Në seancën e radhës në GJKKO ka pasur debate mes dy prokurorëve të SPAK Altin Dumani dhe Olsi Dado, me avokatët mbrojtës të Erion Veliajt, sidomos me Plarent Ndrecën. Shkak është bërë kërkesa e Ndrecës për të tërhequr aktet hetimore të shoqëruara (28 mijë faqe nga dosja) me procesverbal, që aktualisht ndodhen në një dhomë në paraburgimin e Durrësit, ku i janë dorëzuar Veliajt fizikisht më 11 Mars.
Prokurori Dado ka thënë në seancë se ditën kur hetuesit e BKH-së kanë shkuar në paraburgimin e Durrësit për t’i dorëzuar Veliajt aktet hetimore, janë përballur me një sjellje kundërshtuese dhe fyese nga ana e kryebashkiakut. Sipas Dados, Veliaj ka thënë se Dafo ka 300 apartamente dhe se nuk do t’ia falë dy aborte të bashkëshortes. Nga ana tjetër Dumani ka paralajmëruar Plarent Ndrecën që të kishte kujdes kur përmendte hetuesit e BKH-së, duke iu referuar Samet Gurgurit.
Pjesë nga diskutimet në seancë
Ols Dado: Procesverbali e thotë qartë. Në zbatim të urdhrit kanë shkuar në IEVP Durrës dhe kanë kontaktuar me Erion Velian që në fillim, Erion Veliaj ka shfaqur sjellje kundërshtuese, edhe fyese ndaj hetuesve të BKH. Ka qenë reagim jo etik dhe fyes, duke refuzuar të marrë aktet. Në këto kushte është larguar dhe ka vënë në dijeni të gjithë zinxhirin në burg, që nga juristët e deri tek drejtuesit. Ata të gjithë së bashku kanë shkuar t’i sqarojnë Erion Veliajt arsyen. Është kundërshtuar dhe Veliaj i është drejtuar me fjalët “Gruaja ime abortoi dy herë. Më keni shkatërruar. Ols Dado ka 30 apartamente. Ky pis, abortin e dy fëmijëve të mi s’kam për ta falur.” Më pas, në një dhomë janë vendosur nga Samet Gurguri dhe juristët e IEVP dokumentet dhe aktet në paraburgim.
Aktet i janë dorëzuar në formë të skanuar që më 24 korrik 2025. Ka 8 muaj që i ka marrë. Ka pasur të gjitha mundësitë për t’u njohur me aktet. Erion Veliaj, në më shumë se një rast në kërkesat për zëvendësim mase, thotë se ka gjetur në fashikuj shkresa kontrate, pra ai i ka lexuar aktet. Ose i ka njohur, ose e kanë njohur avokatët me aktet, pra është në përputhshmëri. Megjithatë, gjykata ka vendosur t’ia dorëzojë. Tani del që do riinventarizohen; këtë kërkon që të shtyjë procesin, që ta kthejë procesin mbrapa në kohë?
Plarent Ndreca: Merrni masa që i pandehuri, bashkë me avokatin, të marrë aktet. Aktet ai i ka marrë, po s’e di. Hajde merri. Por nuk i thuhet “na merri, ja ku i ke”. Ata kanë shkuar pa njoftuar fare. I kanë thënë në qeli, jo në dhomë pritjeje: “Merri, ja ku i ke”. Ka një vit në burg. Patjetër që përfshihet nga emocione dhe do të ketë reagim. Si jepen aktet pa procesverbal? Aktet duhet të ballafaqohen dhe të njihet në mënyrë reale me to. Jam vetë i gatshëm që të jem prezent për të asistuar klientin dhe t’i marrë ashtu siç duhet.
Altin Dumani: BKH nuk është urdhëruar nga gjykata për ta njohur me aktet. Ki kujdes kur përmend agjentët e BKH dhe mënyrën si u drejtohesh. Kanë zbatuar vendimin e gjykatës. Nuk ka akte “hopshe”; bëj verifikimin dhe shko njihu me fashikujt. Mos improvizo situata që nuk ekzistojnë. Ne flasim me akte, jo me hamendje si ju.
Ols Dado: Në fashikuj ekziston inventari dhe e keni aty. Shkoni dhe merreni.
Altin Dumani: Plarent Ndreca është pyetur në fazën e hetimit paraprak dhe jemi në kushtet ku nuk mund të legjitimohet si mbrojtës.
Plarent Ndreca: Nuk jemi në kushtet e papajtueshmërisë. Deklarimet në hetimet paraprake nuk përbëjnë provë. Unë jam pyetur për njohjet me Veliajn dhe Xoxën, por edhe për kompani, nëse kam njohje, por nuk rezulton. Jam pyetur për një foto që është gjetur në zyrat e Xoxës, por nuk kam pasur lidhje. Thëniet që unë kam bërë s’kanë lidhje me këtë proces dhe nuk cenojnë interesin e gjykimit. Nuk jemi në kushte papajtueshmërie.
Altin Dumani: Është vlerësimi juaj (Gjykatës) nëse e legjitimoni, sepse për ne s’ka ndonjë pengesë, por duhet parë ligji. Të shmanget mundësia e një pavlefshmërie apo dështimi të ardhshëm.
Ndreca: Kështu e komentova, si një merak. Por e sqarova dhe thëniet e mia nuk kanë asnjë interes të ndërsjellë.