Gazetarja e televizionit të Berishës tregon përplasjen me Ramën: Më përmendi Çim Pekën, aty nuk durova dot

Aktualitet

Publikuar: 13/03/2026

Gazetarja e televizionit të Berishës tregon përplasjen me Ramën: Më përmendi Çim Pekën, aty nuk durova dot

Gazetarja që punon në televizionin e familjes Berisha, Ambrozia Meta, ka reaguar pas debatit me kryeministrin Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp.

Ajo shprehet se nuk ka duruar dot kur Rama i ka përmendur emrin e drejtuesit të, Çim Pekën.

“Në fakt në momentin që ka përmendur emrin e Çim Pekës me ironi ose siç e përdor gjithmonë me term fyes, unë i kam kërkuar që ta lërë jashtë drejtuesin e televizionit dhe të kthejë përgjigje për pyetjen. Më pas ai ka nisur një sulm sa i përket Syri-t, pra televizionit, duke pretenduar se ka një dosje për pastrim parash në prokurori, gjëra të tjera, për të cilat unë i kam thënë, ajo dosje për të cilën ju flisni, i keni kërkuar ish ministrit të Financave Arben Ahmetaj që ta hetojë dhe nuk ka gjetur gjë nga ai lloj hetimi.

Në këto momente Rama është acaruar akoma më shumë, ka vijuar le të themi përplasja dhe ka fokusuar gjithë sulmin tek televizioni dhe duke e referuar pikërisht këtë gjë. Në ato momente që ka nisur sërish të flasë për hetimin ndaj televizionit, unë i kam thënë që kjo është një çështje që duhet ta zgjidhë prokuroria.

Në momentin që ka ndërprerë konferencën, ka dalë dhe më ka thënë që duhet të dalësh jashtë nga konferenca. Në momentin që unë kam shkuar për të dalë jashtë, për të mos e agravuar më shumë situatën, ka qenë një punonjës i gardës që nuk donte të më lejonte të dilja, sepse në ato momente Rama ishte duke kaluar në korridor. Dhe unë i kam kërkuar ta hap derën sepse për sa kohë që më kërkoi daljen nga konferenca, unë doja të largohesha. Dhe në këto momente ne jemi përballë sërish në korridor, ku kryeministri më ka thënë që je e përjashtuar përgjithmonë nga konferencat. Pra më ka nxjerrë jashtë. Pra kam marrë karton të kuq në kryeministri, nuk mund të hyj më në konferencat e tij. Nuk është hera e parë në fakt që kryeministri bën këtë gjë….”, u shpreh ajo.