Zegjineja dhe Peleshi bëjnë letrat sikur jetojnë me qira në Tiranë, marrin nga 300 euro në muaj nga Kuvendi, ligjvënësit kontrata dhe fatura fiktive për përfitime

Investigim

Publikuar: 29/03/2026

Zegjineja dhe Peleshi bëjnë letrat sikur jetojnë me qira në Tiranë, marrin nga 300 euro në muaj nga Kuvendi, ligjvënësit kontrata dhe fatura fiktive për përfitime

Deputetja e Roskovecit Zegjine Çaushi, e cila u bë e njohur për shkak të videove deri në nivel banal për Gaz Bardhin, ka vendosur të shfrytëzojë të gjitha privilegjet që burojnë nga statusi i deputetit. Zegjineja ka kopsitur letrat sikur jeton me qira në Tiranë, duke përfituar rreth 300 euro në muaj rimbursim nga buxheti i Kuvendit të Shqipërisë. Këtë privilegj ka vendosur t’a shfrytëzojë edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

Vendimi nr. 114/2014 për mënyrën e trajtimit të deputetëve parashikon që Kuvendi mbulon shpenzimet për strehimin në masën 35 000 lekë në muaj të deputetëve, të cilët nuk banojnë në rrethin e Tiranës. Këtë pikë të vendimit e kanë shfrytëzuar 17 deputetë, të cilët kanë paraqitur kontrata qiraje në Kuvend.

Ata janë Niko Peleshi, Antoneta Dhima, Ilirjan Pendavinji, Fadil Nasufi, Greta Bardeli, Hatixhe Konomi, Bledi Çomo, Erjo Mile, Erjona Ismaili, Genti Lakollari, Ledina Alolli, Ramion Kurti, Zegjine Çaushi, Ardit Bido, Elton Korreshi, Asforal Haxhiu dhe Alma Selami.

Kontratat dyshohen si fiktive nisur nga fakti se disa nga deputetët përfitues bazuar në deklaratat vjetore të pasurisë, kishin në pronësi dy deri në tre banesa, madje edhe në kryeqytet, biznese, magazina, makina luksoze si dhe të ardhura të majme mujore. Nga ana tjetër, disa deputetë përfitues kanë deklaruar se kanë jetuar në Tiranë, para se të merrnin mandatin e deputetit, që do të thotë se banimi i pretenduar me qira në Tiranë nuk është diktuar nga mandati i përfaqësimit në Parlament.

Kuvendi me shumë vështirësi ka vendosur në dispozicion kontratat e qirave të deputetëve, por ka fshirë të dhënat duke pamudësuar një verifikim në terren nëse vërtetë jetojnë me qira në banesat që deklarojnë.

Ndërkaq, përpos pagës bazë, 2.3 mijë euro në muaj, deputët përfitojnë edhe të ardhura të tjera nga statusi i ligjvënësit. Ata marrin rimbursim për karburant, në masën 400 euro. Rimbursim për shpenzime telefonie, në masën 17 deri në 20 mijë lekë ose rreth 200 euro. Gjithashtu, marrin dieta për udhëtimet brenda vendit, shuma të cilat shkojnë në disa raste deri në 2 mijë euro në muaj.