Dokumentet / Si Hamz Islamaj vjedh paratë e tenderave me situacione false, përvetësoi lekët e rrugës 11 Nëntori që përplasi PD-PS në Elbasan (44 milionë euro para publike në llogari në 5 vjet)

Kryesore

Publikuar: 26/03/2026

Dokumentet / Si Hamz Islamaj vjedh paratë e tenderave me situacione false, përvetësoi lekët e rrugës 11 Nëntori që përplasi PD-PS në Elbasan (44 milionë euro para publike në llogari në 5 vjet)

Në prill të vitit 2023, PS dhe PD u përfshinë në akuza të ndërsjella në lidhje me një tender të Bashkisë Elbasan për rehabilitimin e rrugës “11 Nëntori”. PD pretendoi se tenderi ishte me flamur të kuq dhe se e kishte fituar një biznesmen i arrestuar. Akuzat e PD u hodhën poshtë nga Artur Guni, asokohe nënkryetar i Bashkisë Elbasan.

Në 31 mars 2023, Bashkia Elbasan shpalli fituese kompaninë BE-IS shpk për rikonstruksionin e rrugëve në lagjen 11 Nëntori. Vlera e tenderit është rreth 220 mijë euro pa TVSH. Është skualifikuar kompania Bajrami N e Nazif Bajramit, i skeduar për trafik droge në Zvicër, pasi kishte ndërhyrë në preventiv dhe kishte paraqitur ofertë të parregullt.

Pronari i kompanisë së ndërtimit BE – IS shpk është biznesmeni Hamz Islamaj, një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike përmes tenderave me hije korrupsioni, dokumente false, korrupsion të dyshuar, klientelizëm dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike. 

Edhe pse vlera e tenderit për rikonstruksionin e rrugëve në lagjjen 11 Nëntori në Elbasan është modeste, sërish kompania BE – IS shpk e Hamz Islamajt ka vjedhur një pjesë të parave publike me volume punimesh false, pra me situacione të rreme për punime të pakryera. Abuzimi është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimit të fundit të Bashkisë Elbasan, ku objekt kontrolli kanë qenë edhe disa tendera. 

Gjatë 10 viteve të fundit, kompania BE – IS shpk e Hamz Islamajt ka përfituar e vetme dhe në bashkëpunim rreth 200 milionë euro tendera publikë. Gjatë 5 viteve të fundit, në llogarinë e kompanisë BE – IS shpk e Hamz Islamajt kanë kaluar 44 milionë euro para publike.

Hamz Islamaj ka qenë pjesë e disa dosjeve të SPAK për afera me tendera, por ka arritur t’i shpëtojë përgjegjësisë penale. Emri i tij rezulton si përfitues në dosjen e ish kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla si dhe në dosjen 5D të Bashkisë së Tiranës. 

Porti i Durrësit 

Hamz Islamaj ka miq dhe ortakë në vendet e duhura. Një prej tyre është Ermal Nufi, që e gjen kudo ku ka para publike. Nufi nuk është vetëm një avokat i zakonshëm, ai është drejtor kabineti në Ministrinë e Infrastrukturës, Anëtar Bordi në Kadastër, “Albpetrol”, anëtar bordi në ARRSH dhe te kompania “Alabbar” në Durrës. Vëllai i tij, Edmir Nufi, është ortak me Hamz Islamajn në kompaninë e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”, e cila operon në Portin e Durrësit. 

Kulla me Artan Sakon 

Në mbledhjen e datës 19 shkurt 2025, Këshilli Kombëtar Territorit dhe Ujit miratoi 60 vendime për ndërtim kullash, resorte dhe godina publike. Mes vendimeve të miratuara përfshihet edhe ndërtimi i një kulle 27 kate në Tiranë nga kompanitë e ndërtimit 2T shpk dhe Be-is shpk, kompani të cilat gjatë dhjetë viteve të fundit kanë marrë rreth 410 milionë euro tendera publikë.

Administrator dhe bashkëpronar i kompanisë 2T është biznesmeni Artan Sako, vëllai i ish-drejtorit të Gardës së Republikës Gramoz Sakos. Kompania 2T, pas të cilës dyshohet se fshihet ish kreu i Gardës, Gramos Sako, hyri fuqishëm në tendera duke futur duart në buxhetin e shtetit pas ardhjes së PS-së në pushtet në 2013.

Gjatë 10 viteve të fundit, kompania 2T ka marrë rreth 230 milionë euro tendera publikë, e vetme dhe në bashkëpunim, me garë formale dhe pa garë, kryesisht me pazar në tavolinë, pra me paracaktim, dhe në shumë raste me oferta fituese gati sa fondi limit.

Përfituese edhe e dy koncensioneve, ka dyshime të forta se kompania 2T përfaqëson një nga linjat më të fuqishme dhe të konsoliduara të korrupsionit me tendera. Ndërkaq, në deklarimin e pasurisë në ILDKPKI, Gramos Sako, në një rast, ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka marrë një hua me vlerë 63 mijë euro tek vëllai i tij, Artan Sako, për t’i investuar në klinikën e saj dentare.