Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka çuar në gjyq dosjen skandalit të mashtrimit nga rrjeti TIBO me në krye Adnan Mahmuti dhe grupin e tij kriminal. Mahmuti, i skeduar për mashtrim me pasoja të rënda, akuzohet nga Prokuroria për pastrim parash, mashtrim, mospagimi i taksave e tatimeve dhe fshehje të ardhurash. Dosja me fakte dhe prova është kopsitur pas një hetimi gati 3-vjeçar nga prokurorët Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani.
Nëse Gjykata e Tiranës do të konfirmojë akuzat e Prokurorisë, Adnan Mahmuti rrezikon deri në 15 vite burg. Vepra më e rëndë penale, për të cilën akuzohet Mahmuti është pastrimi i parave, parashikuar në nenin 287 të Kodit Penal. Krahas dënimit, një tjetër sfidë e drejtësisë është identifikimi dhe sekustrimi i pasurive të fshehura nga Mahmuti, produkt i aktivitetit kriminal.

Çelësi i tjetërsimit dhe fshehjes së pasurive me qëllim për t’i shpëtuar nga sekustrimi dyshohet se është noterja Albana Mahmuti, bashkëshortja e Adanan Mahmutit. Çifti është ndarë fiktivisht në gjykatë për të humbur gjurmët e kamuflimit të pasurive produkt i mashtrimeve me pasoja të rënda. E njohur si noterja e krimit dhe pastrimit të parave, Albana Mahmutaj është bashkëpunëtorja kryesore e Adnand Mahmutajt në aktivitetin kriminal të konstatuar nga Prokuroria e Tiranës.
Përmes piraterisë, mashtrimit dhe një skeme të dyshuar korruptive me Fidel Yllin, Adnand Mahmuti ka përfituar miliona euro, duke i investuar në pasuri të paluajtshme dhe ngritur biznese, në emrin e familjarëve dhe të afërmve të besuar.
Pasuritë e paluajtshme përfshijnë vila pa leje në periferi të Tiranës, klinika botoksi pa licencë, apartamente, troje, ambiente tregate, lokale, dyqane, zyra, call centera etj., që të gjitha produkt i aktivitetit të dyshuar kriminal si pirateri, para me fajde, mashtrim me pasoja të rënda dhe transaksione të paligjshme me një grup të dyshimtë, përfshirë edhe turqit Fahrettin e Yigit Arman, babë e bir, me aktivitet të dyshimtë në Shqipëri nga restorantet tek mbetjet.
Për të kamufluar dhe pamundësuar bllokimin e pasurive, Adnand Mahmuti ka bërë ndarje fiktive me bashkëshorten Albana Karadaku (Mahmuti), duke kaluar pasuri dhe llogari bankare në emrin e saj dhe fëmijëve. Zyra e noterisë së Albana Karadakut është një provë e frikshme krimi, me noterizime false, kontrata fiktive, mashtrime etj.
Nuk është rastësi që dhjetëra kontrata pasurie që mbajnë vulën e zonjës Karadaku me ish pushtetarë dhe figura të krimit të organizuar janë pjesë e disa dosjeve të SPAK-ut. Aktiviteti i noteres Karadaku kompromenton rëndë edhe Ministrinë e Drejtësisë, e cila duhet të kishte marrë masa për heqje licence.
Vjehrra e Adnand Mahmuti N.K, dhëndri J.K, krushqia dhe personazhe të tjerë janë zbuluar nga hetimet e prokurorisë si pjesë të rrethit familjar, me të cilin biznesmeni ka kamulfuar pasuritë dhe qarkullon paratë e dyshimta.
Është identifikuar një kartel kompanish, përmes të cilave pirati i programeve televizive ushtron aktivitetin e dyshuar kriminal dhe qarkullonin paratë; Tibo Comunication, Magoware, BIg FM shpk, Tibo, Tibo-Al, 88 INTERNATIONAL, TIBO’N, Tibo Media, PortoPalermo Estate, ArfaNet, CLOUD KITCHEN, Black Monkey, Over Sport shpk etj.
Pas vendimit të dekuestros dhe gjatë hetimeve të Prokurorisë, pirati Adnand Mahmuti, me qëllim për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, ka arritur të tjetërsojë dhe kamuflojë aksionet e disa kompanive me shit-blerje fiktive, duke korruptuar zyrtarë të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ndërsa si gjithnjë janë implikuar edhe zyra noterie.
Si nisën hetimet, mashtrimi 2.2 milionë euro
Prokuroria thotë se hetimet kanë nisur pas denoncimit të bërë nga një biznesmene shqiptaro-gjermane, ku është zbuluar mashtrimi me vlerë 2.2 mln euro me autor Adnand Mahmuti, administrator dhe ortak i shoqërive “Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k..
Nga hetimet e nisura që në vitin 2023, ka rezultuar se Adnand Mahmuti, i ka marrë hua Mirlinda Heidorn, 2.200.000 euro, shumë të cilën biznesmenja e dispononte nga shitja e një pasurie të paluajtshme. Mahmuti i kërkoi paratë me qëllim që të investonte në një biznes së bashku me ortakun e tij Saimir Gora, aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike.
Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softwerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.
Prokuroria thotë se Adnand Mahmuti, duke përdorur pozitën e tij, nuk i ka kthyer shumën e parave biznesmenes Mirlinda Heidorn, ndërsa hetimet kanë dëshmuar se i gjithë rrjeti TIBO, së bashku me shoqërinë “Magoware” shpk, kanë pasur mundësi financiare për të bërë likuidimin e 2.2 milionë eurove.
Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se në vitin 2022, individët dhe shoqëritë e sipërpërmendura, kanë konsumuar veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’.
Administratori i TIBO Adnand Mahmuti nuk ka paguar detyrimet financiare si dhe nuk ka provuar ligjshmërinë e të ardhurave nga veprimtaria e kësaj kompanie.
Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit thotë Prokuroria, rezulton se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi.
Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.
Njoftimi i plotë i prokurorisë
Në përfundim të hetimit të procedimit penal nr. 2156, të vitit 2023, të nisur pas kallëzimit të shtetases M.H., rezultoi se gjithçka nisi pasi shtetasi A.M. i kërkoi një hua kësaj shtetaseje 2.200.000 euro, të cilat ajo i kishte përfituar nga shitja e një pasurie të paluajtshme, me qëllim që ai dhe ortaku i tij S. G., t’i investonin në biznes.
Ky shtetas ishte aksioner në shoqërinë “Magoware” shpk me objekt të aktivitetit ndërtimin, mirëmbajtjen përpunimin e të dhënave kompjuterike. Sipas kontratës, shuma e marrë hua do të përdorej për realizimin e projektit të kërkuar nga “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe realizimin e projektit të transmetimeve nëpërmjet aplikacioneve softwerike si Android, IOS, etj, për eventet e Serie A dhe të tjera, për sezonet 2021-2024.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi A.M., ka përdorur gënjeshtrën dhe shpërdorimin e besimit për të mashtruar kallëzuesen. Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore si dhe pozitën e tij si administrator dhe ortak në një grup shoqërish (“Magoware” sh.p.k., “Tibo” sh.p.k., “Tibo AL” sh.p.k., “Tibo Communication” sh.p.k. dhe “Oversport” sh.p.k.), në dëm të shtetases M.H, duke mos zbatuar kontratën për të kthyer shumën e marrë hua si dhe interesat.
Nga tërësia e volumit të transaksioneve të kryera si në shoqërinë Magoware shpk, ashtu edhe në shoqërinë OverSport shpk, rezultoi se këto kompani kanë patur mundësi financiare të vazhdonin të likuidonin huanë e marrë nga shtetasja H.M., por nuk e kanë bërë. Gjithashtu edhe shoqëritë ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me këto subjekte, kanë patur mundësi financiare për të kontribuar në kthimin e shumës së marrë.
Përsa më lart nga analiza e provave të administruara, rezulton se janë përmbushur të gjithë elementët objektivë të veprës penale të mashtrimit. Po kështu, edhe shtetasit B.K. administratore e “TIBO AL” sh.p.k, B.K., administratore e “Oversport” sh.p.k., M.G., administratoresë e “Oversport” sh.p.k, administrator i shoqërisë “Tibo Communications” si dhe S.G në cilësinë e administratorit të “Magoware”, kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Ato kanë vepruar me dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të kryera.
Shtetasit në fjalë si dhe kompanitë, kanë konsumuar edhe veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’ si dhe ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’. Nga ekspertimi kontabël rezultoi se gjatë vitit 2022, shoqëria “TIBO” sh.p.k. admnistruar nga shtetasi A.M. ka paraqitur një rritje të konsiderueshme të detyrimeve afatshkurtra në zërin “Të tjera të pagueshme”, e cila nuk mbështetet në burime të ligjshme dhe nuk është shoqëruar me dokumentacion financiar provues. Në këto rrethana, rezultoi se A.M., në cilësinë e administratorit të “TIBO” sh.p.k., ka vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni tatimor dhe kontabël, duke mos reflektuar të ardhurat reale të subjektit dhe duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse dhe po kështu edhe personat e tjerë të përfshirë.
Në lidhje me veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ nga analiza e dokumentacionit rezulton se “TIBO” ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet shoqërive të grupit, përfshirë huadhënien prej 383.158.664 lekësh ndaj “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Këto vlera janë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin e gjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.
Për sa më sipër, nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë rezultoi e provuar se të pandehurit kanë konsumuar veprat e mëposhtme:
A.M., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
B.K., ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
S.G., ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“MAGOWARE” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”’;
“OVER SPORT” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“TIBO AL” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
“TIBO Communications” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”; dhe
“TIBO” sh.p.k. ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.