Bandat shqiptare kanë forcuar kontrollin e tyre në tregjet e drogës në Mbretërinë e Bashkuar dhe shesin kokainë pluhur në grupe të koduara. Djem adoleshentë dhe persona vulnerabël zakonisht rekrutohen për të transportuar drogë nga zonat qendrore drejt periferive, për llogari të bandave.
Në një artikull investigative, The Times, ndalet te mënyrat e reja që po përdorin bandat apo grupet kriminale, për të shitur narkotikë.
Sipas artikullit, konkurrenca në rritje dhe ndryshimi i modelit të biznesit kanë bërë që metodat e rekrutimit të bëhen më agresive.
Vëmendja kryesore e policisë është te heroina dhe kokaina crack, ccka duket se u krijon hapësira grupeve kriminale të shesin kanabis dhe MDMA te përdoruesit e klasës së mesme përmes aplikacioneve të koduara të mesazheve.
Bandat që shesin droga rekreative te përdoruesit, përmes rrjeteve sociale, po veprojnë pa u ndëshkuar, pasi ligji nuk po arrin të ndalojë veprimtarinë, ka zbuluar investigimi i The Times.
Dhjetë vjet pasi Agjencia Kombëtare e Krimit ngriti alarmin për “county lines”, sot ekzistojnë më shumë se 6500 linja droge në funksion, dhe bandat po përshtaten me droga të reja, metoda rekrutimi dhe mënyra shitjeje.
Janë shpenzuar dhjetëra milionë paund për të mbyllur afro 10.000 linja dhe për të arrestuar 30.000 të dyshuar, por modeli i biznesit mbetet po aq i përhapur sa më parë.
Investigimi zbulon se krimi i organizuar ka krijuar metoda të reja furnizimi, duke bërë që policia të raportojë rritje të “linjave të rrjeteve sociale” për përdoruesit e klasës së mesme. Bandat synojnë fëmijë të klasës së mesme “nga familje të rregullta” që “shkojnë mirë në shkollë”, pasi kalojnë pa u vënë re.
Në të kaluarën drejtuesit e bandave u ofronin fëmijëve një telefon dhe atlete; tani mund të ofrojnë “një makinë dhe 5.000 paund”.
Gazetarët kaluan muaj duke ndjekur hetues policorë dhe duke marrë pjesë në bastisje me oficerë të ngarkuar për të shkatërruar bandat “county lines”. Ata intervistuan prokurorë, drejtues të lartë policie dhe politikanë për të kuptuar kërcënimin e trafikut të drogës dhe ndikimin e tij në komunitete dhe te të rinjtë në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
The Times analizoi pothuajse tetë milionë rreshta të dhënash kriminale dhe zbuloi se numri i shitësve të kanabisit dhe MDMA të burgosur për furnizim ka rënë me më shumë se një të tretën gjatë dekadës së fundit.

Të paktën 6544 linja tradicionale “county lines” vazhdojnë të shesin heroinë dhe kokainë crack te përdorues të varur përmes telefonave të përkohshëm, pavarësisht milionave të shpenzuara për të ndërprerë tregtinë e drogave të klasës A.
Shitësit po qëndrojnë një hap përpara policisë dhe prokurorëve duke u orientuar drejt përdoruesve të klasës së mesme që blejnë droga për festa online përmes telefonave inteligjentë.
Bandat kanë krijuar 500 “linja të rrjeteve sociale” për të shitur kanabis, MDMA, ketaminë dhe metamfetaminë kristalore te përdoruesit e rastësishëm.
Shitjet e kanabisit përmes rrjeteve sociale u rritën ndjeshëm vitin e kaluar dhe tani ai është “droga më dominuese” që shitet në Instagram dhe aplikacione mesazhesh.
Fenomeni “county lines” bazohet në kontroll. Ai nxit sjellje antisociale, ushqen dhunën serioze dhe rrezikon jetën e mijëra djemve adoleshentë, të cilët përdoren nga kriminelët si mjete.
Kriminologu Simon Harding paralajmëroi shprehet se “ne nuk po përballemi me skandalin e përditshëm të manipulimit dhe shfrytëzimit kriminal të djemve të rinj që dërgohen të shesin drogë në të gjithë vendin.”
Ai shtoi se, edhe pse fokusi ndaj shfrytëzimit seksual të vajzave është i drejtë, pasojat për këta djem janë po aq të rënda dhe mund të çojnë në vdekjen e tyre.
Fenomeni “county lines” përfshin linja telefonike që përdoren për të shpërndarë drogë nga qytetet drejt zonave të tjera. Ai ka rritur konfliktet për territor dhe dhunën. Djem të moshës 14–17 vjeç manipulohen për të transportuar drogë, para dhe armë.
“Sot, të paktën 14.500 fëmijë janë në rrezik shfrytëzimi kriminal, por shifra reale mund të jetë shumë më e lartë. Një në nëntë fëmijë ka raportuar se i është kërkuar të përfshihet në aktivitete të lidhura me drogën ose armët”, shkruan The Times.
Punonjësit socialë raportojnë raste të shfrytëzimit seksual të detyruar të djemve, ku bandat përdorin materiale komprometuese për t’i kontrolluar. “Ata kanë frikë se do t’u shkatërrohet jeta nëse këto publikohen, ndaj qëndrojnë me bandën. Ata janë të bllokuar,” tha një punonjës i rinisë.
Gjithashtu, disa banda po rekrutojnë azilkërkues për shitje droge. /Përshtati Pamfleti