Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi sot kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku. Në votimin e zhvilluar në seancën plenare, 82 deputetë votuan kundër kërkesës së SPAK, ndërsa 47 vota të opozitës shkuan në mbështetje të saj. Megjithëse PS ka 83 mandate në Kuvend, 4 deputetë të mazhorancës nuk morën pjesë në votim.
Mes tyre ishte vetë Belinda Balluku, e cila nuk ishte e pranishme në seancë. Po ashtu mungoi edhe deputetja Elisa Spiropali, e cila nuk dha një shpjegim publik për mungesën. Deputeti Fatmir Xhafaj bëri me dije se ndodhet jashtë Shqipërisë. Ndërsa deputeti dhe ministri Blendi Gonxhja nuk ishte i pranishëm pasi ndodhet në Francë.
Ndërkaq, kryeministri Edi Rama ka marrë goditjen e parë nga Gjermania pasi rrëzoi SPAK-un, duke shpëtuar zonjën Balluku nga arrestimi. Në një reagim zyrtare, Ambasada gjermane shprehet se kusht i domosdoshëm për të bërë progres drejt rrugës së Shqipërisë në BE, është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.
Reagimi i plotë:
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë.
Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.