Altin Ndoci në arrati, GJKKO e ndëshkon me gjobë

Kronike

Publikuar: 30/03/2026

Altin Ndoci në arrati, GJKKO e ndëshkon me gjobë

Altin Ndoci, i shpallur në kërkim prej janarit pas arratisjes nga spitali i Durrësit, vijon të gjykohet në mungesë nga Gjykata e Posaçme. Ndaj tij, gjykata ka vendosur një masë administrative me gjobë prej 50 mijë lekësh.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi, pas shqyrtimit të kërkesës së Ndocit për përjashtimin e gjyqtares kryesuese të çështjes, Engjëllushe Tahiri. Gjykata e konsideroi kërkesën të pambështetur në ligj dhe prova. Në të njëjtin vendim, u përcaktua edhe masa e gjobës ndaj të pandehurit.

Një masë e ngjashme administrative u vendos edhe ndaj Henrik Hoxhajt, i cili kërkoi përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese të përbërë nga Engjëllushe Tahiri, Aurel Arapi dhe Besmir Stroka. Edhe kjo kërkesë nuk u pranua.

Gjykata urdhëroi që vendimet të ekzekutohen nga Shërbimi Përmbarimor, pasi t’u komunikohen të pandehurve. Të dy akuzohen për vepra penale që lidhen me vrasjen dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.

Ndoci ndodhet në arrati prej 16 janarit, kur u largua nga spitali rajonal i Durrësit gjatë një vizite mjekësore. Ai ishte në paraburgim që prej vitit 2020 nën masën “arrest në burg”. Procesi ndaj tij vijon në mungesë.