Një ngjarje e turpshme ka ndodhur së fundmi pasi Policia e Serbisë ka vënë në pranga katër shtetas të Republikës së Shqipërisë të cilët akuzohen për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare.
Mësohet se personat e arrestuar janë identifikuar si A.S. 37 vjeç, E.V. 42 vjeç, E.G. 48 vjeç dhe A.C. 21 vjeç.
Mediat serbe raportojnë se arrestimi ka ndodhur pas një videoje të publikuar nga A.S. në llogarinë e tij në Facebook, ku shfaqej së bashku me të dyshuarit e tjerë në një veturë të tipit Audi, duke udhëtuar më autostradë përmes Serbisë me simbolet e ‘Shqipërisë Etnike’.
Ndaj personave të arrestuar mësohet se është caktuar paraburgim deri në 48 orë.
Ndërsa thuhet se ata do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd ndaj të cilëve pritet të nisin dhe hetimet për rastin në fjalë.
Njoftimi i Policisë:
Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Policisë Kriminalistike, kanë arrestuar në territorin e Republikës së Serbisë A. S. (1989), E. V. (1984), E. G. (1978) dhe A. C. (2005), shtetas të Republikës së Shqipërisë, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare.
Dyshohet se A. S. sot, në ditën e shënimit të fillimit të bombardimeve të NATO-s, në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar një video në të cilin ndodhet në një automjet “Audi”, në shoqëri me të dyshuarit e tjerë, gjatë lëvizjes në autostradë nëpër Serbi, ku në mënyrë të papërshtatshme kanë shfaqur simbole të “Shqipërisë së Madhe”, si dhe në mënyrë verbale, në kontekst negativ, kanë përmendur Republikën e Serbisë, duke përdorur fjalë të papërshtatshme.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës, me kallëzim penal, do të dërgohen në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd – Departamenti i posaçëm për luftimin e krimit të teknologjisë së lartë.