro, me burim të dyshimtë. Pasuritë janë në emrin e Aleksandër, Dhurata, Endri dhe Redon Meksi. Ka dyshime gjithashtu se një pjesë e pasurive burojnë nga veprimtaria e Kompetentit Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i hajdutërisë me firmat piramidale, pas shkrumbimit të Shqipërisë në 1997, ku një pjesë e parave të zhvatura u investuan në biznes, troje dhe kulla.