Korrupsioni në Hipotekë, muajt e fundit, ka njohur zhvillime dhe ‘suksese’ të paimagjinueshme dhe të parrokshme nga një mendje normale. Nëse më parë aplikoheshin tarifa e korrupsionit për çdo veprim normal administrastiv për legalizim prone, muajt e fundit është vendosur edhe një tarifë e pazakontë, konkretisht për shërbimin e lëshimit të faturës për tarifat në Hipotekë. Tarifa standarde për një legalizim prone është nga 5 deri në 15 mijë euro, ndërsa për troje dhe toke me përparësi rreth Tiranës dhe bregdet është 50 deri në 200 mijë euro për parcelë.
Për një regjistrim prone tarifa e korrupsionit është 2 deri në 5 mijë euro. Edhe për të marrë certifikatën e pronësisë tarifa e korrupsionit është 2-3 mijë euro. Për të marrë lejen e legalizimit për zonat me prioritet tarifa e korrupsionit është 5 deri në 15 mijë euro. Për çdo veprim administrativ në kuadër të plotësimit të dosjes tarifa e korrupsionit është 1 deri në 2 mijë euro. Edhe për të prerë një faturë, siç e theksuam më lart, ka tarifë korrupsioni, e cila varion nga 200 deri në 300 euro.
Hipoteka është banda më e frikshme, më elitare dhe më e strukturuar e korrupsionit në Shqipëri, duke lënë pas doganat dhe tatimet. Anëtarët e kupolës së Hipotekës janë milionerë në euro. Në krye të piramidës së korrupsionit brenda shtetit shqiptar është aktualisht, Lorena Goxhobelli. Zonja Goxhobelli është përfaqësuese e miksimit të klaneve politike, oligarkike dhe e krimit të organizuar.

Ajo u emëruar në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në fund të muajit gusht 2024 nga këshilltare e Niko Peleshit në Ministrinë e Mbrojtjes. Lorena Goxhobelli e këshillonte Peleshin për manovrat e tjetërsimit të pronave të ushtrisë, duke i kaluar një rrethin e një klientele oligarkësh, duke i kthyer në saraje dhe resorte private me para të dyshimta.
Lorena Goxhobelli është stërvitur fillimisht nga ‘mamuthi’ i korrupsionit dhe i aferës së drurit të arrës, Genc Ruli, në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në Drejtorinë Juridike dhe në Drejtorinë e Licencave dhe Menaxhimit të Kontratave, duke finalizuar disa zhvatje të pasurive publike.
Pas vitit 2009, kur Sali Berisha e kaloi Rulin në krye të ministrisë së Bujqësisë, Lorena Goxhobelli u agazhua në abuzimet me projektet e financuar nga Bashkimi Evropian për ngritjen dhe forcimin e strukturave shtetërore për menaxhimin e decentralizuar të asistencës financiare të BE-së.
Ndërkaq, për 10 vite me radhë, 2014-2024, Lorena Goxhobelli nuk i është ndarë si këshilltare Niko Peleshit, zëvëndëskryeministër, kur ky i fundit ishte ministër Bujqësie dhe në fund ministër i Mbrojtjes, ose më saktë ‘petaniku’ nuk i është ndarë Goxhobellit. Gjatë 20 muajve në krye të Hipotekës, Goxhobelli ka bërë kërdinë në tjetërsimin e pronave publike për oligarkë dhe krimin e organizuar, ndërsa ka menduar edhe për vete, duke shumfishuar pasurinë.
Hipoteka si pasqyrë e krimit dhe korrupsionit
Shefat e degëve të hipotekave deri tek specialistët janë kryesisht emërime të sponsorizuara të krimit të organizuar, të grupeve kriminale që ka goditur SPAK-u, të oligarkëve, ish ministrave dhe disa deputetëve. Kupola vepron nën urdhërat e këtyre faktorëve për të kopsitur dosje legalizimesh për llogari të tyre, ndërsa për dosjet e tjeta zbaton tarifat e korrupsionit.
Pas shumë konferencave propagande për pronat dhe nismës së bashkëqeveverisjes që i doli boja gradualisht, duket se edhe Edi Rama më në fund është dorëzuar. Pas 13 viteve në pushtet, korrupsioni në hipoteka vetëm sa është strukturuar dhe janë rritur tarifat, ndërsa ky institucion shtetëror është kriminalizuar plotësisht. Në vijim, Prapaskena do të publikojë emrat e të gjithë punonjësve kyç të hipotekave, lidhjet e tyre përkatëse, pasuritë dhe pronat e fshehura, produkt i aferave korruptive.
Fenomeni Marin Kala i LSI-së në Hipotekë
Batërdia tek hipotekat nuk është abstrakte apo një virus i padukshëm, por ka emra konkretë. Njerëzit kyç në hipoteka nuk kanë fjetur gjumë, kanë punuar natë e ditë, jo për qytetarët, por për veten e tyre, duke kopsitur letrat për të kaluar prona publike dhe private në emrin e vet dhe në emrin e familjarëve të tyre. Krahas tarifave të pashpallura të korrupsionit për një të drejtë që u takon qytetarëve, ‘ujqërit’ e hipotekave janë kthyer në bejlerë të pronave nga Tirana në bregdet, duke tjetërsuar dhe përvetësuar prona.
Nëse Edi Rama nuk është në dijeni, meqenëse është fokusuar më shumë në punët e jashtme, po sjellim një shembull konkret. Martin Kala u katapulua drejtor Hipoteke, Drejtoria Vendore Rurale 1 Tiranë. Kala vjen nga LSI, shkolla më e njohur e korrupsionit në Ballkan, madje i këndonte Monika Kryemadhit “Ti je kështella jonë’ bashkë me Floida Kërpaçin, tashmë e deklasuar nga Ilir Meta si puçiste. Kala ishte një nga ‘specialistët punëmbaruar’ të LSI te Hipoteka.

Teksa në fushatën e fundit është shfaqur në krah të Ilir Metës, nuk dihet se si Martin Kala u ngjit në pozicionin kyç të Hipotekës, për të kopsitur letrat e tjetërsimit të pronave në periferi të Tiranës, të piketuar nga oligarkët për të ndërtuar komplekse vilash. Por gjatë kësaj detyre të rëndësishme, Kala ka menduar edhe për veten e tij. Në emrin e njerëzve të afërt Martin Kala kanë kaluar disa prona në zonën e TEG-ut, histori për të cilën do të flasim më në detaje në vijim. (Pronat i ka regjistruar vetë, duke i kaluar në emrin e njerëzve të afërt).