Djaloshi nga Libofsha, Samet Gurguri, është bërë emër i njohur, pasi përmendet në çështjen e Monika Kryemadhit, Ilir Beqajt dhe, më e rëndësishmja, në çështjen “Veliaj”. Emri hetuesit të BKH-së Samet Gurguri u kthye edhe dje në mollë sherri në GJKKO mes ish kreut të SPAK-ut Altin Dumami dhe ish deputetit socialist Plarent Ndreca, i cili është avokat i Erion Veliajt. Debatet u zhvilluan në GJKKO gjatë seancës së radhës për dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
“Ki kujdes kur përmend agjentët e BKH dhe mënyrën si u drejtohesh. Kanë zbatuar vendimin e gjykatës“. Kështu iu drejtua dje Altin Dumani avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, duke iu referuar Samet Gurgurit, i cili është dërguar për t’i çuar aktet hetimore Erion Veliajt në burgun e Durrësit.
Ndërkaq, sipas prokurorit Ols Dado, Veliaj ka fyer Sametin, por edhe vetë Dadon. “Në zbatim të urdhrit kanë shkuar në IEVP Durrës dhe kanë kontaktuar me Erion Veliaj. Që në fillim, Erion Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese, edhe fyese ndaj hetuesve të BKH. Ka qenë reagim jo etik dhe fyes, duke refuzuar të marrë aktet. Në këto kushte është larguar dhe ka vënë në dijeni të gjithë zinxhirin në burg, që nga juristët e deri tek drejtuesit. Ata të gjithë së bashku kanë shkuar t’i sqarojnë Erion Veliajt arsyen. Është kundërshtuar dhe Veliaj i është drejtuar me fjalët “Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. Ky pis, abortin e dy fëmijëve të mi s’kam për ta falur.” Më pas, në një dhomë janë vendosur nga Samet Gurguri dhe juristët e IEVP dokumentet dhe aktet në paraburgim“, ka pohuar Dado, i emëruar prokuror në kundërshtim me ligjin.
Sameti është hetuesi që dërgoi mesazhin e famshëm në ditë pushimi në telefonin e Ajola Xoxës, mesazh që bëri Erion Veliajn të humbiste toruan dhe të “kërcënonte” po me mesazh hetuesin Gurguri, pasi ky i kishte shqetësuar gruan në kohë të papërshtatshme.
“Teksa avioni bëhej gati për nisje, duke qenë se u bë e përsëritur, që sapo largohesha nga jashtë vendit, Olsi i sulej familjes sime, i shkruaj me sms këtij Sametit “është ditë e shtunë – sabat, shabat – edhe Perëndia pushoi të shtunën” dhe i kujtoj se është “turp kjo përndjekje e përsëritur e sime shoqeje… Ah, i bëra edhe një kërkim në Google këtij Sametit e më doli një specialist në Spital të Fierit, aktivist i Partisë Demokratike, dega Libofshë, dhe komentues i rregullt kundër partizanëve, antifashistëve dhe komunistëve gjakatarë. Unë jam shumë i lumtur që PD-ja ka degë në Libofshë, pluralizmi në çdo cep të Shqipërisë është shenjë e një demokracie aktive. Jam gjithashtu i ngazëllyer që aktivistë si Sameti i japin Partisë së Kënetës kohën, energjinë dhe statuset e tyre – gjaku i ri për kërma si Saliu është jetik për mbijetesën e kufomës së tij politike…”, ka shkruar Veliaj për Sametin.
Samet Gurguri, me arsim juridik, të vetmen eksperiencë që e lidh me misionin e BKH-së ka punën disa vjeçare si “jurist” në Spitalin e Fierit.
Juristi i spitalit, nga kolegët njihej me nofkën “mustaqja” e Libofshës, për pasionin që kishte për të ndihmuar pacientët e pavionit të gjinekologjisë. I licencuar si avokat në 2020, 25-vjeçari, hetuesi i ardhshëm i BKH-së hapi në mes të gushtit 2020 një NIPT avokati me adresë në Libofshë, të cilin e mbylli pas disa muajsh, kur fitoi të drejtën për të qenë hetues i BKH-së.

Rregullorja Nr. 36, Datë 24.09.2020 për përzgjedhjen dhe rekrutimin e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, u shkel me të dyja këmbët, si për rastin “Gurguri” ashtu dhe për të paktën 15 të tjerë. Por rasti i rekrutimit të Samet Gurgurit mban më shumë “erë” për faktin se përfaqëson një person me prirje familjare ekstremisht të djathta. Familja “Gurguri” urren komunistët dhe dashuron demokratët.
Kjo njihet nga të gjithë bashkëfshatarët e komunës së Libofshës. “Sameti dhe vëllezërit e tij kanë qenë gjithmonë aktivistë të PD-së”, tregon një banor nga fshati Vanaj i komunës Libofshë.
Vetë hetuesi shqiptar me emër turk shfaq një ndjenjë të hapur armiqësie për “komunizmin” që në gjenezë dhe për pinjollët e tij. Kjo tregohet në një koment replikues ndaj postimit publik që bën ish-presidenti Ilir Meta, në përvjetorin përkujtimor të ngjarjeve të Luftës së Pezës.

Ironik është fakti se, përpara antikomunistit – Samet Gurguri, dy herë në muaj paraqitet ish-bashkëshortja “komuniste” e Ilir Metës, Monika Kryemadhi. Përpara tavolinës së hetues Sametit nga Libofsha, duhet të kalojnë me radhë edhe trashëgimtarët e familjeve komuniste Ilir Beqja apo Ajola Xoxe.