Dy mashtuesit Murat dhe Mustafa Ilbak që po zhvatin floririn e Mirditës nga burgu në Turqi, mashtrim me bilancet, investimet dhe pastrim parash

Kryesore

Publikuar: 23/03/2026

Dy mashtuesit Murat dhe Mustafa Ilbak që po zhvatin floririn e Mirditës nga burgu në Turqi, mashtrim me bilancet, investimet dhe pastrim parash

Kompania “Tete Albania Tunnel & Mining”, në pronësi 51% të grupit ILBAK Holding, me aksionerë Murat dhe Mustafa Ilbak, prej vitesh kryen aktivitetin e saj të kërkim–zbulimit të mineraleve me vlerë në vendin tonë, në zonën e Mirëditës, në shkelje të ligjit, duke mashtruar me bilancet, shkelur kontratën komcensionare, mashtrim me investimet, shkelur të drejtat e punonjësve, devijuar fitimet, pastruar para etj. 

Shoqëria aksionare “Tete Albania Tunnel & Mining” figuron me flamur të kuq për shkak të mosdepozitimit të pasqyrave financiare vjetore, mbajtja e të cilave sipas ligjit është e detyrueshme. Në muajin mars 2025, mediat turke raportuan se aksionerët e Ilbak Holding u arrestuan për mashtrime financiare, tendera korruptivë dhe akuza për lidhje me terrorizmin. 

Aktualisht, me masë arresti nga shteti turk janë Murat Ilbak dhe Mustafa Ilbak, dy aksionerët e grupit Ilbak Holding. Shumë prona, llogari bankare dhe asete kompanish të grupit Ilbak Holding muajt e fundit janë sekuestruar nga shteti turk.

Skandali merr përmasa të mëdha, pasi në vitin 2016, pak para marrjes së minierës së Spaçit me koncesion, zyrat e administratorit të kësaj kompanie, z. Eyup Batal, u bastisën nga policia turke. Sipas mediave atje, ai akuzohet për një mashtrim financiar mbi 3 milionë euro kundrejt televizionit shtetëror turk, TRT.

Mashtrim me investimetaktivitet pa leje 

Shoqëria aksionare “Tete Albania Tunnel and Mining“ është zotëruese e Lejes Minerare të Kërkim–Zbulimit nr. 1954, datë 26 korrik 2023, për mineralin bakër, në objektin Perlat-Shebë, në Mirditë. Mirëpo, nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, më datë 1 shtator të këtij viti është propozuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë revokimi i kësaj leje, për arsye se, pas inspektimeve në terren nga strukturat përgjegjëse, është konstatuar se shoqëria nuk ka realizuar volumet fizike dhe investimet e miratuara në projektin e zhvillimit të veprimtarisë minerare të kërkim–zbulimit. 

Në përgjigjen zyrtare të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar bëhet me dije se kompania “Tete Albania“ ka realizuar vetëm 1.43% të investimit total të planifikuar në dy vite. Por Shërbimi Gjeologjik dhe Ministria e Infrastrukturës nuk janë të vetmet institucione që kanë urdhëruar ndalimin e punimeve nga kompania turke në zonën e Perlat-Shebës. 

Më datë 25 shtator 2025, në njoftimin drejtuar këshilltarëve lidhur me mbledhjen e datës 30 shtator të Këshillit Bashkiak Mirditë, vihet re se në rendin e ditës ishte parashikuar diskutimi për dy pika që lidhen me “dhënien në përdorim me kontratë qiraje të fondit pyjor” subjektit “Tete Albania Tunnel and Mining”, në njësinë administrative Orosh, zona e Gurth-Spaçit, ku ndodhet edhe miniera e Spaçit, si dhe në njësinë administrative Kthellë, zona e Perlat-Shebës.

Mirëpo, në mbledhjen e datës 30 shtator 2025, këto dy pika u tërhoqën nga kryetari i bashkisë, çka do të thotë se shoqëria “Tete Albania” nuk e ka miratimin as nga Këshilli Bashkiak për vijimin e punimeve në atë zonë.

Shkarkim punonjësisht

Pika e dytë problematike e kësaj kompanie është zona e Spaçit, aty ku ndodhet miniera e Spaçit, të cilën e shfrytëzon prej 7 vitesh kjo shoqëri aksionare. Kjo ka detyruar minatorët vendas, prej më shumë se një muaji, të nisin protestat për përmirësimin e kushteve të punës dhe rishikimin e pagave dhe, për këtë shkak, dhjetëra punonjës janë pushuar nga puna.

Kompania e ka bazuar urdhrin e pushimit te mosparaqitja e punonjësve për ditë me radhë në vendin e punës, pavarësisht se ata ishin në një grevë të ligjshme për kushtet atje. Situatë kjo që vuri në alarm institucionet, të cilat një javë më parë zbarkuan në minierën e Spaçit.

Minatorët janë anëtarësuar pranë Konfederatës së Sindikalistëve të Shqipërisë, duke formuar Sindikatën e Minatorëve, por kompania turke nuk e njeh këtë akt dhe nuk pranon të flasë me përfaqësuesit e minatorëve. Nga ana tjetër, institucionet e shtetit shqiptar dështuan në ndërmjetësimin e palëve, duke i lënë minatorët aty, të zhgënjyer, të lodhur, por të sigurt se do të vijojnë të jenë pa punë, në protestë, para derës së kompanisë.

Kërkim për florinjmiliona euro nga rimbursimi i TVSH-së

Kompania mëmë e “Tete Albania” ka themeluar një tjetër subjekt me aktivitet në fushën minerare, ku përfshihet, mes të tjerave, edhe kërkimi i floririt. Kompania në fjalë nuk zotëron leje minerare. Nuk dihet nëse krijimi i kompanive në grup mund t’i shërbejë skemës së qarkullimit të flukseve të parave për të ndikuar në nxjerrjen e bilanceve pa fitim. Në të njëjtën kohë, kjo prodhon volum tregtar dhe, si rrjedhojë, mund të përdoret për përfitimin nga rimbursimi i TVSH-së. Në thelb, rimbursimi në fund mbetet fitim i privatit dhe dëm i interesave të shtetit, për sa kohë kompania që shfrytëzon minierën deklarohet pa fitim.

Janë një sërë institucionesh të cilat duhet të kishin marrë masa dhe ushtruar kontrolle në kompaninë “Tete Albania” për të verifikuar bilancet me humbje. Fillimisht janë tatimet që do të duhej të vepronin. Një arsye e fortë që do të shërbente si alarm për shtetin është pagesa e TVSH-së që i bëhet kompanisë.

“Tete Albania”, referuar të dhënave në Thesarin e Shtetit nga viti 2019 e deri më sot, ka përfituar nga shteti shqiptar plot 1.5 miliardë lekë rimbursim të TVSH-së. Janë 27 transaksione të bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në llogari të kompanisë “Tete Albania”. Pra, një skemë e ngjashme me atë që Prokuroria po heton për kompaninë “Bankers”, që shfrytëzon fushën naftëmbajtëse në Patos-Marinzë.

Referuar dokumenteve, rezulton se rimbursimi i TVSH-së për kompaninë është shumë i rëndësishëm, pasi është i vetmi fitim. Gjatë vitit 2022, shoqëria ka kërkuar disa rimbursime TVSH-je që i përkasin viteve 2021 dhe 2022. Të ardhurat e përllogaritura lidhen me shitjen e bakrit të kryera për llogari të klientit të vetëm, Traxys, gjatë vitit 2022, të cilat nuk janë faturuar te klienti në datën e raportimit.

Gjatë vitit 2022, shoqëria ka hyrë në marrëveshje të reja dhe ka vazhduar marrëveshjet e mëparshme për punët përgatitore dhe ndërtimin e fabrikës. Edhe këtu, paratë e fituara deklarohen për investime apo detyrime ndaj të tretëve.

Gurët e çmuar që nxirren nga galeritë e Mirditës

Inside Story ka siguruar material të marrë në galeritë Gurth 3 të cilët që në pamje të parë tregojnë se vlerat e tyre janë të mëdha. Ngjyra e verdhë e cila shkëlqen në diell e forcon lidhjen e tij me floririn. Ndërsa guri tjetër tregon se në përmbajtjen e tij ka shumë zink.

Në galeritë e nëndheshme të Spaçit, aty ku drita e llambës prek sipërfaqen e lagur të shkëmbit, mineralet fillojnë të tregojnë historinë e tyre. Dy gurët që shohim janë harta të fshehta, gjurmë të procesit të thellë gjeologjik që krijon metale të çmuara, përfshirë edhe floririn.

Me sipërfaqe që ndez ngjyrimet e arit, vjollcës dhe blusë, është një përzierje dominuese e piritit dhe kalkopiritit. Shkëlqimi i fortë i arit tregon kristalizim të pastër piritik, pikërisht ato struktura kristalore ku gjeologët e dinë se mund të strehohen gjurmët më të imëta të floririt.

Vijat që vezullojnë në ngjyrën vjollcë të kaltër, tregojnë oksidimin sipërfaqësor të kalkopiritit, një mineral që në shumë vendburime sulfurike, përfshirë Spaçin, shërben si “transportues” i floririt në nivele mikroskopike. Edhe ato zona me ngjyrë blu të thellë, ku borniti ndez shkëlqimin e tij vajor, janë shenja se kjo masë është formuar në kushte të nxehta, ku metalet e rënda dhe të çmuara lëvizin së bashku.

Në këtë gur me trupin gri-metalik dhe venat e gjera blu në vjollcë, piriti paraqitet në masë kompakte. Kjo përbën një strukturë të njohur ndër gjeologët si zonë ku floriri tenton të inkorporohet brenda vetë rrjetit kristalor, i padukshëm për syrin e njeriut.

Vija të trasha të kalkopiritit të oksiduar ndërpresin masën gri dhe japin pikërisht atë lloj teksture që shihet shpesh në zonat më të mineralizuara, aty ku metalet e çmuara kanë më shumë gjasa të jenë depozituar. Edhe njolla e verdhë metalike në cep, një pikë e fortë ari e errët, tregon një zonë kristalizimi të vonshëm, ku metalet kanë mundur të përqendrohen.

Në këto dy gurë, floriri nuk shfaqet si thërrime, nuk shkëlqen në sipërfaqe. Ai qëndron i fshehur, i lidhur fort brenda piritit dhe kalkopiritit, pjesë e historisë së krijimit të tyre. Në vendburime si Spaçi, floriri nuk gjendet si thesar i dukshëm, ai është një sekret i brendshëm i mineralit, një gjurmë që zbulohet vetëm kur masa sulfurike studiohet, përpunohet apo analizohet.

Çdo gur, pavarësisht madhësisë që ka, ngjyrat dhe nuancat tregojnë për minerale të rralla. Vetëm me sy të lirë sigurisht që nuk mund të përcaktohet vlera e tyre, por institucionet, nëse do të bënin analiza lëndës së parë që del nga nëntoka përpara se të eksportohet, do të mund të përcaktonte lehtësisht elementët që përmban bakri.

Ky është realiteti i nëntokës në Spaç, Letitna e Gurth. Të gjitha këto galeri shfrytëzohen nga e njëjta kompani “Tete Albania”. Spaçi është në kufi me Munellën, pra bëhet fjalë për të njëjtën masiv shkëmbor që shfrytëzohet. Në të shkuarën në këto zona është nxjerrë flori i pastër, po sot çfarë ndodh? Po shteti shqiptarë pse hesht?