Arben Shkodra sekseri i punëve të pista dhe ortakëria me lubinë e tenderave Paqësor Buzi, karteli i kompanive dhe organizatave të dyshimta

Investigim

Publikuar: 13/03/2026

Arben Shkodra sekseri i punëve të pista dhe ortakëria me lubinë e tenderave Paqësor Buzi, karteli i kompanive dhe organizatave të dyshimta

Biznesmeni Paqësor Buzi është një nga lubitë kryesore të zhvatjes së parave publike përmes tenderave klienteliste dhe të manipuluar, me pazar në tavolinë, dokumente false dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike, përmes situacioneve false dhe deformimeve, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen e parave publike sipas roleve. Vetëm gjatë pesë viteve të fundit, lubia e tenderave Paqësor Buzi, përmes kompanisë së tij G. P. G. COMPANY, ka përlarë rreth 170 milionë euro para publike.

Çelësi i suksesit të Paqësor Buzit në gllabërimin e fondeve publike me tendera korruptivë dyshohet se është urithi pazareve dhe sekseri i të gjithë pushteteve, Arben Shkodra, një personazh që u ka mbijetuar ndryshimit të qeverive, duke gjetur gjithnjë linja të errëta për t’iu afruar çdo kryeministri. Herë si Sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptar (edhe pse prodhon vetëm pazare), herë si sekser dhe herë si dallaverexhi, Arben Shkodra shfaqet në korridoret e Kryeministrisë si gjatë qeverisjes së PD ashtu edhe gjatë pushtetit të PS, troket në dyer ministrash dhe drejtorësh, shfaqet në zyra lobimesh dhe interesash korruptive.

Punën e sekserit Arben Shkodra e ka legalizuar edhe përmes kompanisë së konsulencës ENERSOL POWER shpk, në të cilën është ortak me lubinë e tenderave Paqësor Buzi, ky i fundit përmes kompanisë së ndërtimit G. P. G. COMPANY. I njohur edhe për lidhje pazaresh me ish bosen e call centerave Ines Muçostepa, Arben Shkodra kamuflohej përmes babait Refat Shkodra, në emër të të cilit ka kaluar aksionet në kompaninë e konsulencës.

Për tetë vite nga 2016 deri në 2025 kur është pezulluar, kompania pas të cilës qëndrojnë Arben Shkodra dhe Paqësor Buzi nuk ka publikuar bilance, duke ngritur dyshime për paligjshmëri dhe pastrim parash. Kompania ka transaksione të dyshimta, për të cilat ka dyshime se një pjesë burojnë nga ndërhyrjet e paligjshme të Arben Shkodrës për tendera, koncensione, leje dhe licenca, përfshirë edhe tendera për kompaninë e Paqësor Buzit, i cili po hetohet nga SPAK për afera me tendera.

Arben Shkodra qëndron edhe pas 4 organizatave të dyshimta si; Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Qendra Future, Qendra Kërkimore për Rritjen Ekonomike dhe Qeverisjes dhe PALAZZO SPINELLI PER L’ARTE E IL RESTAUR, me të cilat qarkullon fonde të dyshimta. Po ashtu, sekseri Shkodra qëndron edhe pas tre kompanive të tjera; FINCRO ADVISORS, PRIUS SOLUTION dhe DAMIANI & PARTNERS, për aktivitetin e të cilave do të flasim në vijim.