Takime speciale me Laert Haxhiun në burg, Misi nga Kosova zhduket nga qarkullimi

Aktualitet

Publikuar: 17/03/2026

Takime speciale me Laert Haxhiun në burg, Misi nga Kosova zhduket nga qarkullimi

Një hetim i nisur në korrik 2025 nga Prokuroria e Korçës ka vënë në qendër të vëmendjes veprimet e ish-drejtorit të burgut të Drenovës, Fatjon Fasho, dhe ish-shefit të policisë së këtij institucioni, Sokol Kaçoli. Zhvillimet e fundit kanë orientuar hetuesit edhe drejt modeles kosovare, Ziza Pajaziti.

Sipas informacioneve në media kjo e fundit rezulton e pagjetshme prej afro një viti nga autoritetet. Ajo u bë pjesë e çështjes pasi më 12 qershor 2025 arriti të hynte në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, duke siguruar një takim të veçantë me të dënuarin me burgim të përjetshëm, Laert Haxhiu, i dënuar për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës në Lushnjë.

Sipas hetimeve, Pajaziti dyshohet se është futur në institucion duke u paraqitur si bashkëshortja e një tjetër të dënuari, Vladimir Kurti, ndërkohë që në realitet ka zhvilluar takim me Haxhiun. Prej rreth një muaji, Prokuroria e Korçës po përpiqet ta marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, por ende nuk ka mundur të lokalizojë vendndodhjen e saj.

Në këtë kuadër, është kërkuar edhe ndihma e Ministrisë së Brendshme për të identifikuar adresën e saj të banimit në Tiranë, me qëllim dërgimin e një fletë-thirrjeje zyrtare.

Deri më tani, asnjë person nuk është marrë i pandehur për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me hyrjen e vajzave në burgje për takime speciale me të dënuar me burgim të përjetshëm. Hetimi ka nisur pas një kallëzimi të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila kërkoi ndjekjen penale të ish-zyrtarëve të burgut të Drenovës.

/JOQ